LIVE| Protestuesit lënë sheshin para Kryeministrisë dhe nisin marshimin në rrugët e Tiranës

11 Qershor 2026 | 17:36

Për të 12-ën ditë me radhë, duke filluar prej orës 18:00, qytetarët u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë për të protestuar kundër qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.

Ashtu si në ditët e mëparshme, grumbullimi i protestuesve u bë në sheshin “Skënderbej”, nga ku më pas ata marshuan drejt godinës së qeverisë.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë së tij, ndërsa në tubime marrin fjalën qytetarë të ndryshëm dhe aktivistë.

Pas qëndrimit në shesh, protestuesit vijojnë marshimin në formë kolone në disa akse të Tiranës, në kuadër të asaj që organizatorët e kanë quajtur “Revolucioni i Flamingove”.

Prej 12 ditësh, protesta është zhvilluar në mënyrë paqësore dhe nuk janë raportuar incidente, ndërsa sot u vu re një numër më i vogël pjesëmarrësish se në ditët e mëparshme.

Një ditë më parë, tubimit iu bashkuan edhe mbështetës dhe ish-deputetë të Partisë Demokratike.

Organizatorët kanë deklaruar se do të vijojnë protestat çdo ditë nga ora 18:00, deri në plotësimin e kërkesave të tyre, mes të cilave përfshihet edhe anulimi i ligjeve që, sipas tyre, lidhen me mjedisin, natyrën dhe zonat e mbrojtura.

Protesta përmbyllet çdo ditë me marshim në rrugët e Tiranës, ku kolona e protestuesve shtrihet deri në rreth dy kilometra.

10 Updates
21:00

Protestuesit nisin marshimin në rrugët e Tiranës

Pasi qëndruan për mbi dy orë përpara Kryeministrisë, ku të pranishmit mbajtën edhe fjalime, qytetarët ndezën dritat e telefonave dhe më pas nisën marshimin në rrugët e Tiranës.

Kjo e enjte shënon ditën e 12-të të protestës së aktivistëve dhe qytetarëve ku kërkesa kryesore mbetet ajo për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

🔗 Shpërndaje
19:30

Protestuesi: Kjo është lufta për të mbrojtur Shqipërinë që duam t’u lëmë fëmijëve

Në ditën e 12-të të protestës, një nga protestuesit u shpreh se tubimi fillimisht nisi si “revolucioni i flamingove”, por sipas tij, tashmë ka marrë një dimension më të gjerë.

“11 ditë më parë kjo nisi si revolucioni i flamingove. Kjo nuk është më çështja e flamingove, e Zvërnecit apo e Nartës, kjo është çështja e të drejtës sonë për t’u dëgjuar. Kjo është çështja e Shqipërisë që duam t’ua lëmë fëmijëve tanë. Lufta për të mbrojtur natyrën është një luftë që nuk mbaron kurrë. Këtu jemi për të mbrojtur krenarinë. Është beteja e fundit për të mbrojtur identitetin tonë. Nuk do të ndalemi”, tha ai.

Ndërkohë, një protestuese u shpreh se vendi ka nevojë për një brez të ri drejtuesish, duke theksuar se, sipas saj, shumë të rinj shqiptarë të arsimuar në universitete prestigjioze jashtë vendit mund të qeverisin më mirë se klasa aktuale politike.

“Kam dy gjëra për të thënë: nëse vijnë emigrantët nga Italia dhe Gjermania, mos e pengoni. Kam kontaktet vetë. Dhe e dyta, Edi Rama të japë dorëheqjen, sepse janë këta të rinj emigrantë që kanë studiuar në shkolla të botës dhe mund ta qeverisin më mirë se ti. Një Shqipëri të bukur, të lirë, pa korrupsion. Merr shokët dhe largohuni, me atë tjetrin që keni 35 vite. Ti je aty me njerëz të paaftë, që kanë marrë diploma me kafe. Këta janë antishqiptarët më të mëdhenj që mund të ketë pasur ndonjëherë Shqipëria”, u shpreh ajo.

 

🔗 Shpërndaje
19:17

Protestuesi para Kryeministrisë: Duam një sistem të ri

Para Kryeministrisë kanë nisur fjalimet e protestuesve, ku një prej tyre tha se kërkesat e tyre lidhen me ndryshime më të thella politike dhe përfaqësim më të mirë të qytetarëve.

