Mal i Zi, Gjukanoviç akuzohet se nuk ka deklaruar koleksionin e orëve luksoze
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit konstatoi më 25 nëntor se ish-presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, nuk ka deklaruar një pjesë të pasurisë së tij të luajtshme – koleksionin e orëve të dorës që zotëron, me vlerë rreth 200.000 eurosh.
Siç thuhet në raport, Agjencia ka analizuar fotografi të publikuara nga disa media malazeze, të bëra gjatë paraqitjeve të ndryshme publike të Gjukanoviçit ndër vite, teksa ai ushtronte funksionin e presidentit ose kryeministrit të Malit të Zi.
Fotografitë përfshinin edhe orë dore nga shtatë marka, secila nga to, sipas ekspertëve të provave digjitale, vlerësohet se kushtojë mes 8.000 dhe 59.000 euro.
Ekspertët e provave digjitale dhe të fushës ekonomiko-financiare analizuan fotografi në të cilat Gjukanoviç mban në dorë orët “Franck Muller”, “Cartier Pasha”, “Brequet Tourbilion”, “Roger Dubuis Excalibur”, “Rolex”, “Patek Philippe” dhe “Cartier Moonphase”.
“Agjencia, në procedurën e provave, ka konstatuar se fotografitë ku paraqitet ish-funksionari publik Millo Gjukanoviç me këto orë në dorë janë autentike dhe se ato nuk janë deklaruar në asnjërin nga raportet e cekura mbi të ardhurat dhe pasurinë si pronë sa i përket pasurisë së luajtshme”, thuhet në arsyetim.
Në përgjigjen e vitit 2021, Gjukanoviç ka deklaruar se pretendimet për “orë me vlerë marramendëse janë sensacionalizëm dashakeq”.
Ai ka theksuar gjithashtu se një pjesë të orëve nuk i ka pasur kurrë në pronësi, ndërsa orën “Brequet Tourbilion” e zotëron “që nga vitet ’90 si dhuratë nga një person i afërt, para se të merrja funksion publik”.
Agjencia në vendimin e saj ka deklaruar se nuk e pranoi arsyetimin e Gjukanoviçit.
“Agjencia nuk ka pranuar pretendimin e pakonfirmuar se njëra nga orët është dhuratë nga një periudhë e mëhershme, pasi kjo nuk është mbështetur me asnjë provë, dhe sipas ekspertëve të provave digjitale, një model i tillë i orës nuk ekziston”.
Millo Gjukanoviç ka ushtruar funksionet më të larta shtetërore në Mal të Zi që nga fillimi i viteve ’90.
Partia e tij, Partia Demokratike e Socialistëve, ka udhëhequr të gjitha qeveritë deri në vitin 2020, kur humbi pushtetin ndaj një koalicioni të përbërë nga Fronti Demokratik pro-rus, Demokratët dhe Lëvizja Ura.
Gjukanoviç e përfundoi mandatin e tij presidencial në vitin 2023, kur u mund nga presidenti aktual, Jakov Millatoviç.
Radio Evropa e Lirë i ka dërguar kërkesë Zyrës së ish-presidentit duke kërkuar koment mbi vendimin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, por nuk ka marrë përgjigje.
Gjukanoviç mund të nisë procedurë administrative kundër vendimit të Agjencisë brenda 20 ditësh.
Sekretari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së thirrje emigrantëve: Të kërkojnë status të përhershëm ose të largohen
Protestë masive në qendër të Serbisë, dominojnë mesazhet për Kosovën
Nga Tropoja në Sanremo, Azgan Haklaj dhe e bija emocionojnë publikun me vallen shqiptare
- 11:10 Drejtori i shkollës së Magjistraturës: Media duhet të raportojë me kujdes çështjet gjyqësore, perceptimi shpesh zë vendin e provës
- 11:03 Kosova në qendër të protestës antiqeveritare në Kralevë të Serbisë
- 11:00 Kompania spanjolle anulon 320 shërbime me trena, mijëra udhëtarë në vështirësi për shkak të një greve
- 10:51 “Ligjet nuk mjaftojnë”, Gonzato-magjistratëve të rinj: Duhet të ndryshojë mendësia në institucionet e drejtësisë
- 10:46 Sadushi mesazh magjistratëve të rinj: Drejtësia kërkon integritet, paanshmëri dhe përgjegjësi publike
- 10:42 Komisionerët evropianë do vizitojnë Turqinë përpara samitit të NATO-s