Meta dhe Rama replika me fyerje pas akuzave për lidhje me krimin

9 Tetor 2020 | 08:58

Presidenti Ilir Meta i bëri të premten kërkesë publike kryeministrit Edi Rama që të faktojë gjatë punimeve të sotme të Asamblesë së Partisë Socialiste akuzat e bëra ndaj tij për “kontakte me kriminelë”. Ky u përgjigj se kjo ishte një nga “shkallimet e tij të përditshme”.

Përmes një postimi në Facebook, përmbajtja e të cilit kishte gjuhë fyese dhe etiketime të shumta ndaj kryeministrit, Meta kërkoi publikisht që Rama ta zbardhë akuzën që i drejtoi në parlament pak ditë më parë dhe nëse ajo do të jetë e vërtetë tha se do të japë dorëheqjen.

“I kërkoj publikisht të bëjë publik emrin, skutën dhe orën kur e kam takuar këtë personazh të botës së krimit dhe unë do të jap menjëherë dorëheqjen,” – u shpreh Meta.

Nëse kryeministri Rama nuk e bën diçka të tillë gjatë Asamblesë, e cila zhvillohet pasditen e sotme, Presidenti Meta është shprehur se “do të merret me të çdo ditë”.

“Do t’u faktoj shqiptarëve lidhjet e tij të tmerrshme me botën e krimit, dëmet ndaj çështjes kombëtare dhe nuk do t’i ndahem derisa ta përzëmë së bashku edhe nga Partia Socialiste,” – u shpreh Meta duke iu drejtuar Asamblesë së PS-së dhe anëtarësisë së saj.

Presidenti është shprehur se çdo ditë do ta ftojë kryeministrin për debat televiziv dhe pret prej tij reflektim.

Presidenti e shoqëroi postimin me një foto nga shfaqja e regjisorit Edmond Budina e titulluar “Profeti i kokoshkave”, shfaqje e cila i kushtohej udhëheqjeve autoritare dhe drejtuesve delirantë e krijuar nga Budina pas vendimit të kryeministrit Rama për të shembur Teatrin Kombëtar.

Kryeministri gjatë seancës parlamentare të së hënës, ku u miratuan ndryshimet e Kodit Zgjedhor – sipas propozimeve të shumicës socialiste, – akuzoi rëndë Presidentin për lidhje me persona të inkriminuar.

“Do ta rrëzojmë një shpikje [formulën e koalicioneve], që është karteli i partive me koalicione, ku votat i merr njëri dhe ia kalon tjetri pa pikë turpi dhe kushto që hyn  në listë mund të zgjidhet, por duhet të marrë votat. Patjetër që PS nuk është as kompani fitimprurëse dhe nuk është as PD, as një furgon i shpikur KÇK [Kap Çfarë të Kapësh] dhe […] SHPK [Shoqëri me Prodhim të Kufizuar] për të lëshuar deri në viktimat e OFL [Operacioni Forca e Ligjit] që kontaktohen nëpër skuta katundesh nga i pari i vendit nuk ka. T’i harrojë Ilir Meta, që del e flet në emër të Kushtetutës me një gjuhë që mbase i shkon me viktimat e OFL-së, po nuk i shkon,” – qe shprehur Rama në parlament më 5 tetor.

Pas komentit në Facebook të Presidentit, Rama u përgjigj në Twitter duke i qëndruar gjuhës fyese dhe të fryrë politikisht të përdorur më herët edhe nga Presidenti.

“Ilir çfarë borxhi të ka Shqipëria, që të bëri Kryeministër, Kryeparlamentar, President dhe duhet të durojë shkallimet e tua të përditshme, që sekëlldisin jo veç të gjallët por edhe të rënët për liri të këtij vendi, të cilëve u je qepur me dekoratat e me fjalimet e tua qesharake!” – shkroi Rama në Twitter duke ironizuar aktivitetin e shtuar të Metës me nderimet ndaj të rënëve në luftën anti-fashiste dhe nacional-çlirimtare.

Disa minuta më pas Meta replikoi sërish duke thënë se i kishte konfirmuar prezencën në emisionin televiziv “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu dhe e priste përballë kryeministrin Rama. “Transparenca e vetmja rrugë! Dil përballu ose largohu” – shkroi Meta.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rama reagon sërish për Zvërnecin: Nuk sheh syri, sheh mendja

Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të mërkurë në kuadër të debatit dhe protestave kundër projektit në Zvërnec, duke publikuar një status të plotë ku...
18:36 | 03/06/2026

Kryebashkiakët e Dibrës kundër ndryshimit të hartës territoriale: Do të vështirësonte shërbimet ndaj qytetarëve

Kryetarët e të gjitha bashkive të Qarkut të Dibrës janë shprehur kundër çdo ndryshimi të mundshëm të hartës territoriale, gjatë një seance dëgjimore në Komisionin...
18:00 | 03/06/2026

“E dija që i kishte paratë”, Berisha për Zvërnecin: Kam qenë dakord që në fillim me projektin Kushner

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha në një komunikim për mediat nga mbledhja e grupit të PD se ka qenë pro projketit për investimin...
13:56 | 03/06/2026