Kaos në aeroportet e SHBA-së, ICE vendosen në pikat e kontrollit ajror! Zëvendësojnë stafin që mungon

23 Mars 2026 | 21:44

Agjentët e Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) janë dislokuar në aeroportet kryesore në të gjithë vendin, duke ndihmuar pasagjerët në kontrollin e tyre pasi mijëra punonjës sigurie, të cilët nuk po paguhen, kanë refuzuar të punojnë, shkruan BBC.

Punonjësit e Administratës së Sigurisë së Transportit (TSA) po mungojnë gjithnjë e më shumë në punë, pasi nuk kanë marrë pagë prej javësh për shkak të një mbylljeje të pjesshme të qeverisë që nisi më 14 shkurt.

Mungesa e tyre ka krijuar radhë të gjata dhe pritje me orë të tëra në pikat e kontrollit të sigurisë në aeroporte. Më shumë se 3,400 agjentë të TSA-së munguan në punë të dielën.

Të hënën, përgjegjësi i Shtëpisë së Bardhë për çështjet kufitare, Tom Homan, tha se qindra agjentë të ICE janë dislokuar në 14 aeroporte në qytete si Nju Jork, Atlanta dhe Houston.

Nga pamjet, agjentët nuk mbajnë maska apo mbulesa për fytyrën, siç kanë bërë në raste të tjera.

“Unë besoj fort se ata duhet të jenë në gjendje të mbajnë maska kur dalin për të kapur, e dini, vrasës, kriminelë dhe të tjerë. Por për qëllime të aeroportit, kam kërkuar që t’i heqin maskat. Nuk mendoja se ishte një pamje e përshtatshme për një aeroport”, u tha presidenti Donald Trump gazetarëve të hënën.

Në aeroportin ndërkombëtar Louis Armstrong në New Orleans, 42.3% e stafit të TSA-së njoftuan se do të mungonin të dielën, ndërsa në Hartsfield-Jackson, 41.5% e stafit mungoi, sipas të dhënave të siguruara nga partneri i BBC-së në SHBA, CBS.

Më shumë se një e treta e stafit mungoi në tre aeroporte të tjera po atë ditë, përfshirë aeroportin ndërkombëtar George Bush në Houston dhe aeroportin Baltimore/Washington International Thurgood Marshall.

Zëvendësadministratori në detyrë i TSA-së, Adam Stahl, tha se agjentët e ICE do të jenë aty për të “mbështetur” stafin në funksione sigurie jo të specializuara, duke u mundësuar agjentëve të TSA-së të fokusohen më shumë në “sigurinë e aviacionit në mënyrë specifike”.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Carney dhe Trump zhvillojnë një bisedë telefonike, çfarë u diskutua

Kryeministri kanadez Mark Carney tha të enjten se Presidenti i SHBA-së Donald Trump e telefonoi të mërkurën përpara bisedimeve të NATO-s, duke përshkruar një bisedë...
20:57 | 25/06/2026

NATO do njoftojë dhjetëra miliardë dollarë në kontrata të reja mbrojtëse në samitin e Ankarasë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha të enjten se aleanca do të zbulojë dhjetëra miliarda dollarë në kontrata të reja mbrojtëse në samitin...
20:55 | 25/06/2026

Pamje nga ajri, imazhet e shkatërrimit nga tërmetet katastrofike në Venezuelë (VIDEO)

Pamjet e marra nga ajri tregojnë nivelin e shkatërrimit nga 2 tërmetet 7,2 dhe 7,5 të shkallës rihter që goditën Venezuelën. Të paktën 188 persona...
20:54 | 25/06/2026