Kuçana përplaset me Berishën: PD duhet të lexojë sheshin, “mulizimi” duhet të marrë fund

15 Korrik 2026 | 20:02

Ish-kandidatja për deputete e Partisë Demokratike dhe anëtarja e Këshillit, Ilirjana Kuçana, ka reaguar pas debatit publik që pati përpara kamerave me kreun e PD-së, Sali Berisha. Ajo akuzoi drejtuesen e Këshillit se ka shkelur statutin e partisë, pasi sipas saj nuk lexoi në nisje të mbledhjes një rezolutë të depozituar prej saj për afrimin e PD-së me protestën dhe luftën ndaj fenomenit që ajo e cilëson si “mulizim” brenda partisë.

Kuçana deklaroi se rezoluta duhet të ishte lexuar përpara anëtarëve të Këshillit dhe se vendimi për miratimin apo rrëzimin e saj i takon vetëm votës së këtij organi.

“Kam depozituar një rezolutë, të cilën kryetarja e ka detyrim ta lexojë. Rezolutën për ta votuar, nëse e voton ose jo Këshilli, mbetet në dorën e tyre. Kryetarja nuk mund ta fillojë detyrën duke shkelur statutin. Duhet ta lexojë rezolutën dhe ajo ka një votë, siç kam edhe unë; të gjithë janë të barabartë”, u shpreh Kuçana.

Sipas saj, një nga çështjet kryesore të rezolutës lidhet me marrëdhënien e PD-së me protestat dhe qytetarët që dalin në shesh. Ajo tha se partia duhet të jetë më pranë lëvizjeve qytetare dhe se pozicionet drejtuese nuk duhet t’u jepen personave që nuk kanë mbështetjen e bazës.

“PD duhet të lexojë sheshin. Njerëz që nuk i pranon sheshi nuk mund të katapultohen në pozicione”, deklaroi Kuçana.

Ajo tha se ka kërkuar që Këshilli Kombëtar të miratojë një rezolutë në mbështetje të protestës, si dhe krijimin e dy strukturave të reja: një grupi intelektualësh që të shërbejë si urë lidhëse mes protestës dhe partisë, si dhe një forumi me studentë dhe përfaqësues nga diaspora.

Duke folur për zhvillimet e brendshme në PD, Kuçana u ndal edhe te ajo që e quajti “mulizim” të partisë, duke e cilësuar si një fenomen që duhet luftuar.

“Mulizimi klanor i PD-së. Nuk mundet që në PD, kush do karrierë, duhet të mbështetet nga Muli, duhet të kalojnë nga zyra e Flamur Nokës. Ka ardhur momenti që PD të kthehet në meritokraci”, tha ajo.

Kuçana u bëri thirrje anëtarëve të Këshillit që, sipas saj, të mbështesin kandidatë të shkëputur nga klanet dhe jo persona të lidhur me grupime të caktuara brenda partisë.

Ajo shtoi se ka depozituar edhe kërkesa të tjera, të cilat nuk i ka bërë publike për shkak të etikës, por paralajmëroi se do t’i bëjë të ditura nëse zëri i saj nuk dëgjohet brenda strukturave të PD-së.

“Në momentin që në forum nuk më dëgjohet zëri, jam i detyruar të dal ta bëj me dije edhe për shqiptarët. Në momentin që PD nuk do të dëgjojë anëtarët e Këshillit, është një problem i madh. PD duhet të afrohet me protestën”, përfundoi Kuçana.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Përplasje verbale në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, Kuçana çohet dhe kundërshton propozimet e Berishës në sallë! Kreu i PD: Ilirjana qetësohu

Këtë të mërkurë në mbledhjen Këshillit Kombëtar të PD-së pas përfundimit të propozimeve për ekipin drejtues nga Kreu i PD-së Sali Berisha ka pasur një...
19:18 | 15/07/2026

LISTA/ Berisha propozon emrat e ekipit drejtues, nga Sekretari i Përgjithshëm, nënkryetarët deri tek drejtuesi i diasporës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paraqitur sot para Këshillit Kombëtar propozimet për ekipin e ri drejtues të partisë, të cilat do t’i nënshtrohen...
19:07 | 15/07/2026

Korreshi flet për gazetarët për garën përballë Nokës si Sekretari i Përgjithshëm: Vendimin e mora sot

Gara për sekretarin e përgjithshëm të Partisë Demokratike u zgjerua në momentet e fundit, pasi Saimir Korreshi vendosi të kandidojë përballë Flamur Nokës për këtë...
18:51 | 15/07/2026