Ish-shefja e shërbimit sekret britanik: Anglia mund të jetë tani në luftë me Rusinë

29 Shtator 2025 | 07:53

Britania mund të jetë tashmë në luftë me Rusinë për shkak të thellësisë dhe intensitetit të sulmeve kibernetike, sabotimeve dhe veprimtarive të tjera armiqësore të orkestruara nga Moska kundër Mbretërisë së Bashkuar, sipas një ish-drejtueseje të MI5.

Eliza Manningham-Buller, e cila ka drejtuar shërbimin sekret të brendshëm dy dekada më parë, u shpreh se ishte dakord me komentet e ekspertes për Rusinë, Fiona Hill, e cila në një intervistë për The Guardian më herët këtë vit argumentoi se Moska është tashmë në luftë me Perëndimin.

Zonja Manningham-Buller tha se situata ka ndryshuar “që nga pushtimi i Ukrainës dhe për shkak të gjërave të ndryshme që lexoj se rusët po bëjnë këtu – sabotime, mbledhje informacioni, sulme fizike ndaj personave dhe të tjera si këto”.

Duke folur në një podcast ku u intervistua nga kryetari i Dhomës së Lordëve, John McFall, ajo përmendi Hill, e cila ka qenë këshilltare e Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë si president i SHBA dhe bashkautore e rishikimit strategjik të mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.

“Mendoj se ajo mund të ketë të drejtë kur thotë se tashmë jemi në luftë me Rusinë. Është një lloj tjetër lufte, por armiqësia, sulmet kibernetike, sulmet fizike, aktivitetet e inteligjencës janë të gjera dhe serioze”, tha ajo.

Gjatë këtij viti, gjashtë bullgarë që jetonin në Mbretërinë e Bashkuar u dënuan me burg për rolin e tyre në një rrjet spiunazhi që kryente survejim armiqësor nëpër Evropë. Po ashtu, pesë burra të tjerë u shpallën fajtorë për përfshirjen në një zjarrvënie të qëllimshme në një magazinë me ndihma për Ukrainën, një akt i urdhëruar nga Moska.

Pat McFadden, atëherë ministër në Zyrën e Kabinetit, deklaroi vitin e kaluar se Rusia kishte intensifikuar sulmet kibernetike kundër Mbretërisë së Bashkuar. Hakerët kanë vënë në shënjestër një sërë biznesesh britanike. Edhe pse identifikimi i burimit të këtyre sulmeve kërkon kohë, dyshimet më të mëdha bien mbi Rusinë.

Disa aleatë të Britanisë në NATO në Evropën Lindore janë prekur nga incidente me dronë kohët e fundit, më së shumti Polonia, ku 19 dronë rusë të paarmatosur hynë në hapësirën e saj ajrore këtë muaj.

Gjatë pjesës së parë të mandatit të Manningham-Buller si shefe e MI5, nga viti 2002 deri në 2007, kishte shpresa se Rusia nën udhëheqjen e Vladimir Putinit nuk do të rikthehej në mënyrat e vjetra sovjetike, por do të bëhej një partner i mundshëm për Perëndimin.

Manningham-Buller e takoi Putinin në vitin 2005, kur ai erdhi në Londër pas një samiti të G8 në Skoci një kohë kur Lord McFall sugjeroi se presidenti rus po përpiqej të paraqitej me një “fytyrë të këndshme” për të impresionuar vendet kryesore perëndimore.

“Nuk do ta përshkruaja pikërisht ashtu,” u përgjigj Manningham-Buller. “Nuk e prisja që brenda një viti ai do të urdhëronte një vrasje në rrugët e Londrës ndaj [Alexander] Litvinenko-s, por e gjeta si një njeri mjaft të pakëndshëm.”

Litvinenko, një ish-agjent i FSB-së ruse që jetonte në Londër, u sëmur dhe vdiq ngadalë në vitin 2006 pasi u helmua me polonium radioaktiv. Një hetim publik, i zhvilluar një dekadë më vonë, arriti në përfundimin se ai u vra nga dy agjentë rusë, të cilët me shumë mundësi vepronin me urdhër të Putinit./The Guardian

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026