Hetuesit ukrainas kundër korrupsionit kontrolle në zyrën e Andriy Yermak
Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU) dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar Kundër Korrupsionit (SAPO) kanë kryer kontrolle në zyrën e shefit të stafit të Presidencës, Andriy Yermak, njoftoi NABU më 28 nëntor.
“Veprimet hetimore janë autorizuar dhe po kryhen si pjesë e hetimit. Detajet do të publikohen më vonë”, u tha në njoftim.
Një korrespondent i medias ukrainase, Ukrayinska Pravda, duke raportuar nga vendi i ngjarjes publikoi fotografi të punëtorëve të agjencisë kundër korrupsionit duke hyrë në qarkun qeveritar në Kiev, por nuk dha detaje të tjera.
Natyra e kontrolleve dhe statusi aktual i shefit të stafit të presidentit, Volodymyr Zelensky, aktualisht nuk dihen. Zyra e Yermakut ka konfirmuar se po bashkëpunojnë plotësisht me hetuesit.
“Sot, NABU dhe SAPO po kryejnë veprime procedurale në shtëpinë time. Hetuesit nuk po përballen me asnjë vështirësi. Atyre u është dhënë qasje e plotë në banesën time dhe avokatët e mi janë në vendngjarje duke ndërvepruar me zyrtarët e zbatimit të ligjit. Sa më përket mua, unë kam ofruar bashkëpunim të plotë”, shkroi Yermak në Telegram.
Yermak konsiderohet se është një nga zyrtarët më të fuqishëm në Ukrainë dhe ai udhëhoqi delegacionin ukrainas gjatë bisedimeve me Shtetet e Bashkuara në Gjenevë javën e kaluar lidhur me mundësinë e arritjes së një ujdie për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Ukraina është goditur nga një skandal korruptiv javëve të fundit, pasi është zbuluar se fondet që duhej të shkonin për mbrojtjen e infrastrukturës së energjisë janë devijuar. Disa individë me ndikim, të lidhur me Zelenskyn, janë implikuar në këtë skemë./ REL
LEXONI GJITHASHTU:
SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump
Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në
Numri i të vdekurve nga tërmetet në Venezuelë rritet në 4,734
- 22:21 SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump
- 22:18 Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në
- 22:17 Trajneri Deschamps, mbreti i pankinës në Botëror! Francezi thyen rekordin 48 vjeçar
- 22:10 Nurellari: Kërkimin shkencor e kemi në duar të sigurta me Ministrin e Ramiz Alisë
- 22:04 “10 mijë euro për t’u bërë mësues”, Koka: Ja sa paguhet për t’u futur në sistemin arsimor
- 22:02 Rama nga Brukseli: Thanë nuk do hapen negociatat, sot u mbyllën tre kapitujt e parë