Metani në Kuvend: Janë trajtuar 1,635 ankesa gjatë vitit 2025, sfidë mbeten vonesat në drejtësi

30 Qershor 2026 | 17:43

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, paraqiti këtë të martë në Komisionin për Çështjet Ligjore raportin vjetor të veprimtarisë së institucionit për vitin 2025, ku evidentoi rezultatet e punës, problematikat kryesore të sistemit të drejtësisë dhe rekomandimet për përmirësimin e tij.

Metani bëri të ditur se Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka përmbushur të tetë rekomandimet e miratuara nga Kuvendi për vitin 2025, duke ndërmarrë masa për forcimin e inspektimeve, digjitalizimin e proceseve dhe bashkëpunimin me institucionet e sistemit të drejtësisë.

Sipas raportit, gjatë vitit 2025 janë administruar gjithsej 3,272 ankesa, prej të cilave 1,792 të reja dhe 1,480 të mbartura nga vitet e mëparshme. Nga këto, janë shqyrtuar 1,635 ankesa, ndërsa janë zhvilluar 12 hetime disiplinore dhe janë nisur 8 procedime disiplinore ndaj magjistratëve.

Metani theksoi se numri i ulët i procedimeve disiplinore nuk tregon mungesë kontrolli, por funksionimin e mekanizmit filtrues të verifikimit të ankesave.

“Çdo pretendim ndaj punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve verifikohet, ndërsa hetimi disiplinor nis vetëm kur ekzistojnë elementë të mjaftueshëm ligjorë dhe faktikë,” u shpreh ai.

Nga analiza e ankesave rezulton se shqetësimet më të shpeshta të qytetarëve lidhen me zvarritjen e proceseve gjyqësore, vonesat në hetime, vonesat në arsyetimin e vendimeve dhe pretendimet për vendimmarrje të padrejtë.

Sipas të dhënave të ILD-së, gjatë vitit 2025 janë regjistruar:

  1. 255 ankesa për zvarritje të gjykimeve;
  2. 159 ankesa për zvarritje të hetimeve;
  3. 462 ankesa për vendimmarrje të padrejtë;
  4. 110 ankesa për vonesa në arsyetimin e vendimeve gjyqësore.

Gjatë raportimit, Metani ngriti shqetësimin edhe për problematika me karakter strukturor, duke përmendur mungesën e infrastrukturës në disa gjykata, zhvillimin e seancave joproduktive, respektimin e etikës nga magjistratët, si dhe nevojën për analizimin e efekteve të hartës së re gjyqësore.

Ai bëri thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë mes institucioneve të drejtësisë, duke theksuar se përmirësimi i sistemit nuk mund të arrihet vetëm përmes mekanizmave disiplinorë, por kërkon reforma të koordinuara, investime dhe planifikim afatgjatë.

Në përfundim, Inspektori i Lartë i Drejtësisë vlerësoi se sistemi i drejtësisë vijon të përballet me sfida strukturore, ndërsa nënvizoi se forcimi i etikës, përgjegjshmërisë dhe bashkëpunimit institucional mbetet kyç për rritjen e besimit të qytetarëve dhe afrimin e sistemit me standardet evropiane.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Aksidenti tragjik, Shefi i Traumës: 2 fëmijë të plagosur, 2 shtetas të huaj në gjendje të rëndë dhe 5 pacientë në operacion

Shefi i Urgjencës së Traumës, Agustin Suma, ka dhënë detaje mbi gjendjen shëndetësore të të plagosurve nga aksidenti i rëndë i ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës,...
18:39 | 30/06/2026

Avokati i Popullit nis hetim për ndërhyrjen e Policisë në protestën para Parlamentit

Avokati i Popullit ka reaguar këtë të martë lidhur me ndërhyrjen e Policisë së Shtetit gjatë protestës së zhvilluar përpara Parlamentit, duke shprehur shqetësim të...
18:30 | 30/06/2026

Dëshmia e të mbijetuarës amerikane nga aksidenti tragjik në autostradë: Brenda pak sekondash u gjendëm të përmbysur

Një shtetase amerikane, e cila i mbijetoi aksidentit tragjik të ndodhur këtë të martë në autostradë, ku humbën jetën dy persona dhe mbetën të plagosur...
18:23 | 30/06/2026