LIVE- Dita e 27-të e protestës në Tiranë, qytetarët nisin marshimin në rrugët e Tiranës
Ashtu si çdo ditë tjetër, edhe këtë të premte po zhvillohet protesta e aktivistëve dhe qytetarëve në Tiranë, e cila ka hyrë në ditën e 27-të radhazi të saj, ndërsa kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë.
Protestuesit shihen me pankarta dhe flamuj në duar teksa vijonë thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit, dhe të disa kërkesave që ata kanë parashtruar këto ditë.
Pas fjalimeve para Kryeministrisë, qytetarët nisën marshimin e natës në rrugët e kryeqytetit.
Hitaj: Nëse protesta vazhdon edhe dy javë, PS dhe PD do të luftojnë për vendin e dytë në Tiranë
Gazetari Arbër Hitaj u shpreh se është ende herët për të pritur që protesta e nisur në Tiranë të sjellë ndryshime të menjëhershme politike, por sipas tij, lëvizja po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje dhe mund të ketë ndikim të rëndësishëm në skenën politike.
I ftuar në emisionin Review në Euronews Albania, Hitaj tha se nuk është realiste të kërkohet që një protestë 27-ditore të rrëzojë një qeveri që ka qenë në pushtet prej 13 vitesh apo të ndryshojë një sistem politik të ndërtuar ndër dekada.
“Po rritet një lëvizje, një embrion shumë i fortë dhe shumë cilësor. Duhet t’i japim kohë, sepse presioni është shumë i madh. Nuk mund t’u kërkojmë të rinjve që në 27 ditë të bëjnë ndryshimin e 30 viteve”, u shpreh ai.
Sipas Hitajt, protesta ka arritur të bashkojë grupe dhe kategori të ndryshme qytetarësh, nga mbështetës të partive të reja, ambientalistë dhe aktivistë, deri te qytetarë të pakënaqur me partitë tradicionale.
Gazetari bëri edhe një parashikim politik, duke deklaruar se nëse protesta vijon të paktën edhe dy ose tre javë, ajo mund të ndryshojë ndjeshëm raportet elektorale në kryeqytet.
“Unë besoj se, nëse kjo lëvizje vazhdon edhe dy ose tre javë, PS-ja dhe PD-ja do të luftojnë kush do të jetë e dyta për Bashkinë e Tiranës. Kjo është intuita ime si gazetar”, deklaroi Hitaj.
Ai sqaroi se nuk është pjesë e grupit organizator dhe nuk ka kontakte me organizatorët e protestës, ndërsa theksoi se vlerësimi i tij bazohet në zhvillimet që po vëren në terren dhe në intuitën e tij profesionale.
Pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit marshojnë në rrugët e kryeqytetit në ditën e 27-të të protestës
Pasi qëndruan për rreth dy orë para Kryeministrisë, ku disa prej tyre mbajtën fjalime, protestuesit nisën marshimin e natës në rrugët e kryeqytetit, me pankarta kundër qeverisë në duar.
Thirrjet e tyre vijuan pa ndërprerje gjatë marshimit, ku dominonin, “Rama jepe dorëheqjen”, “Shqipëri etnike”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Revolucion”.
Disa ditë më parë grupi organizator publikoi pesë kërkesat kryesore të lëvizjes të cilat u rilexuan dhe sot, mes të cilave dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë, si dhe krijimi i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
Dita e 27-të, protestuesja parashtron sërish 5 kërkesat para Kryeministrisë
Me mbledhjen e tyre në këtë ditë të 27-të të protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, qytetarët kanë parashtruar sërish kërkesat e tyre ndaj qeverisë. Një nga pjesmarrëset në këtë tubim, ka mbajtur fjalën në podium duke listuar pesë kërkesat.
Kërkesa e parë është dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit dhe e qeverisë.
Së dyti, protestuesit kërkojnë krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
Kërkesa e tretë lidhet me ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor. Në këto ndryshime përfshihen ndryshimi i Kodit Zgjedhor, ndryshimi i ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, si dhe kufizimi i ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
Paralelisht, organizatorët kërkojnë anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për Zonat e Mbrojtura, anulimin e ndryshimeve në ligjin për Trashëgiminë Kulturore, shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për Investimet Strategjike.
Kërkesa e pestë parashikon hartimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila sipas organizatorëve do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.
Rama në ditën e 27-të të protestë publikon mesazhin e mbështetësit: Dorëhiqu Kryeministër se e bëre Shqipërinë të njohur ndërkombëtarisht
Kryeministri Edi Rama gjithashtu ka reaguar ditën e sotme përmes një postimi në rrjetet sociale në ditën e 27-të të protestës qytetare që po zhvillohet në Tiranë, ku protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë së tij. Rama ka publikuar një status ku shihet mesazhi i një mbështetësi i cili ironizon kërkesat e protestuesve.
Në postimin e publikuar këtë mëngjes, Rama shkruan:
“MIRËMËNGJES
dhe me kërkesën e mëposhtme për dorëheqje nga një numër i panjohur, të cilën e mirëkuptoj plotësisht duke e pranuar përulësisht, ju uroj një ditë të qetë”
Më pas, kryeministri ka ndarë atë që e quan “𝗠𝗮𝗻𝗶𝗳𝗲𝘀𝘁𝗶 𝗶 (𝘀)𝗱𝗼𝗿ë𝗵𝗲𝗾𝗷𝗲𝘀!”, ku rendit një sërë zhvillimesh që, sipas tij, përfaqësojnë arritjet e qeverisë dhe ironizon kërkesat për largimin e tij nga detyra.
Dita e 27-të e protestës në Tiranë, aktivistët dhe qytetarët nisin marshimin drejt Kryeministrisë
Ka nisur marshimi i qytetarëve nga sheshi “Skënderbej” drej Kryeministrisë edhe këtë të premte kur regjistrohet dita e 27-të e protestës.
Grumbullimi i qytetarëve nisi në orën 19:00 dhe pas pak minutash ata u nisën drejt Kryeministrisë. Ata shihen me pankarta dhe flamuj në duar teksa vijonë thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Qytetarët shfaqin videon e ministres Diella në murin e Kryeministrisë: Deklaroj dorëheqjen, radha juaj Rama
Aktori Mehdi Malkaj në protestë: Nuk ka gjë më të bukur se Shqipëria, ta duam atdheun tonë
Eurodeputetja italiane e pranishme në protestë: Europa nuk është në Bruksel, është këtu
- 21:12 Qytetarët shfaqin videon e ministres Diella në murin e Kryeministrisë: Deklaroj dorëheqjen, radha juaj Rama
- 21:11 Aktori Mehdi Malkaj në protestë: Nuk ka gjë më të bukur se Shqipëria, ta duam atdheun tonë
- 20:47 Eurodeputetja italiane e pranishme në protestë: Europa nuk është në Bruksel, është këtu
- 20:35 Hungari, centrali bërthamor i Paksit uli prodhimin për shkak të mbinxehjes së ujërave të Danubit
- 20:26 Tërmeti në Venezuelë, avionë amerikanë me ndihma humanitare zbarkojnë në aeroportin e Karakasit
- 20:04 Njëri prej tyre kishte thyer këmbën, shpëtohen dy turistët e bllokuar në Kanionet e Gjipesë (VIDEO)