“Ne jemi makthi i tyre, prej 12 ditësh i ka kapur frika. Ne duam një sistem të ri. Pa rini nuk ka Shqipëri”, u shpreh një protestues. Ne duam një sistem të ri, duam të dëgjohemi, ne jemi fillimi i ri, ne jemi Shqipëria e re”, deklaroi ai.

🔗 Shpërndaje
18:30

Aktivistët dhe qytetarët nisin marshimin drejt Kryeministrisë

Megjithëse në një numër më të vogël se në ditët e mëparshme, edhe këtë të enjte, në ditën e 12-të të protestës, aktivistë dhe qytetarë, pasi u mblodhën rreth orës 18:00 në sheshin “Skënderbej”, u nisën drejt Kryeministrisë me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “ju erdhi fundi”.

🔗 Shpërndaje
13:14

Tabaku: Protesta është kundër sistemit që punon për pakicën, jo vetëm për një projekt të vetëm

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, mori fjalën për procedurë në seancën plenare të Kuvendit, ku foli për protestën qytetare që prej 11 ditësh po zhvillohet në Tiranë. Ajo tha se ka qenë pjesë e protestës që në ditën e parë, duke dëgjuar nga afër shqetësimet e qytetarëve që sipas saj po shprehin revoltën ndaj një sistemi të padrejtë ekonomik dhe politik.

Sipas Tabakut, protesta nuk ka të bëjë vetëm me një projekt apo me çështjen e Zvërnecit, por me një pakënaqësi më të gjerë ndaj modelit të qeverisjes që, sipas saj, ka favorizuar pakicën në kurriz të shumicës.

“Shqiptarët e kanë kuptuar të vërtetën shumë më herët se politika. Ata e ndjejnë çdo ditë kur paguajnë faturat, kur bëjnë llogaritë në fund të muajit dhe kur përballen me një sistem që nuk funksionon për ta”, u shpreh ajo.

Tabaku argumentoi se mosbesimi ndaj projekteve të mëdha buron nga fakti se qytetarët nuk besojnë më se ligji zbatohet njësoj për të gjithë. Ajo kujtoi se prej vitesh ka kundërshtuar ligjin për Investimet Strategjike dhe ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura, duke paralajmëruar pasojat që sipas saj po shfaqen sot.

Deputetja e PD-së tha se tre vite më parë bashkëpunoi me organizatat e shoqërisë civile për të ngritur shqetësimet mbi ndryshimet në Zonat e Mbrojtura pranë institucioneve europiane, ndërsa kujtoi se kundërshtimi ndaj ligjit të Investimeve Strategjike daton prej më shumë se një dekade.

Sipas saj, ligji i Investimeve Strategjike, i miratuar fillimisht si masë e përkohshme, është kthyer në një mekanizëm të përhershëm që ka prodhuar miliona metra katrorë leje ndërtimi, por shumë pak investime të huaja reale.

“Një ligj që lindi si i përkohshëm është kthyer në të përhershëm. Ka prodhuar miliona metra katrorë ndërtime dhe vetëm një investitor të huaj”, deklaroi Tabaku.

🔗 Shpërndaje
13:04

Projekti në Zvërnec, flet Ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj në Kuvend

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, mbrojti në Kuvend projektin e investimit në Zvërnec gjatë një interpelance me deputetët e opozitës, duke theksuar se angazhimi i qeverisë për mbrojtjen e natyrës është i padiskutueshëm dhe i matshëm.

Sipas ministrit, pretendimet se procedurat mjedisore janë anashkaluar nuk qëndrojnë, pasi projekti është përfshirë në procedurën e thelluar të vlerësimit të ndikimit në mjedis, niveli më i lartë i parashikuar nga legjislacioni shqiptar.

“Projekti do t’i nënshtrohet një analize të plotë. Vendimmarrja mjedisore do të mbështetet mbi evidencën shkencore, studimet dhe vlerësimet profesionale”, deklaroi Jaupaj.

Duke iu referuar statusit të zonës së mbrojtur ku parashikohet investimi, ministri sqaroi se zona Pishë-Poro klasifikohet si peizazh i mbrojtur i kategorisë V, një status që, sipas tij, nuk përjashton zhvillimin ekonomik dhe social, por kërkon që ai të realizohet në përputhje me kriteret ligjore dhe mjedisore.

