Kryeministri i Indisë pritet të vizitojë Ukrainën
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, do ta vizitojë Ukrainën më 23 gusht, njoftuan të hënën zyrtarët ukrainas.
Zyra e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi një njoftim të mëhershëm të Ministrisë së Jashtme të Indisë për vizitën e Modit dhe njoftoi edhe për datën.
Modi dhe Zelensky do të bisedojnë për bashkëpunimin dypalësh dhe shumëpalësh, si dhe për nënshkrimin e disa dokumenteve, sipas Presidencës ukrainase.
Modi do ta vizitojë Ukrainën një muaj pasi e vizitoi Moskën, ku u takua me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Zelensky e kritikoi atë takim, duke thënë më 6 korrik se ishte “zhgënjim i madh dhe goditje e rëndë ndaj përpjekjeve për paqe ta shohësh liderin e demokracisë më të madhe në botë duke e përqafuar kriminelin më të përgjakshëm në botë”.
India nuk e ka dënuar pushtimin e Ukrainës nga Rusia, që nisi në shkurt 2022, dhe u ka bërë thirrje Rusisë dhe Ukrainës ta zgjidhin konfliktin përmes dialogut dhe diplomacisë.
Nën udhëheqjen e Modit, India synon t’i forcojë marrëdhëniet me Perëndimin dhe, njëkohësisht, t’i ruajë lidhjet me Rusinë.
India është bërë blerës kyç i naftës ruse pas sanksioneve që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre i vendosën ndaj Moskës, si pasojë e të cilave shumica e tregjeve të Perëndimit u mbyllën për eksportet ruse.
India tani 40 për qind të naftës së importuar e merr nga Rusia, sipas analistëve.
Edhe Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësime rreth marrëdhënieve të Indisë me Rusinë , posaçërisht në një kohë kur Uashingtoni po kërkon t’i forcojë lidhjet me Nju Delhin.
LEXONI GJITHASHTU:
SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump
Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në
Numri i të vdekurve nga tërmetet në Venezuelë rritet në 4,734
- 22:21 SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump
- 22:18 Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në
- 22:17 Trajneri Deschamps, mbreti i pankinës në Botëror! Francezi thyen rekordin 48 vjeçar
- 22:10 Nurellari: Kërkimin shkencor e kemi në duar të sigurta me Ministrin e Ramiz Alisë
- 22:04 “10 mijë euro për t’u bërë mësues”, Koka: Ja sa paguhet për t’u futur në sistemin arsimor
- 22:02 Rama nga Brukseli: Thanë nuk do hapen negociatat, sot u mbyllën tre kapitujt e parë