Macron udhëheqësve evropianë: Rusia “nuk duhet të fitojë”
Presidenti francez Emmanuel Macron u tha homologëve evropianë të hënën se duhet të garantojnë sigurinë e tyre kolektive duke ofruar mbështetje të palëkundur për Ukrainën, përballë ofensivave më të ashpra ruse në fushëbetejë gjatë muajve të fundit.
“Jemi në procesin e garantimit të sigurisë tonë kolektive, për sot dhe për nesër”, tha zoti Macron ndërsa priti 20 drejtues të qeverive dhe shteteve evropiane, si dhe zyrtarë të tjerë perëndimorë në Paris, në shenjë uniteti për Ukrainën, ndërsa sulmi frontal i Rusisë hyn në vitin e tretë.
“Rusia nuk mundet dhe nuk duhet ta fitojë atë luftë”, tha zoti Macron në takimin në pallatin presidencial, ku morën pjesë kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti polak Andrzej Duda, si dhe udhëheqës të tjerë nga vendet balltike.
“Gjatë muajve të fundit në veçanti, e kemi parë Rusinë të bëhet më e ashpër”, tha zoti Macron. “E dimë gjithashtu se Rusia po përgatit sulme të reja, në veçanti për të shokuar opinionin publik ukrainas”.
Zoti Macron përmendi nevojën për të forcuar sigurinë për të shmangur sulme të mëtejshme ruse ndaj vendeve të tjera në të ardhmen. Estonia, Lituania dhe Letonia, si dhe vendi shumë më i madh Polonia, janë konsideruar ndër objektivat e mundshëm të ekspansionizmit të ardhshëm rus. Të katër këto vende janë mbështetëse të vendosura të Ukrainës.
Ministri i jashtëm i Estonisë tha më herët këtë muaj se NATO ka rreth tre-katër vite kohë për të forcuar mbrojtjen e saj.
Në një fjalim të transmetuar me video, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u bëri thirrje udhëheqësve të mbledhur në Paris “të sigurohen që Putini të mos mundet të shkatërrojë arritjet tona dhe të mos zgjerojë agresionin e tij ndaj vendeve të tjera”.
Një zyrtar i lartë francez tha se konferenca nuk synon arritjen e angazhimeve të reja për sa i përket dërgesave të armëve dhe ndihmës financiare, por një koordinim më të mirë të mbështetjes për Kievin dhe për t’u siguruar se do të përmbushen zotimet e dhëna për ndihma. Zyrtari francez foli në rrethana anonimiteti.
Shtetet e Bashkuara u përfaqësuan në takimin e Parisit nga kryediplomati për Evropën, James O’Brien, dhe Britania nga Sekretari i Jashtëm, David Cameron.
Vendet evropiane janë të shqetësuara se Shtetet e Bashkuara do të ulin mbështetjen, ndërsa ndihma për Kievin është pezull në Kongres. Ata gjithashtu kanë shqetësime se një rikthim i ish presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, mund të ndryshonte kursin e politikës amerikane në Evropë.
Konferenca e Parisit ndodh pasi Franca, Gjermania dhe Britania nënshkruan rishtazi marrëveshje dypalëshe 10-vjeçare me Ukrainën, me qëllim dhënien e një sinjali të fortë mbështetjeje afatgjatë, ndësa Kievi punon për të rritur mbështetjen perëndimore.
LEXONI GJITHASHTU:
Rubio: SHBA-ja është “e harmonizuar” me aleatët në Gjirin Persik sa i përket Iranit
Bitcoin bie nën 60,000 dollarë mes presionit në tregjet globale
Trump: Irani po bën lëshime të mëdha
- 22:38 Meloni: Udhëheqësit evropianë duhet të forcojnë komponentin evropian të NATO-s
- 22:35 Protestat në Tiranë, Gjyli: Mendimi ndryshe po përballet me linçim në rrjete sociale
- 22:33 Karamuço: Është premtuar një dosje për prapavijat e protestës, do bëhet publike
- 22:24 Analisti Lita: Protestat në Tiranë do të vazhdojnë deri në mbylljen e tranzicionit
- 22:09 “Vajza e maskuar që hoqi flamurin izraelit”, Karamuço: E stërvitur, hyri nga Shtëpia me Gjethe…
- 21:50 Fermerët e kastravecit në Elbasan, diferenca mes fermës dhe tregut rrit pakënaqësinë e prodhuesve