Dhjetori njihet si muaji i festave por edhe si muaji i 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore.
Krahas shumë aktiviteteve që zhvillohen për të denoncuar dhunën, disa aktivistë në Pogradec kanë gjetur një mënyrë mjaft të veçantë për të shpërndarë mesazhin “Jo dhunë – dhuro sa më shumë dashuri”.
Ata kanë ndaluar drejtuesit e mjeteve duke u folur rreth këtij fenomeni e duke u dhuruar dhurata për fëmijët dhe gratë.
Sipas aktivistit Mentor Rama është momenti i duhur që krahas urimeve për festa të japim mesazhe dashurie për familjen.
“Ne duam që ta lidhim gjithçka me familjen, që të përçojmë sa më shumë dashurinë, familja është bërthama e shoqërisë tonë e cila në ditët e sotme theksohet shumë pak në të gjitha aspektet. Problematika kryesore në fakt është në familje dhe kur familja është mirë do jemi në gjendje të ndalojmë dhunën ndaj motrave tona, motrave tona, fëmijëve tanë”- u shpreh Mentor Rama, aktivist.
Fushata sensiblizuese nuk përkon vetëm për dhunën ndaj grave, por ndaj të gjitha gjinive.
“Kjo fushatë sensibilizuese është për të gjitha krahët edhe për nënat tona edhe për baballarët e vëllezërit tanë e motrat tona, është për të gjitha gjinitë sepse rreziku vjen nga të gjitha anët. Për këtë arsye unë dua t’iu bëj një apel: Mundohuni që pavarësisht gjinisë që i përkisni të përçojmë sa më shumë dashuri tek familjet tona, tek nënat tona, motrat tona tek prindërit tanë”- shtoi Rama.
Pjesë e kësaj fushate është bërë edhe policia e shtetit të cilët kanë asistuar po ashtu në shpërndarjen e mesazheve e dhuratave tek drejtuesit e mjeteve. Duhet theksuar se në Qarkun Korçë ky vit ka shënuar numër të lartë të rasteve të dhunës në familje deri edhe tek vrasjet për shkaqe xhelozie.
LEXONI GJITHASHTU:
- Sherr aleatësh për kryeministrin, Daçiç kërkon postin e kreut të qeverisë serbe
- “Luftë deri në fund”, Izraeli shpërfill presionin ndërkombëtar: Hamas do asgjësohet