English

Më në fund është koha t’i themi ‘Po’ të ardhmes europiane të Ukrainës

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

 

- Advertisement -
Opinionet e shprehura në artikujt e kategorisë ‘Pikëpamje’ i përkasin vetëm autorit.

Nuk është e lehtë të mendosh për të ardhmen e vendit tënd kur gjendesh përballë sirenave sinjalizuese të sulmeve ajrore dhe artilerisë së rëndë ruse që po përpiqet të shfarosë nga faqja e rruzullit tokësor qytetet e fshatrat e Ukrainës.

Por, teksa ushtria ukrainase, ende me mungesë të theksuar municionesh luftarake, vijon betejën heroike për mbijetesën e vendit, neve na duhet të përkujdesemi për të ardhmen e Ukrainës.

Ukrainasit e shohin të ardhmen si anëtarë të Bashkimit Europian si dhe kërkojnë marrjen e statusit kandidat në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Europian që do të mbahet më 23 dhe 24 qershor.

Yjet janë bashkuar në një vijë për këtë vendim kritik

Mbështetja për integrimin e Ukrainës në BE është e paprecedentë.

Deri në prill të këtij viti, 91 për qind e ukrainasve mbështesin hyrjen në union, përfshi këtu dhe 82 për qind në Ukrainën lindore, sipas një sondazhi nga agjencia hulumtuese Rating.

Po ashtu, ka mbështetje të paprecedentë për anëtarësimin e Ukrainës në shoqëritë europiane në të ardhmen. Edhe në vendet më skeptike – Gjermania dhe Holanda – mbi 60 për qind e popullsisë është shprehur ‘pro’.

Sipas një sondazhi të Eurobarometrit botuar muajin e shkuar, mbështetja më e madhe për anëtarësimin e Ukrainës vinte nga Portugalia, ku 87 për qind e popullsisë ishte në favor, shumë më lart sesa mesatarja e BE-së.

Dhënia e statusit kandidat do i dërgonte një mesazh të qartë Putinit, se Ukraina nuk do të bëhet kurrë pjesë e Rusisë.

Teksa vazhdon të ketë pasiguri mbi të ardhmen e Ukrainës, kjo i jep mundësinë liderit rus të ëndërrojë për uzurpimin e shtetit tonë si dhe i jep atij  më shumë guxim të vijojë luftën me shpresë të plotë.

Statusi kandidat do të sillte dhe disa të mira praktike për transformimin e vazhdueshëm të Ukrainës, duke çimentuar reformat dhe rindërtimin e vendit pas përfundimit të luftës. Do i çelte dyert kompanive europiane – jo kinezeve e turkeve – që të merrnin pjesë në procesin e rindërtimit të pasluftës, shkalla e së cilës do ta kthejë Ukrainën në një prej kantiereve më të mëdha të ndërtimit në botë.

Nuk po kërkojmë të marrim rrugën e shkurtër

Populli i Ukrainës nuk po kërkon asgjë të jashtëzakonshme. Nuk po kërkojmë t’i biem nga rruga e shkurtër e cila anashkalon procedurat e BE-së.

Ukraina po e paguan me gjak lirinë e saj dhe të Europës, në kuptimin e plotë të fjalës. Si i vetmi vend në kontinent ku njerëzit kanë vdekur me flamurin e BE-së në duar, është plotësisht e kualifikuar për të marrë statusin e vendit kandidat.

Ne e dimë se nuk jemi gati të bëhemi anëtarë, por ne jemi gati që të bëhemi vend kandidat.

Kjo pikëpamje ndahet gjerësisht në mesin e atyre që e kanë vërtetuar angazhimin për reformat ndër dekada – shoqëria civile.

Mbi 200 organizata joqeveritare ukrainase firmosën së fundmi një letër adresuar liderëve europianë ku i kërkonin miratimin për statusin e vendit kandidat. Ky apel nuk është parë kurrë më parë në historinë e Ukrainës.

Çdo përpjekje për të zëvendësuar statusin kandidat me diçka tjetër jo aq kuptimplotë – si statusin kandidat potencial, me një listë parakushtesh për të siguruar statusin kandidat – nuk do të pranohet në Ukrainë.

Nuk ka justifikim për të mos ia dhënë statusin kandidat Ukrainës kur iu dha Turqisë në 1999, Maqedonisë së Veriut në 2005 dhe Malit të Zi në 2010.

Ne i dimë faktorët e tjerë në BE, edhe pse shumica e atyre shqetësimeve nuk kanë lidhje të drejtpërdrejt me Ukrainën, si për shembull nevoja për reformën e brendshme të BE-së apo dëshira për të avancuar më parë me procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Por, si Ukraina edhe BE-ja do të kenë mjaftueshëm kohë që të reformohen bashkarish përpara se Ukraina të bëhet anëtare e plotë. Dhe aspiratat e Ukrainës nuk do të ndikojnë negativisht Ballkanin Perëndimor, por, do i japë një shtysë të re rrugës drejt zgjerimit.

Një e ardhme jashtë BE-së është edhe më e pasigurt

Ne gjithashtu kuptojmë pakënaqësinë e disa kryeqyteteve europiane nxitur nga valët e mëparshme të zgjerimit të BE-së.

Megjithatë, ne besojmë se një e ardhme jashtë BE-së do të ishte më pasigurt, si për vendin tonë, ashtu edhe për Europën.

Duke parë marrëdhëniet midis Ukrainës dhe BE-së për rreth 20 vite, kam vënë re vazhdimisht sesa e aftë është bërë BE-ja në gjetjen e preteksteve për t’i thënë ‘jo’ aspiratave të Ukrainës.

Për politikanë dhe diplomatë të shumtë, njohja e Ukrainës si shtet europian ka qenë një sfidë e vërtetë.

Sot, e pajisur me arsye të shumta, ka ardhur koha që më në fund t’i thuhet ‘po’ Ukrainës dhe të ardhmes së saj europiane.

Alyona Getmanchuk është themeluesja dhe e drejtuesja e qendrës së studimeve dhe hulumtimeve ‘Neë Europe Center’  në Kiev.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Kush mendoni se mund ta marrë drejtimin e Rithemelimit nëse Berishës i caktohet masa “Arrest në shtëpi”?
×