Meta thotë se Komisioni i Venecias i dha të drejtë për emërimet në Gjykatën Kushtetuese

22 Qershor 2020 | 13:23

Presidenti Ilir Meta, në një konferencë për shtyp mesditën e së hënës, paraqiti për mediat opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias rreth përplasjes me Kuvendin, që ai pati vitin që shkoi, për sa i përket emërimeve në Gjykatën Kushtetuese (GJK).

Meta u shpreh se opinioni i Komisionit i jep të drejtë për të gjitha pretendimet në raport me kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), Ardian Dvorani dhe “përpjekjes për të kapur GJK-në”.

Sipas Metës, Komisioni vërtetoi se shkaku i përplasjes me parlamentin për sa i përket emërimeve në GJK ishin veprimet antiligjore të Dvoranit. Sipas Metës Komisioni sqaron se:

  • Koha kur u përcollën listat e renditjes së kandidatëve, njëkohësisht Kuvendit dhe Presidentit, shkaktoi incident procedurial, ndërsa kjo mënyrë veprimi nuk u diskutua në KED;
  • KED nuk funksionoi në mënyrë transparente dhe përjashtimi nga mbledhjet e saj të Avokatit të Popullit ishte antikushtetues;
  • Kandidati i zgjedhur nga Presidenti (Marsida Xhaferllari) ishte renditur ndër tre të parët në listat e KED-së pas zgjedhjes nga Kuvendi të kandidatit të tretë të listës;
  • Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pas betimit përpara Presidentit dhe se sipas Kushtetutës ky betim është parakusht për nisjen e detyrës;

Në deklaratën për shtyp Meta falënderoi qytetarët shqiptarë teksa kujtoi protestën e thirrur prej tij më 2 mars, protestë në të cilën pati deklaruar se do të dekretonte shpërndarjen e parlamentit nëse “përpjekja për kapjen e shtetit nuk ndalej”.

GJK është gjykata më e lartë në Shqipëri, e cila vendos rreth interpretimeve kushtetuese, nëse një ligj përputhet apo bie ndesh me Kushtetutën, ligjit themeltar të shtetit.

Ajo përbëhej nga 9 anëtarë dhe ishte ndër institucionet e para që iu nënshtruan procesit të vetingut, proces nga i cili u konfirmua në detyrë vetëm Vitore Tusha.

Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxha, Gani Dizdari, Bashkim Dedja u shkarkuan ndërsa Sokol Berberi, Vladimir Kristo, dhe Besnik Imeraj dhanë dorëheqjen.

Vakancat e këtyre tetë anëtarëve u futën në procesin e emërimit, nga ku sipas procedurës së re KED rendit 3 kandidatë kryesorë për çdo vakancë të krijuar bazuar në kritere kualifikimi, më pas emërimi bëhet me rotacion mes Presidentit, Parlamnetit dhe Gjykatës së Lartë, të cilët janë të detyruar të zgjedhin dikë vetëm nga ajo listë.

Përplasja mes Presidentit dhe Parlamentit nisi për plotësimin e 4 vakancave të para, për të cilat KED vlerësoi vetëm 6 kandidatë: Arta Vorpsin, Elsa Toskën, Fiona Papajorgjin, Besnik Muçin, Rigleta Panajotin dhe Marsida Xhaferllarin.

Fillimisht Meta zgjodhi Muçin, ndërsa parlamenti Toskën dhe Papajorgjin. Por teksa pritej që Presidenti të zgjidhte kandidatin e radhës, në Fletoren Zyrtare u botua emërimi automatik i Vorpsit, gjë që nga Meta u konsiderua shkelje kushtetuese pasi ai “nuk ishte shprehur ende”.

Më vonë Presidenti emëroi Xhaferllarin, ndërkohë që Vorpsi, e cila pretendonte emërimin për të njëjtin post vakant, anashkaloi betimin përpara Metës duke u betuar me një akt të thjeshtë noterial.

Për zgjidhjen e çështjes, se kujt i takon posti Xhaferllarit apo Vorpsit, Presidenti Meta kërkoi opinion nga Komisioni i Venecias.

Aktualisht GJK ka vetëm 4 anëtarë të cilët janë: Vitore Tusha, Elsa Toska, Fiona Papajorgji dhe Marsida Xhaferllari.

Besnik Muçi u shkarkua nga detyra për shkak të problemeve në deklarimet e pasurisë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rama reagon sërish për Zvërnecin: Nuk sheh syri, sheh mendja

Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të mërkurë në kuadër të debatit dhe protestave kundër projektit në Zvërnec, duke publikuar një status të plotë ku...
18:36 | 03/06/2026

Kryebashkiakët e Dibrës kundër ndryshimit të hartës territoriale: Do të vështirësonte shërbimet ndaj qytetarëve

Kryetarët e të gjitha bashkive të Qarkut të Dibrës janë shprehur kundër çdo ndryshimi të mundshëm të hartës territoriale, gjatë një seance dëgjimore në Komisionin...
18:00 | 03/06/2026

“E dija që i kishte paratë”, Berisha për Zvërnecin: Kam qenë dakord që në fillim me projektin Kushner

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha në një komunikim për mediat nga mbledhja e grupit të PD se ka qenë pro projketit për investimin...
13:56 | 03/06/2026