Masakra në Izbicë, të akuzuarit i ulet dënimi gjatë rigjykimit

2 Shkurt 2026 | 14:50

Gjatë rigjykimit, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 13 vjet burgim Muhamet Alidemajn, i akuzuar për krime lufte, përkatësisht për pjesëmarrje në kryerjen e masakrës së Izbicës, raporton Betimi për Drejtësi.

Në gjykimin e parë, Alidemaj, që sipas aktakuzës ishte pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe gjatë periudhës së luftës, ishte dënuar me 15 vjet burgim. Në Izbicë të Skenderajit, forcat serbe vranë 130 persona në mars të vitit 1999.

Alidemaj ishte arrestuar në mars të vitit 2021 dhe ishte dënuar në korrik të vitit 2024. Por, një vit më vonë Gjykata e Apelit e ktheu në rigjykim rastin.

Si në gjykimin e parë, ashtu edhe në rigjykim, Alidemaj – shtetas i Serbisë me nacionalitet shqiptar – ishte deklaruar i pafajshëm për krime lufte.

Sipas aktakuzës të publikuar në fund të marsit të vitit 2022, thuhet se Alidemaj, së bashku me forcat ushtarake dhe policore serbe, i ndanë gratë dhe fëmijët nën moshën 12-vjeçare nga turma dhe nën kërcënimin e armëve i detyruan të shkojnë në drejtim të Shqipërisë.

Burrat që mbeten në fshat, sipas aktakuzës, u ekzekutuan me armë automatike dhe nga viktimat janë identifikuar 114 prej tyre, ndërkaq 12 i kanë mbijetuar ekzekutimit.

Prokuroria ka thënë se pas dy muajve, trupat e viktimave u zhvarrosën dhe u transportuan me disa kamionë në drejtim të panjohur. Pas përfundimit të luftës, trupat e viktimave në Izbicë u gjetën në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, në fshatin Suhodoll të Mitrovicës dhe në Novolan të Vushtrrisë.


Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur një sërë aktakuzash për krime lufte në Kosovë. Ndërkaq, që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për këto krime para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Fillimisht pas luftës, përkatësisht nga viti 2000 dhe 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Më 2018, EULEX-i ia dorëzoi lëndët organeve vendore të drejtësisë. Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, janë vrarë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë./ REL

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

KQZ nesër shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nesër mblidhet në orën 11:00.   Në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e...
18:28 | 26/06/2026

Fëmijë shqiptarë nga rajoni i Kumanovës mund të mbesin pa shkollë fillore

Fëmijët shqiptarë të fshatit Kosturnik në rajonin e Kumanovës mund të mbeten pa shkollën e tyre fillore, pasi Ministria e Arsimit ka paralajmëruar mbylljen. Sipas...
16:08 | 26/06/2026

Në Prishtinë shënohet përvjetori i Betejës së Kosovës

Me rastin e shënimit të 637-vjetorit të Betejës së Kosovës, profesori Mentor Hasani dhe studentët e Departamentit të Historisë në Universitetin e Prishtinës, organizuan një...
16:01 | 26/06/2026