Mandati i Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj i drejtohet “Venecias”
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ka njoftuar këtë të martë se do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për të kërkuar një interpretim mbi vijimin e mandatit të saj në krye të Gjykatës Kushtetuese.
Në një njoftim për shtyp, Kryetarja Zaçaj ka sqaruar se ajo ka filluar detyrën si anëtare e Gjykatës Kushtetuese më 25 janar 2023 dhe ka pasuar në këtë post ish-gjyqtaren Vitore Tusha, e cila ka përfunduar mandatin e saj më 10 mars 2017. Ajo ka theksuar se, sipas Kushtetutës, një gjyqtare e zëvendësuar për të plotësuar mandatin e një gjyqtari të larguar duhet të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2025.
Në përputhje me këtë dispozitë kushtetuese, edhe Gjykata e Lartë ka konfirmuar zgjedhjen e saj për një mandat të pjesshëm deri në vitin 2025, por as Kushtetuta dhe as vendimi i Gjykatës së Lartë nuk përcaktojnë një datë të saktë për fundin e mandatit të saj. Holta Zaçaj ka shpjeguar se data 10 mars 2017, kur ka përfunduar mandati i Vitore Tushës, nuk mund të konsiderohet si data e përfundimit të mandatit të saj. Ajo ka kërkuar interpretim të qartë nga Komisioni i Venecias për këtë çështje, duke theksuar se kjo do të ndihmonte në zgjidhjen e situatave të ngjashme në të ardhmen.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ka siguruar opinionin publik se do të respektojë çdo vendim të Komisionit të Venecias, i cili do të bëhet publik dhe do të udhëzojë mënyrën e mbarimit të mandatit të saj.
NJOFTIMI I GJYKATËS KUSHTETUESE
Duke marrë shkas nga disa artikuj në media në lidhje me deklarimin e përfundimit të mandatit tim si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese, në konsideratë të përgjegjësive që më njeh ligji si Kryetare, për paraqitjen e kërkesës për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues, në vlerësimin tim, situata në lidhje me kohëzgjatjen e këtij mandati paraqitet si vijon:
Gjyqtarja Holta Zaçaj ka filluar të ushtrojë detyrën si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në datën 25 Janar 2023 dhe ka pasuar në detyrë gjyqtaren Vitore Tusha, e cila e kishte përfunduar detyrën si gjyqtare kushtetuese në datën 10 Mars 2017.
Mandati i gjyqtares Holta Zaçaj rregullohet nga neni 179, pika 3, i Kushtetutës, i cili parashikon se, me qëllim përtëritjen e rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin të cilit i mbaron mandati në vitin vitin 2017, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2025.
Mbi bazën e kësaj dispozite kushtetuese edhe Gjykata e Lartë në vendimin e saj nr. 2, datë 16.01.2023 ka deklaruar: “Zgjedhjen e Znj. Holta Zaçaj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese me mandat të pjesshëm deri në kryerjen e ripërtëritjes në vitin 2025.”.
Duke qenë se, as dispozita kushtetuese, për rrjedhojë as vendimi i Gjykatës së Lartë për zgjedhjen në detyrë të gjyqtares kushtetuese, nuk ka një datë të përcaktuar për përfundimin e kësaj detyre, bazuar në rregullat e përgjithshme juridike për llogaritjen e afateve, si afat fundor i ushtrimit të detyrës do të duhet të konsiderohet fundi i vitit 2025.
Data e përfundimit të detyrës së gjyqtarit paraardhës, në rastet kur ai ka përfunduar mandatin e plotë, nuk referohet nga Kushtetuta apo ligji si një ngjarje juridike, e cila përcakton edhe përfundimin e mandatit të gjyqtarit pasues.
Edhe në praktikën institucionale nuk rezulton të jetë zbatuar një rregull i tillë në përcaktimin e datës së përfundimit të ushtrimit të detyrës së gjyqtarëve kushtetues.
Për rrjedhojë, data 10 Mars 2017, që i referohet datës në të cilën gjyqtarja Vitore Tusha ka mbaruar detyrën e saj, nuk është përcaktuese për përfundimin e detyrës së znj. Holta Zaçaj si gjyqtare pasuese.
Pavarësisht sa më sipër, duke marrë parasysh rëndësinë e parimit të kohëzgjatjes së mandatit të gjyqtarit kushtetues, marrë shkas nga ky rast por edhe, eventualisht, për të paraprirë situata të ngjashme në të ardhmen, kam konsideruar t`i drejtohem menjëherë Komisionit të Venecias, si organ këshillimor, për marrjen e një opinioni amicus curiae në lidhje me interpretimin e afatit kushtetues të qëndrimit në detyrë të gjyqtarëve kushtetues në përgjithësi dhe, në veçanti, sipas parashikimeve të nenit 179, pika 3, të Kushtetutës.
Dëshiroj të garantoj opinion publik se, në cilësinë time si Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, do të ushtroj përgjegjësitë e mia për të vënë në lëvizje Gjykatën në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias, i cili, ashtu si edhe kërkesa për amicus curiae, do të bëhet publik.
Gjej rastin të sjell në vëmendje dhe të kërkoj nga çdo organ tjetër që të respektojë pavarësinë e gjyqtarëve kushtetues, si dhe të vetë Gjykatës Kushtetuese në ushtrimin e kompetencës për deklarimin e mbarimit të mandatit të këtyre gjyqtarëve.
Ashtu siç është theksuar edhe në jurisprudencën kushtetuese: “Garancia e kohëzgjatjes dhe paprekshmërisë së mandatit e mbron gjyqtarin nga ndikimet e forcave politike që mund të vijnë në pushtet. Vetëm një gjykatë e pavarur, të cilës i garantohet paprekshmëria e mandatit të anëtarëve të saj, mund të konsiderohet si një gjykatë që administron drejtësinë kushtetuese, në përputhje me parimet kushtetuese. Edhe pse mandati i gjyqtarit kushtetues ka kuptimin e një mandati të dhënë (jo të fituar nëpërmjet votës së zgjedhësve aktivë), parimi i pavarësisë nënkupton, gjithashtu, se gjyqtari, në momentin e emërimit, duhet të dijë kohëzgjatjen e këtij mandati, bazuar në rregullimet ligjore përkatëse dhe kjo kohëzgjatje nuk mund të lihet në diskrecion të organeve që e kanë emëruar/zgjedhur atë”. (Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 24, datë 09.06.2011, paragrafi 31).
LEXONI GJITHASHTU:
Një mbeti i vrarë dhe tjetri u plagos, zbardhen emrat e efektivëve që u qëlluan me armë në Maliq
Vrasja e policit në Korçë, kush është autori dhe si hapi zjarr ndaj efektivëve pasi i pikasi
Vritet një polic gjatë një operacioni në Maliq, plagoset një tjetër
- 09:11 SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh
- 08:50 Një mbeti i vrarë dhe tjetri u plagos, zbardhen emrat e efektivëve që u qëlluan me armë në Maliq
- 08:43 Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
- 08:40 Partia Demokratike në pushtet fiton zgjedhjet lokale në Korenë e Jugut
- 08:35 Vrasja e policit në Korçë, kush është autori dhe si hapi zjarr ndaj efektivëve pasi i pikasi
- 08:30 Kina ndalon hyrjen e katër deputetëve të Zelandës së Re pas vizitës në Tajvan