Shumë besojnë se ilaçi më i mirë për një zemër të thyer është koha, por ndonjëherë mund të shërbejë edhe muzika.
Kështu ka qenë për dy yjet e mëdhenj të muzikës, Shakira dhe Miley Cyrus, të cilat ditët e fundit kanë pushtuar top-listat botërore me këngët kushtuar ish-partnereve.
Këngëtaret mund të kenë lehtësuar disi dhimbjen e dashurisë me këngë, por sigurisht që kjo u shpagua edhe financiarisht.
Platforma Spotify njoftoi të premten se “Flowers” e Miley ka thyer një rekord për kohën më të shpejtë që ka arritur në 100 milionë transmetime që nga publikimi më 12 janar.
Ndërkohë “kënga hakmarrëse” e Shakirës për ish-partnerin e saj Pique fitoi më shumë shikime në 24 orët e para në YouTube se çdo këngë latine në histori.
Por çfarë fshihet në tekstet e tyre që ka tërhequr kaq shumë vëmendjen e publikut?
Më 13 janar, Miley Cyrus publikoi “Flowers”, kënga e parë e albumit “Endless Summer Vacation”, të cilin fansat e saj mezi e presin në mars.
Pak orë në internet dhe fansat kanë analizuar se çfarë “lexohet mes rreshtave” për Liam Hemsworth.
Gjurma e parë që la Miley ishte fakti që ajo publikoi këngën në ditëlindjen e tij. Shumë besojnë se refreni i këngës të kujton qëllimisht këngën e Bruno Mars “When I Was Your Man”, pasi thuhet se Hemsworth ia kushtoi atë të fejuarës së tij të atëhershme në vitin 2013.
Bruno Mars i cili e shkroi këngën në vitin 2011 për të dashurën që humbi para se të bëhej i famshëm, thotë: “Duhet të të kisha blerë lule, duhet të të kisha mbajtur dorën, duhet të të kisha dhënë të gjithë kohën time kur të kisha mundësi, të të çoja në çdo festë sepse ty të pëlqen të kërcesh. Tani vajza ime po kërcen, por me një burrë tjetër”.
Ndërkohë, Miley në këngën e saj thotë: “Unë mund t’i blej vetes lule, të shkruaj emrin tim në rërë, të flas me vete për orë të tëra, të them gjëra që ti nuk i kupton. Mund të kërcej vet, mund të mbaj dorën time dhe mund ta dua veten më mirë se ç’mund ta bësh ti”.
Ajo gjithashtu përmend në një rresht se ata “ndërtuan një shtëpi dhe më pas e panë atë të digjej”, gjë që fansat e lidhën me zjarrin që përfshiu shtëpinë e Miley dhe Liam në Malibu në vitin 2018.
Disa të tjerë pretendojnë se vendi ku këngëtarja ka xhiruar videoklipin e “Flowers” është shtëpia ku dyshohet se ish-bashkëshorti e ka tradhtuar.
Disa kujtuan edhe një situatë nga tapeti i kuq, kur gazetarët i kërkuan Hemsworth dhe Cyrus të kërcejnë. Ndërsa Miley e pranoi menjëherë sfidën dhe u përpoq të kërcente me të shoqin, ai tha: “Nuk do ta bëjmë këtë. Jo në tapetin e kuq”. Tani, shumë përdorues të rrjetit kanë njohur ngjashmërinë midis koreografisë në videon e re dhe kërcimit që shfaqi Miley në atë kohë.
Shakira nga ana tjetër ishte shumë më e drejtpërdrejtë dhe e ashpër në këngën e saj “hakmarrëse” kushtuar ish-partnerit të saj, futbollistit Gerard Pique.
Këngëtarja ngacmoi të dashurën e re të Pique, Clara K Marta, 23 vjeç duke thënë në një varg se ajo “vlen sa dy 22-vjeçare”. Kujtojmë se Shakira është 45 vjeç.
Ajo gjithashtu i tha ndër rreshta se “po linte një Ferrari për një Twingo” dhe një “Rolex për një Casio”.
Pavarësisht arsyeve për të cilat yjet e estradës vendosën të regjistrojnë këngë të tilla, vlen të theksohet se është e vërtetuar shkencërisht se shprehja e emocioneve përmes artit është shëruese.
Justin Timberlake, “Cry Me a River”
Justin Timberlake publikoi hitin e madh “Cry Me a River” në vitin 2002, i cili i kushtohet ish të dashurës së tij Britney Spears.
Këtë e konfirmoi producenti i tij Timbaland, i cili deklaroi se Justin u tërbua pasi dëgjoi Britney duke folur për të me publikun në koncertin e saj.
Në këngë, ai thotë se Britney e kishte tradhtuar gjatë kohës që ishin bashkë dhe duke qenë se këngëtarja ishte nën sulm dhe kritika pas kësaj, ai i kërkoi falje publike vite më vonë për dhimbjen që i shkaktoi.
Taylor Swift “All Too Well”
Mbretëresha e këngëve të ndarjes ka këngë, që publiku i lidh me një nga ish-partnerët e saj, pothuajse në çdo album.
Më së shumti thashetheme u bënë për “All Too Well”, këngë që sipas shumëkujt ia dedikoi ish të dashurit të saj Jake Gyllenhaal.
Besohet se pikërisht për këtë ka zgjedhur një aktor dhe një aktore me diferencë të madhe moshe për videon.
Justin Bieber “Love Yourself”
Shumë fansa të muzikës së Justin Bieber besojnë se këngën e tij “Love Yourself” ia ka kushtuar ish-partneres Selena Gomez.
Dyshimet janë ngritur nga tatuazhi që Gomez mban në qafë, ku në arabisht janë shkruar fjalët “Duaj veten së pari”.