Kurti: Pa dorëzimin e Radoiçiçit s’ka dialog

28 Qershor 2024 | 15:19

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se tri kushtet që ai vendosi në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, janë ato që garantojnë procesin e normalizimit me Serbinë.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se pa dorëzimin e Millan Radoiçiçit dhe grupit të tij, që kreu sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, tek autoritetet e Kosovës s’mund të ketë mirëbesim në dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Tridhjetë e nëntë persona të atij grupi, nga 47 të identifikuar qartë ndodhen në listën e kërkimit ndërkombëtar nga INTERPOL-i. Për aq kohë sa Radoiçiç dhe grupi i tij janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi, nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim”, tha Kurti.

Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – mori përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Në sulm mbeti i vrarë një rreshter, ndërkaq gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

Radoiçiç besohet se ndodhet në Serbi.

Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

Në rundin e dialogut, të mbajtur më 26 qershor, Bashkimi Evropian tha se Kurti nuk ishte i gatshëm për një takim trepalësh me ndërmjetësit evropianë dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, pas takimit tha se Kurti paraqiti tri kushte, të cilat Vuçiq nuk ishte i gatshëm t’i pranonte plotësisht.

Përveç dorëzimit të Radoiçiçit, Kurti ka kërkuar që Serbia të tërhiqet nga letra që kishte dërguar në bllokun evropian ish-kryeministrja Ana Bërnabiç, përmes së cilës Beogradi shprehu rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve. Kurti ka kërkuar që kjo marrëveshje, e arritur vitin e kaluar të nënshkruhet.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se vetëm nënshkrimi i marrëveshjes – që sipas BE-së është ligjërisht e obligueshme për palët – garantohet zbatimi i saj.

“Në tri takime dypalëshe sa u zhvilluan të mërkurën ne paraqitëm këto tri kërkesa të garancisë, që në fakt janë mburojë për vetë Marrëveshjen Bazë e cila është nën sulm të vazhdueshëm nga Serbia. Presidenti i Serbisë nuk ishte i gatshëm të respektojë asnjë. Pra, as të nënshkruajë marrëveshje, as të tërheqë letrën për refuzimin e saj, por as ta dorëzojë kryekriminelin Radoiçiç”, tha Kurti.

“Nënshkrimi i marrëveshjes do të nënkuptojë formalizimin, tërheqja e letrës së Bërnabiç do të nënkuptojë seriozitet për fillim të zbatimit, kurse dorëzimi i kriminelit Radoiçiç dhe grupit të tij paramilitar do të nënkuptojë vendosje të drejtësisë dhe bashkëpunim të mirë fqinjësor”, shtoi kryeministri i Kosovës.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kurti në Greqi: Demokracitë duhet të fuqizohen përballë autokracive dhe sfidave globale

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në edicionin e 28-të të Simpoziumit SYMI që po zhvillohet në Greqi, me temën “Achilles’...
16:44 | 07/07/2026

Policët kosovarë i çojnë të fala Trumpit, i japin dhurata pastorit amerikan

Disa policët kufitarë kosovarë i dërguan të fala presidentit amerikan, Donald Trump, përmes këshilltarit dhe mikut të tij pastorit Mark Burns, të cilin e befasuan...
16:41 | 07/07/2026

Gjykata Supreme rrëzon ankesat, hapet rruga për certifikimin e zgjedhjeve në Kosovë

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuara pesë ankesat e paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke i...
16:13 | 07/07/2026