Më 10 dhjetor nis gjykimi për rastin e rezervave shtetërore në Kosovë

19 Nëntor 2025 | 19:01

Më 10 dhjetor do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar për rezervat shtetërore, ku në cilësinë e të akuzuarës është edhe ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

“Ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj të pandehurve R.H., I.L., H.G., dhe R.M. është caktuar të mbahet me datë 10.12.2025 në ora 09:30”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Më 11 nëntor, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se dorëzoi aktakuzë ndaj Hajdarit nën dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore.

Prokuroria tha se Hajdari, dhe dy zyrtarët Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara dyshohen se bashkëkryerje i kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim që të përfitonin pasuri për persona të tjerë dhe i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.

Buxheti i shtetit ka pësuar një dëm prej rreth 3 milionë eurove si pasojë e veprimeve të tyre, sipas Prokurorisë Speciale. Ata dyshohet se asokohe kishin blerë një sasi vaji dhe një sasi gruri jashtë vendit, që nuk kishin arritur kurrë në Kosovë.

Që të tre akuzohen për kryerjen e veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe zbulimi i fshehtësisë zyrtare. Ndërsa i akuzuari i katërt, R.M., dyshohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare. Hajdari e ka cilësuar si “tendencë politike” ndaj Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, aktakuzën e ngritur kundër saj dhe tre të tjerëve për rastin e rezervave shtetërore.

“Çdo pretendim i Prokurorisë Speciale nuk qëndron dhe vetëm afirmon tendencën politike të kësaj prokurorie ndaj Qeverisë Kurti. Çdo pretendim tjetër është pohim në dobi politike që është i palejueshëm dhe i pamoralshëm duke marrë parasysh periudhën ku ndodheshim ne më 2022”, tha Hajdari në një konferencë për media më 14 nëntor.

Ajo insistoi se nuk do të japë dorëheqje për shkak të kësaj aktakuze.

Rasti i rezervave shtetërore

Më 2023, tre persona u arrestuan për rastin e rezervave shtetërore, përfshirë Garën, drejtor i departamentit të rezervave shtetërore, dhe Lipovicën, drejtor i departamentit për integrime evropiane.

Në këtë Ministri, më 2023, u kryen bastisje pas publikimit të audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku ishte pretenduar se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.

Hajdari ka thënë se blerjet për rezerva shtetërore ishin bërë në përputhje me ligjin, por nuk ka dhënë më shumë hollësi, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.

Ajo e ka akuzuar policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.

Si dëshmitar për këtë rast është thirrur edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, por deri më tani nuk ka pranuar të shkojë në Prokurorinë Speciale, duke ngulur këmbë të japë dëshminë në Kryeministri.

Kurti i ka dalë në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”./ REL

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

U arrestuan për provokimet gjatë Vidovdanit, shtyhet më 1 korrik seanca ndaj 36 serbëve

36 serbët që u paraqitën në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë deklaruar të pafajshëm, por një vendim për ta është shtyrë për 1 korrik, në...
17:45 | 29/06/2026

Shtyhet certifikimi i zgjedhjeve në Kosovë, ankesat e kandidatëve të PDK-së bllokojnë procesin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të duhet të presë edhe më gjatë për certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë. Vetëm një...
17:21 | 29/06/2026

Ceremonia e pranimit të komandës në Camp Bondsteel, Haxhiu: Kosova mbetet përherë mirënjohëse ndaj SHBA

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë  në ceremoninë e pranimit të komandës së U.S. Army Area Support Group Balkans në...
16:05 | 29/06/2026