Kina furnizon fshehtazi Rusinë dhe Iranin me pjesë për dronët “Shahed”

6 Maj 2026 | 18:17

Kompanitë kineze vijojnë të furnizojnë në masë Rusinë dhe Iranin me komponentë për prodhimin e dronëve kamikazë “Shahed”, duke injoruar hapur sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara, raporton Wall Street Journal.

Sipas të dhënave të doganave kineze, qindra kontejnerë me pjesë teknologjike po dërgohen drejt fabrikave në Iran dhe Federatën Ruse.

Mes tyre përfshihen motorë, mikroçipa dhe komponentë të tjerë thelbësorë për prodhimin e dronëve “Shahed-136”, të cilët Rusia i përdor në sulmet ndaj qyteteve ukrainase.

Në qendër të raportit përmendet kompania kineze “Xiamen Victory Technology”, e cila shet motorët “Limbach L550”, një nga komponentët kyç të dronëve “Shahed-136”.

Në faqen zyrtare të kompanisë, pranë sloganit reklamues “Zgjidhje inovative për motorët e avionëve”, shfaqet edhe imazhi i një droni “Shahed”.

Sipas zyrtarëve të lartë të Thesarit amerikan dhe ekspertëve të armëve, eksportuesit kinezë për një kohë kanë përdorur të dhëna të rreme për të shmangur sanksionet amerikane dhe evropiane, por tashmë në shumë raste nuk po përpiqen më as t’i fshehin dërgesat.

Ish-zyrtarë të Thesarit amerikan thonë se Kina prej kohësh ka shërbyer si pikë tranziti për komponentë të prodhuar në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, të cilët më pas përfundonin në fabrikat e dronëve në Iran dhe Rusi.

Sipas tyre, gjithnjë e më shumë prej këtyre pjesëve prodhohen tashmë drejtpërdrejt në Kinë, shpesh në fabrika të vogla që nuk i druhen sanksioneve perëndimore.

Një hetim i Departamentit amerikan të Thesarit zbuloi se pothuajse të gjitha pjesët amerikane dhe evropiane devijoheshin përmes distributorëve të autorizuar drejt shitësve në Kinën kontinentale ose Hong Kong, për t’u dërguar më pas në Iran apo Rusi.

Pagesat kryheshin zakonisht përmes kompanive guaskë të regjistruara në Hong Kong, të cilat shërbenin për të fshehur destinacionin përfundimtar të ngarkesave.

Në vitin 2024, Thesari amerikan vendosi sanksione ndaj një rrjeti kompanish fiktive në Hong Kong, të lidhura me Hamed Dehgan, një tregtar nga Teherani, kompania e të cilit konsiderohej furnizues kyç për programet iraniane të dronëve dhe raketave.

Megjithatë, një vit më vonë, një rrjet i ri kompanish në Hong Kong vazhdoi të mbulonte aktivitetet e tij.

“I ktheu sytë nga ana tjetër ndaj këtij fluksi, edhe kur roli i saj ekspozohej vazhdimisht në raportet publike dhe gjatë vendosjes së sanksioneve”, deklaroi Miad Maleki, ish-zyrtar i Zyrës për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Departamentin e Thesarit të Shteteve të Bashkuara.

Organizata britanike “Conflict Armament Research”, e cila heton trafikun e paligjshëm të armëve, tha se ka vërejtur një “rritje të dukshme” të përdorimit të komponentëve të prodhuar në Kinë në dronët e tipit “Shahed”.

Sipas raportit, të dhënat e doganave kineze tregojnë se kompanitë vendase janë gjithnjë e më të gatshme të tregtojnë hapur komponentë për dronë, pavarësisht sanksioneve amerikane dhe evropiane.

Zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë pranojnë se Shtetet e Bashkuara nuk mund ta ndalin plotësisht këtë tregti, ndaj objektivi kryesor mbetet rritja e kostove për Iranin dhe Federatën Ruse.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Riaktivizohet zjarri në fshatin Lekas dhe Voskopojë, forcat zjarrfikëse në gatishmëri për shuarjen e flakëve

Zjarri i rënë në zonën mes territorit të fshatit Lekas dhe Voskopojës, në vendin e quajtur “Antenat”, është riaktivizuar gjatë mëngjesit të sotëm si pasojë...
09:29 | 23/07/2026

Aksidenti tek Unaza e Madhe, ndërron jetë edhe i plagosuri tjetër, policia me njoftim zyrtar

Ka humbur jetën shtetasi tjetër egjiptian i cili ndodhej në të njëjtin mjet me viktimën tjetër. Konkretisht viktimat e identifikuara janë: Mohamed Lotf dhe Mohamed...
19:18 | 22/07/2026

Franca regjistron 5,764 vdekje shtesë gjatë valës së të nxehtit të qershorit

Franca regjistroi 5,764 vdekje shtesë gjatë valës së jashtëzakonshme të të nxehtit që preku vendin midis 17 qershorit dhe 2 korrikut, tha të mërkurën Shëndeti...
18:59 | 22/07/2026