English

Menaxhimi i krizës së COVID-19, analistët komentojnë vendimet e qeverisë

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Prej 3 javësh qeveria ka marrë vendime për kufizimin e lëvizjeve, që kanë ardhur duke u ashpërsuar. Arlind Qori, pedagog, shprehet se nisur nga vendimet që Kryeministri ka marrë i duket sikur po jeton në një monarki absolute. Sipas tij, vendimet që Edi Rama merr në emër të qeverisë janë të pa argumentuara dhe të pa arsyetuara.

- Advertisement -

“Kemi një njeri që na sundon, duke thënë ligji jam unë praktikisht. Më duket sikur janë shthurur të gjitha institucionet kushtetuese. Kemi një njeri që mbase de juro është Kryeministër, por de fakto i bie të jetë sundimtari i këtij vendi. Këto urdhra mund të jenë të drejta, por nuk ka asnjë diskutim publik”, shprehet z. Qorri duke shtuar se vendimet merren pa marrë aspak parasysh mendimin e qytetarëve.

Jonila Godole, drejtore e Institutit për Drejtësi, Media dhe Kulturë thotë se, masat në Shqipëri kanë qenë shumë të ashpra. Marrja e përgjegjësisë nga një person, duke iu referuar Kryeministrit, sipas znj. Godole nuk është një plus për imazhin e qeverisë.

“Mënyra se si vendoset, mënyra se si një Car jep urdhra nga lart, pa një grup pune dhe ndryshimi i vazhdueshëm i urdhrave, që vendosen sot për nesër, pa marrë parasysh pasoja, kjo për mua është e gjitha një kaos. Për mua kjo tregon se qeveria nuk është në gjendje ta menaxhojë siç duhet këtë krizë”, deklaron znj. Godole.

Politologu, Ermal Hasimja shprehet se, qeveria nuk po tregohet transparente dhe rreziku më i madh është tek ndikimi që do të ketë mbi ekonominë e vendit.

“Duhet të ketë një debat lidhur me situatën se si do të shkojë sepse kemi dëgjuar që qeveria ka plane A B C D por nuk kemi dëgjuar asgjë publikisht. Shqetësimi më i madh i imi është se ne nuk po e marrim seriozisht dilemën e madhe njerëzore; a duhet të izolohemi apo të hapim ekonominë. Rreziku më i madh është çfarë ndodh me ekonominë nëse kjo periudhë zgjat”, u shpreh z. Hasimja.

Znj. Godole shton më tej se, nuk po shikon një përgjegjshmëri por dhe një diskutim publik për izolimin total të vendit, në një kohë kur jo më lart se 30 vite më parë Shqipëria ka përjetuar një përvojë të tillë.

Duke e krahasur me rastin e Angela Merkel në Gjermani, znj. Godole thotë se, kancelarja është përpjekur që të dalë sa më pak në televizion dhe gjithmonë ka folur me shifra dhe ka qenë e hapur me qytetarët.

Përballë kësaj situate, z. Qori thotë se nevojitet një kritikë e ndershme ndaj qeverisë, pasi përveçse masat nuk i nënshtrohet një diskutimi të gjerë, mungojnë politikat sociale për njerëzit në nevojë.

Për politologun Hasimja, ata që do të marrin vendime problematike, normal që do të vuajnë pasojat dhe vete. Sipas tij është situatë aspak e lehtë për ata që qeverisin dhe dilema është do të ruajnë shëndetin apo të parandalojnë problemet e ekonomisë. “Në qoftë se kjo zgjat 5-6 muaj, atëherë problemi më i madh është se do të ketë pakënaqësi të mëdha ndaj qeverisë”, tha z. Hasimja.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?