Jaupaj theksoi se filozofia e kësaj kategorie mbrojtjeje bazohet te bashkëjetesa mes natyrës dhe aktiviteteve njerëzore, duke shtuar se ligji nuk vendos ndalime absolute, por përcakton kushtet që duhet të respektohen gjatë zbatimit të projekteve.

Në përgjigje të shqetësimeve për përputhshmërinë me standardet europiane, ministri tha se Bashkimi Europian nuk ndalon automatikisht zhvillimin në zona të mbrojtura, por kërkon respektimin e direktivave për habitatet dhe shpendët.

“Legjislacioni europian kërkon vlerësim të përshtatshëm të ndikimit që mund të ketë një projekt dhe jo ndalim automatik të tij”, u shpreh ministri.

🔗 Shpërndaje
12:07

“Rama jepe dorëheqjen”, deputetët e PD nisin thirrjet në Kuvend

Deputetët demokratë gjatë seancës në Kuvend kanë ndërprerë fjalën e deputetit Ulsi Manja teksa një zëri kanë bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

“Rama jepe dorëheqjen”, dëgjohen deputetët demokratë teksa mbajnë në tavolinë pankarta të ndryshme.

Nga tjetër Manja reagoi duke lëvizur duart në shenjë si një dirigjent. Pas disa çastesh thirrje, kryeparlamentari, Niko Peleshi u kërkoi të ndalojnë thirrjet ose do të merrte vendimin për pushim që ata të vijojnë thirrjet e tyre.

“Ose vijojmë seancën ose ju jap gjysmë ore kohë të këndoni të gjitha këngët e protestës dhe të gjitha parullat”, tha Peleshi.

🔗 Shpërndaje
11:13

Debat në Kuvend. Shehaj: Në koshin e plehrave do t’iu hedhin! Replikon Balla: Protesta s’ka lidhje me ty

Seanca në Kuvend ka vijuar me tone dhe debate të forta. Pas replikave më deputeten demokrate Ina Zhupa, Taulant Balla ka replikuar edhe me kreun e Partisë Mundësia, Agron Shehaj. Shehaj gjatë fjalës së tij me tone të larta i kërkoi kryeparlamentarit, Niko Peleshi që të zbatojnë ligjet dhe rregulloret.

Ai foli edhe lidhur me protestën teksa theksoi se Balla i tall ata teksa hodhi akuza se qeveria ka vjedhur shqiptarët ndër vite.

“Zbatoni ligjet e Kushtetutën. I shihni njerëzit që kanë dalë apo jo. Ju kalojnë afër shtëpisë apo jo. Janë me dhjetëra mijëra, del Taulanti dhe i tall. Keni shitur Shqipërinë dhe interesin e shqiptarëve në 35 vite, kanë dalë në shesh shqiptarët. Kuvendi duhet të shkrihet nuk ju duan më njerëzit duhet të vijnë t’ju marrin zvarrë.

Taulant kujdes kur kalon afër koshit të plehrave se mund të të marrin e t’ju fusin atje siç kanë bërë në vende të tjera. Do të mbahet mend si qershori i protestave. Mjaft i injoruat dhe ua nxitë jetën qytetarëve. Kur populli ngrihet duhet të shkohet në zgjedhje”, tha ai.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla u përgjigj duke e cilësuar si një zhurmues në Kuvend. Ai shtoi se shkon në protestën e qytetarëve për të bërë selfie dhe se protesta s’ka lidhje me të.

“Ti je një hajdut. I vodhe PD listën e anëtarësisë. Zoti kryetar mund të tërhiqet vëmendja e një zhurmuesi që shkon dhe bën selfie në një protestë. Protesta s’ka lidhje me ty.

Ti je mësuar që për një protestë që bëhet në Shqipërisë shkon natën dhe i thua investitorit më sponsorizo që mos ta përmend emrin. Ti je hajdut të dhënash personale. Je gjobaxhi. Luli mund të bëhet i penduar, mund të tregojë se sa pagoi që të të fuste në listë”, tha ai.

🔗 Shpërndaje
10:43

Replika në Kuvend. Zhupa: Realiteti kërkon dorëheqjen e Ramës, Balla: Fjalim i një flamingo nga Temu

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla gjatë fjalës së tij në Kuvend ka komentuar fjalimin e deputetes demokrate, Ina Zhupa. Ai u shpreh se fjalimi ishte si i një flamingo nga Temu. Balla ndër të tjera ngriti pyetjen se përse kanë propozuar 4 projekligje ndërsa disa ditë më parë ata deklaruan se ishin pro investimeve.

