​Kosova nënshkruan aplikimin zyrtar me “COVAX” për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19

7 Dhjetor 2020 | 14:55

Kosova ka nënshkruar sot aplikimin zyrtar për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19 në aleancën globale “GAVI-COVAX”. Lajmi bëhet i ditur nga vetë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Ai thotë se nga kjo aleancë, Kosova përfiton vaksinën për 20 % të popullatës, kurse pjesën tjetër do ta sigurojë në rrugë të tjera.

“Të vetëdijshëm se sigurimi i vaksinave përbën një obligim për ruajtjen e shëndetit publik të popullatës, Ministria e Shëndetësisë, qysh para disa muajve kishte vendosur kontakte me GAVI-COVAX, me qëllim që të sigurojmë vaksinën për qytetarët tanë. Për fat të mirë, Kosova është e listuar në mesin e shteteve që 20% të vaksinës kundër COVID-19 do ta marrin falas përmes aleancës globale GAVI-COVAX, derisa pjesën tjetër do ta blejë vetë” shkruan Zemaj në faqen zyrtare në “Facebook”.

Ministri Zemaj shprehet gjithashtu se prioritet për kryerjen e vaksinës do të kenë ato grupe të popullsisë, të cilat janë më të ekspozuara nga Covid-19, ku konkretisht përfshihen nëpunësit e shëndetësisë, të moshuarit, por edhe personat me sëmundje kronike.

“Synimi ynë është që t’i vaksinojmë të grupet e popullatës që janë më të ekspozuara dhe rrezikuara nga COVID-19, siç janë nëpunësit shëndetësorë, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, personali i shërbimeve të angazhuara në menaxhimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19…, por pa e përjashtuar asnjë kategori që duhet të vaksinohet kundër COVID-19, duke përmbushur obligimin ligjor”, shton Zemaj.

Pandemia Covid-19 vijon të jetë serioze në Kosovë, kurse në 24 orët e fundit Ministria e Shëndetësisë njoftoi se kanë humbur jetën 14 qytetarë, duke e çuar totalin e viktimave në 1120.

Çfarë është skema COVAX dhe si funksionon?

Aleanca COVAX u krijua në prill nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe në të marrin pjesë 180 shtete, përfshi të gjitha anëtaret e BE-së. COVAX ka si qëllim të bashkojë kapacitetet financuese dhe prodhuese për të siguruar një sasi sa më të madhe vaksinash për t’i shpërndarë ato mes vendeve anëtare të aleancës.

COVAX ka bërë marrëveshje me 9 prodhues vaksinash, përfshi Moderna dhe AstraZeneca, që tashmë kanë prodhuar një vaksinë. Paraprakisht, COVAX ka përllogaritur se kostoja e një doze vaksine do të jetë 10.55 dollarë.

Skema COVAX ofron dy lloje kontratash për vendet: marrëveshje paraprake për blerjen e vaksinës dhe marrëveshje opsionale për blerjen e saj. Të dyja marrëveshjet garantojnë qasje në portofolin e vaksinave të COVID-19 me çmimin që do të negociojë COVAX.

Lexoni gjithashtu: 

Katërmbëdhjetë të vdekur nga Covid-19 në Kosovë

Çfarë është skema COVAX dhe si e përfiton Shqipëria vaksinën

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kosta me Vuçiç: Dialogu Kosovë-Serbi dhe marrëveshja e Ohrit, jetike për sigurinë e rajonit

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, i kërkoi Serbisë të përshpejtojë reformat dhe të avancojë dialogun me Kosovën, duke theksuar se zgjerimi i Bashkimit Europian...
13:09 | 04/06/2026

Rubio: Anëtarësimi i Kosovës në NATO tani nuk është në krye të agjendës së aleatëve

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se zgjerimi i NATO-s për të përfshirë Kosovën aktualisht nuk është në krye të agjendës së aleatëve, por...
08:17 | 04/06/2026

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026