Komisioni Europian thyen heshtjen për arrestimin dhe burgosjen e Fredi Belerit

27 Maj 2023 | 17:00

Komisioni Europian ka thyer heshtjen për çështjen e arrestimit dhe burgosjes së Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, i akuzuar për shit-blerje votash dhe i arrestuar vetëm dy ditë përpara zgjedhjeve lokale të 14 majit.

Një zëdhënës i Komisionit i tha autores së Inside Albania në Euronews Albania, Alice Taylor, se ata nuk mund të komentojnë mbi hetimet që po zhvillohen, por janë në dijeni të situatës.

“Ne vijojmë t’i ndjekim zhvillimet. Nuk mund të komentojmë hetimet në vijim dhe kërkojmë që të sigurohet vazhdimësia e procesit,” u shpreh zëdhënësi i Komisionit.
Sa i takon zgjedhjeve lokale, ata u shprehën se “rastet e keqpërdorimit të burimeve publike në nivel kombëtar dhe lokal, pretendimet për presion ndaj votuesve dhe punonjësve të administratës dhe në veçanti për blerjen e votave, janë shqetësuese dhe duhen hetuar përkatësisht.”

Komisioni Europian shtoi se palët politike duhet të angazhohen në një dialog dhe “të adresojnë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.”
Kujtojmë se Fredi Beleri i ka mohuar të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj tij dhe e ka quajtur arrestimin “të motivuar politikisht”, një qëndrim që është mbështetur edhe nga Athina zyrtare.

Beleri është transferuar në Tiranë, ku po vijon të qëndrojë i burgosur, pavarësisht kërkesave të skuadrës së tij ligjore për ta pritur mbylljen e hetimeve dhe vendimin në arrest shtëpie për shkak të problemeve me shëndetin.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe Ministri i Jashtëm Nikos Dendias e kanë dënuar arrestimin dhe kanë kërcënuar se do të bllokojnë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian në rast se Beleri nuk lihet i lirë. Sidoqoftë, Komisioni Europian nuk e ka komentuar këtë çështje.

Rasti i Fredi Belerit i është raportuar edhe Presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe Këshillit të Punëve të Jashtme gjatë një takimi në Bruksel këtë të hënë.
Në anën tjetër, Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka kanë deklaruar se çështja e arrestimit të Belerit nuk është politike dhe kanë kërkuar që organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre pa ndërhyrje dhe presione nga jashtë.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Meloni: Udhëheqësit evropianë duhet të forcojnë komponentin evropian të NATO-s

Udhëheqësit evropianë duhet të forcojnë komponentin evropian të NATO-s, tha sot kryeministrja italiane Giorgia Meloni pas bisedës me kolegët e saj francezë, gjermanë, britanikë dhe...
22:38 | 24/06/2026

Pse vala vdekjeprurëse e të nxehtit në Evropë nuk është për shkak të një fenomeni natyror të motit

Evropianët po vuajnë nga vala e fundit e të nxehtit, për të cilën ekspertët thonë se po “përforcohet nga ngrohja afatgjatë” – jo nga El...
18:25 | 24/06/2026

BE-ja shkurton afatin e pranimit të Ukrainës për shkak të rezistencës hungareze

E përballur me rezistencë të përtërirë nga Hungaria, BE-ja është detyruar të ndryshojë planet dhe tani synon të zhbllokojë dy, në vend të pesë, grupeve...
18:18 | 24/06/2026