“Ky ishte fiks një fjalim i një flamingo nga Temu. Edhe më pelqen shumë që keni disa ditë që ju zogjtë e bufit ju duket vetja flamingo, keni filluar të silleni si flamingo. Kush iu ka komanduar, autorizuar, bëni zhurmë sa të doni. Shkoni edhe në protestë po deshët, vidheni edhe po deshët protestën.

Sa i përket 4 ligjeve që keni sjellë ne jemi kundra. Jemi kundra dhe do t’i rrëzojmë ato sepse jemi votuar për ta zhvilluar Shqipërinë. Ju javën e kaluar dolët me bufin e madhe e thatë se jeni pro investimit, tani kush është qëllimi i 4 projektligjeve.

Tani jeni pro apo kundër, cili është qëllimi i këtyre projektligjeve? Ne jemi pro investimit, dhe do të bëhet. Shqipëria nuk e ka luksin të humbi 4 miliardë sepse e dini, pse bëheni kaq qesharak”, tha ai ndër të tjera.

Zhupa gjatë fjalës së saj se çështja e parë që duhet adresuar është paketa e integrimit dhe e shfuqizimit të ligjit. Ajo ndër të tjera foli për protestën e qytetarëve.

“Ky Kuvend nuk mund të jetë në një botë paralele, nga bota e realitetit që po ndodh në Shqipëri. Se kush është prioritet i ditës. Çështja e parë që duhet adresuar është paketa e integrimit, e shfuqizimit të ligjit, që e kanë dhuruar Shqipërinë te oligarkët. E kanë trajtuar zhvillimin, kur do dhe si do Edi Rama. Kjo nuk është as Shqipëria europiane, dhe as ajo që duan shqiptarë.

Në fakt është i vetmi projektligj në kalendar se kur do të shqyrtohet, për të mbrojtur trashëgiminë kulturore. Edhe ça bëni ju? E lini pa data. Realiteti kërkon dorëheqjen e Ramës, një qeveri tranzitore, një parlament që miraton shfuqizimin e ligjeve, një parlament që nuk i anatemon protestuesit. Që s’i numëron ata me syzet e miopit, por me të realitetit.

Nëse mendoni se mandatet tuaja vijnë nga qytetarët, përgjigjuni atyre, nëse mendoni se vini nga Rama, mos iu përgjigjeni. Por do të merrni nga ata përgjigjen, siç e shikoni që do të jenë më shumë, më të qartë, për të kërkuar që kjo qeveri, dhe kjo makutëri, kjo sjellje harbute, duke shkelur interesin publik dhe të brezave të ardhshëm, të ndalojë”, tha ajo.

🔗 Shpërndaje
10:30

Deputetët e PD-së vendosin pankartën në hyrjen e Kuvendit: Kur rinia çohet, qeveria rrëzon

Deputetë të Partisë Demokratike janë paraqitur këtë të enjte në Kuvend të pajisur me pankarta, duke sjellë në ambientet e Parlamentit mesazhet e protestave që po zhvillohen në vend.

Ata kanë ngjitur në xhamin e derës kryesore të Kuvendit një pankartë ku shkruhet: “Kur rinia çohet, qeveria rrëzohet”.

Veprimi i deputetëve opozitarë vjen në një kohë kur protestat kundër projektit në Zvërnec kanë hyrë në ditën e 11-të.

🔗 Shpërndaje
Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Jep dorëheqjen rektori i universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” Tonin Gjura

Rektori i universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” Tonin Gjuraj  ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme. Gjuraj ka dorëzuar dorëheqjen e parevokueshme pranë ministres së Arsimit Mirela...
20:11 | 11/06/2026

Protestuesi: Kjo është lufta për të mbrojtur Shqipërinë që duam t’u lëmë fëmijëve

Në ditën e 12-të të protestës, një nga protestuesit u shpreh se tubimi fillimisht nisi si “revolucioni i flamingove”, por sipas tij, tashmë ka marrë...
19:45 | 11/06/2026

Protestuesi para Kryeministrisë: Duam një sistem të ri

Para Kryeministrisë kanë nisur fjalimet e protestuesve, ku një prej tyre tha se kërkesat e tyre lidhen me ndryshime më të thella politike dhe përfaqësim...
19:17 | 11/06/2026