Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka ngritur shqetësimin për vazhdimin e aktiviteteve kriminale të grupit të udhëhequr nga Milan Radoiçiç, duke theksuar se ky grup përbën një kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë e Kosovës dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor. Sipas Maqedoncit, anëtarët e këtij grupi mbeten të lirë dhe vazhdojnë të mbështeten nga Beogradi, duke bërë që të jenë një faktor të rrezikshëm për stabilitetin e rajonit.
“Ky grup mbetet i organizuar dhe vazhdon të tregojë se paraqet një rrezik serioz, jo vetëm për Kosovën, por edhe për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Edhe pas tentativës për aneksimin e territorit të Kosovës në shtator 2023, ky grup ka vazhduar të funksionojë dhe të inkurajojë elementët e tij për të realizuar sulme të tjera brenda territorit të Kosovës,” u shpreh Maqedonci.
Ministri i Mbrojtjes theksoi gjithashtu se, pas sulmit të fundit në Ibër-Lepenc, grupi ka ndryshuar taktikat e tij, duke përdorur metodat e grupeve terroriste. Ai bëri të ditur se një prej qëllimeve të grupit është dëmtimi i infrastrukturës kritike të Kosovës, duke shkaktuar një krizë energjetike dhe destabilizuar vendin.
Kosova ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia dorëzimin e Milan Radoiçiç, ish-nënkryetarit të Listës Serbe, i cili është i lidhur me sulmin e dhunshëm në Banjskë më 24 shtator 2023. Megjithatë, Beogradi ka mohuar çdo lidhje me këtë sulm dhe aktivitetet e grupit të Radoiçiç.
LEXONI GJITHASHTU:
- Kurti: Radoiçiç dha urdhrin për sulmin në Zubin Potok, u financua nga Serbia
- Kurti këmbëngul: Do t’i përgjigjem Prokurorisë Speciale nëse vjen në Kryeministri