Marta Kos për herë të parë në Kosovë, zbulohet data e vizitës

9 Maj 2026 | 16:54

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, do ta realizojë vizitën e saj të parë në Kosovë të premten, më 15 maj.

Kjo është bërë e ditur nga burime joformale në institucionet evropiane për Radion Evropa e Lirë, ndërsa vizita pritet të konfirmohet zyrtarisht gjatë ditëve në vijim.

Kjo do të jetë vizita e parë e Kosit në Kosovë që kur mori detyrën e komisioneres për Zgjerim në Komisionin Evropian, më 1 dhjetor 2024.

Që prej marrjes së mandatit, ajo ka vizituar të gjitha shtetet e tjera të përfshira në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, si në Ballkanin Perëndimor, ashtu edhe në Partneritetin Lindor, disa prej tyre edhe më shumë se një herë.

Gjatë vitit 2025, mungesa e vizitës së saj në Kosovë është arsyetuar nga zyrtarët evropianë me mungesën e institucioneve funksionale në vend, për shkak të krizës politike që e ka shoqëruar Kosovën gjatë muajve të fundit.

Një vizitë e Kosit në Prishtinë ishte planifikuar për 12 mars, por ajo u anulua pasi ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 6 mars vendosi shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Megjithatë, sipas burimeve në Bruksel, tani vlerësohet se vizita duhet të realizohet pavarësisht situatës politike, pasi nuk pritet që gjendja në Kosovë të ndryshojë thelbësisht në një periudhë të shkurtër.

Në fund të prillit, Kos deklaroi në Parlamentin Evropian se pret të vizitojë së shpejti Kosovën për të diskutuar reformat që lidhen me Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

“Kemi hequr masat dhe presim që Qeveria të vazhdojë me reformat e nevojshme për të përfituar nga mbështetja e BE-së. Së shpejti do të qëndroj në Prishtinë për ta çuar përpara këtë çështje”, kishte deklaruar ajo.

Kosova më 16 prill mori 61.8 milionë euro parafinancim nga Bashkimi Evropian në kuadër të Planit të Rritjes, pasi ratifikoi marrëveshjet përkatëse dhe dorëzoi dokumentacionin e nevojshëm në Komisionin Evropian.

Pakoja e BE-së për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027 është në vlerë prej 6 miliardë eurosh. Sipas ndarjeve buxhetore, Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro, prej tyre 253 milionë euro grante dhe 629 milionë euro kredi.

Gjatë një seance në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian në prill, Kos foli edhe për pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

E pyetur nga raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, lidhur me kontaktet me shtetet mosnjohëse, ajo tha se zhvillimet në këtë drejtim janë “inkurajuese”, pa dhënë më shumë detaje.

Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008, gjë që konsiderohet pengesë për avancimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Haxhiu liron nga detyra prokurorët serbë të veriut

Presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu ka njoftuar se ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të 7 prokurorëve serbë që kishin dhënë dorëheqje...
10:14 | 21/07/2026

​Kosova mirëpret Kampionatin Ballkanik U17 për vajza në volejboll

Ferizaj sot bëhet qendra e volejbollit ballkanik me fillimin e Kampionatit Ballkanik U17 për vajza, i cili do të zhvillohet deri më 25 korrik në...
09:37 | 21/07/2026

Kosovë, aksident i rëndë në Istog, dy të vdekur dhe 3 të plagosur

Dy persona kanë vdekur, duke përfshirë një të mitur, pas një aksidenti të rëndë trafiku në fshatin Shushicë të komunës së Istogut. Ngjarjen e rëndë...
19:02 | 20/07/2026