Kërcënimet në koncertin e Swift, kancelari austriak: Shkatërruam një degë të ISIS
Një i ri austriak i cili u arrestua bazuar në dyshimet për komplot për sulm në një koncert të këngëtares Taylor Swift në Vjenë planifikonte të kryente një sulm vetëvrasës që do të kishte shkaktuar “gjakderdhje” dhe ishte betuar për besnikëri ndaj Shtetit Islamik, tha kancelari austriak Karl Nehammer të enjten.
I dyshuari po planifikonte një sulm vdekjeprurës në mesin e rreth 20,000 adhuruesve të këngëtares Sëift që do të mblidheshin jashtë stadiumit Ernst Happel të Vjenës, tha më herët, Omar Haijawi-Pirchner, drejtor i Sigurisë dhe Zbulimit austriak, shkruan VOA.
Dy të rinj të tjerë austriakë të moshës 17 dhe 15 vjeç u arrestuan të mërkurën për komplotin.
Rrjeti amerikan ABC citoi burime të zbatimit të ligjit dhe inteligjencës të ishin shprehur se autoritetet austriake kishin marrë informacion mbi rrezikun në koncertin e këngëtares Sëift nga inteligjenca amerikane.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha të enjten se Shtetet e Bashkuara kishin qenë në komunikim me autoritetet austriake mbi dyshimet për një komplot për një sulm gjatë koncertit të këngëtares amerikane, por nuk konfirmoi njoftimet se autoritetet amerikane të zbulimit u kishin dhënë atyre informacione mbi një sulm të planifikuar.
“Ne kemi qenë në kontakt me qeverinë austriake mbi këtë çështje. Është praktike që ne ndajmë informacion me aleatët dhe partnerët tanë mbi aktivitetet terroriste njësoj siç ata ndajnë informacion me ne”, tha zëdhënësi Matthew Miller gjatë një komunikimi me gazetarët.
Autoritetet austriake arrestuan të mërkurën një shtetas të Austrisë 19 vjeçar me origjinë nga Maqedonia e Veriut, si të dyshuar për përfshirje në një komplot të dështuar për të sulmuar koncertet e këngëtares Taylor Swift, tashmë të anuluara, që planifikoheshin të mbaheshin në Vjenë
Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, i tha të enjten Zërit të Amerikës se autoritetet austriake kane kërkuar nga kjo ministri “kontrollin e një personi me origjine nga Maqedonia e Veriut, i cili dyshohet për përfshirje në planifikim të një sulmi terrorist në Vjenë”.
Shkupi sipas përgjigjes dhënë Zërit të Amerikës “po vepron në bazë të kërkesës së parashtruar” nga autoritetet austriake, por nuk dha më shumë hollësi se nga cila pjesë e vendit e kanë origjinën prindërit e të dyshuarit.
Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut i dyshuari quhet Beran Aliji, i lindur në Austri, por me origjinë nga Gostivari.
Ndërkohë autoritetet austriake thanë se gjetën materiale të grupit të Shtetit Islamik dhe al-Kaidës në shtëpinë e të dyshuarit të dytë për përfshirje në komplot.
“Situata ishte serioze, situata është serioze. Por mund të themi se u parandalua një tragjedi”, tha të enjten në Vjenë, ministri i Brendshëm Gerhard Karner.
Autoritetet e sigurisë thanë se i dyshuari i dytë, një shtetas austriak 17-vjeçar me origjinë turke dhe kroate, u arrestua nga forcat e posaçme të policisë pranë stadiumit ku planifikohej mbajtja e koncerteve këtë javë. Emrat e të dyshuarve nuk u publikuan në përputhje me rregullat austriake të privatësisë.
Macron: Fitorja e Magyar shënon fillimin e një epoke të re në Hungari
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së voton 5 anëtarët e rinj jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit
Rreth 90 serbë dëbohen nga aeroporti i Tivatit, policia malazeze i cilëson rrezik për sigurinë
- 07:18 SHBA njofton armëpushim të ri mes Izraelit dhe Libanit, kusht ndalimi i sulmeve të Hezbollahut
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet