Më 2 dhe 3 tetor, në Berlin u mbajt panairi më i madh i tregtarëve shqiptarë jashtë vendit “Global Albanian Gastronomy Festival”. Inaugurimi i këtij panairi ishte një ngjarje madhështore, e cila tërhoqi më shumë se 1000 vizitorë dhe ekspozues, duke bërë bashkë shqiptarë nga të gjitha trevat dhe gastronomë nga e gjithë bota për të treguar në Gjermani, në zemër të Evropës, potencialin kulturor dhe ekonomik të shqiptarëve.
Teksa në Berlin pritet 10-vjetori i “Open Balkan”, 110 kompani ekspozuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi treguan se janë gati për tregun evropian me produktet dhe shërbimet e tyre cilësore. Nën moton “Aty ku Tradita bashkohet me Tregtinë”, GAG Festival do të jetë një event dyditor, ku përveç panairit tregtar do të ketë edhe 50 panelistë, 10 “cooking show”, një mbrëmje gala dhe një ceremoni të ndarjes së çmimeve.
Inaugurimi u nderua me praninë e figurave të rëndësishme politike shtetërore, si: znj. Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës; z. Florian Hauer, Sekretar i Përhershëm për Çështje Federale dhe Evropiane në Shtetin e Berlinit; z. Igli Hasani, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë; z. Izet Mexhiti, Zëvendës Kryeministër i Maqedonisë së Veriut; znj. Anila Denaj, Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Republikën e Shqipërisë.
Ministrja Denaj iu bëri thirrje gastronomëve shqiptarë të suksesshëm kudo në botë që të kthehen për të investuar në Shqipëri, ku përveç incentivave fiskale në sektorin e agroturizmit, pritet të prezantohet shumë shpejt nga Kryeministri “Paketa e Maleve”, dedikuar investimeve në zona të caktuara të Shqipërisë.
Ky panair jo vetëm që promovoi kuzhinën shqiptare, por gjithashtu e shndërroi Berlinin në një qendër të kulturës dhe traditave shqiptare për një ditë, duke e bërë atë të flasë shqip. Festivali pritet të jetë një ngjarje e përvitshme, si një mundësi e shkëlqyer për të festuar identitetin tonë në një skenë ndërkombëtare.
Në lidhje me mbajtjen e panairit të gastronomisë shqiptare në Berlin, reagoi edhe ambasada shqiptare në Gjermani, e cila përmes një postimi në Instagram njofton se panairi do të jetë një traditë e përvitshme për të promovuar potencialin kulturor dhe ekonomik të shqiptarëve.
Deklarata e ambasadës shqiptare në Berlin:
U mbyll me sukses edicioni i parë i Festivalit dy-ditor Global Shqiptar i Gastronomisë në Berlin, panairi më i madh shqiptar i gastronomisë jashtë vendit, i cili përfshiu panairin tregtar, prezantime, diskutime frymëzuese, promovime dhe degustime të shijshme të ushqimeve tona tradicionale.
Cilësia e produkteve dhe shërbimeve shqiptare u shpalos më së miri përmes pjesëmarrjes së 110 kompanive nga të gjitha trevat dhe diaspora shqiptare, ku prodhues, biznese dhe agrobiznese prezantuan me krenari produktet shqiptare në sofrën globale.
Ky festival gjithëpërfshirës u finalizua me një mbrëmje gala, ku u ndanë çmime për gastronomët e suksesshëm shqiptarë kudo në botë. Në tre kategoritë e çmimeve “Athanas”, “Duart e Nënës” dhe “Arritjet jetësore” kishte 11 gastronomë që u vlerësuan, ndër ta: z. Bruno Selimaj, z. Ekrem Bardha, z. Xhelil Musa, z. Ilir Seferi, z. Dritan Alsela, z. Altin Prenga.
Tre mesazhet kryesore të festivalit ishin:
- Kompanitë shqiptare janë gati për tregun evropian dhe kanë investuar si në rritjen e sigurisë, ashtu edhe në cilësinë e produkteve. Forcimi i markave “Made in Albania” apo “Made in Kosova” kërkon një përpjekje të përbashkët gjithëpërfshirëse.
- Gastronomët dhe sipërmarrësit e suksesshëm shqiptar u ftuan të kthehen dhe të investojnë në vendin e tyre, ku u prezantuan një tërësi incentivash fiskale dhe programe subvencionimi. Qëllimi është që jo vetëm kapitali, por edhe “know-how”-i, njohuritë e tyre t’i sjellin në vend.
- Në vitin 2024, ne duhet ta themi me krenari që jemi shqiptarë, të hapim sa më shumë restorante me bazë kuzhinën shqiptare dhe t’ja tregojmë atë botës. Për shembull, një pjatë e parë që mund të futej në shumë restorante italiane-shqiptare është pasta Arbëreshe, si një lidhje mes dy vendeve. Kjo do të promovonte jo vetëm ruajtjen e traditave kulinare, por gjithashtu do të kuriozonte njerëzit të kërkonin ku janë arbëreshët dhe cila është historia e tyre.
Festivali Global Shqiptar i Gastronomisë do të jetë një traditë e përvitshme e cila do të promovojë në çdo skenë ndërkombëtare potencialin kulturor dhe ekonomik të shqiptarëve.