Mijëra gjeorgjianë protestojnë në Tbilisi kundër “vjedhjes” së zgjedhjeve

28 Tetor 2024 | 19:00

Mijëra gjeorgjianë dolën në rrugët e Tbilisit të hënën për të protestuar, pasi presidentja e vendit, Salome Zurabishvili, e akuzoi partinë në pushtet se përdori taktika të stilit rus në zgjedhjet parlamentare, rezultatin zyrtar të të cilave ajo nuk pranon ta njohë.

Protestuesit u mblodhën pranë ndërtesës kryesore të Parlamentit në qendër të Tbilisit, ndërkohë që kritikat janë duke u rritur për parregullsi në zgjedhjet e fundjavës. Vëzhguesit e zgjedhjeve në Gjeorgjia thonë se kanë zbuluar një skemë të madhe mashtrimi që e ndryshoi rezultatin e zgjedhjeve në të mirë të partisë në pushtet.

Sipas rezultatit zyrtar të zgjedhjeve të 26 tetorit, partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane i ka fituar mbi 54 për qind të votave, mjaftueshëm për ta ruajtur pushtetin e plotë.

“Ju nuk i humbët zgjedhjet”, u tha protestuesve Zurabishvili.

“Ata vodhën votën tuaj dhe u përpoqën ta vjedhin të ardhmen tuaj, por askush nuk ka të drejtë ta bëjë këtë, dhe ju nuk do ta lejoni askënd ta bëjë këtë!” shtoi ajo.

Zurabishvili u zotua se do ta mbrojë rrugën e vendit të Kaukazit Jugor drejt Evropës.

Duke bërë thirrje për protesta, Zurabishvili tha më 27 tetor se rezultat zyrtar ishte dëshmi e “një operacioni special rus – që është njëra nga format e reja të luftës hibride ndaj popullit tonë, ndaj vendit tonë”.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, më 28 tetor, Zurabishvili shpjegoi komentet e saj duke thënë se nuk po e akuzonte drejtpërdrejt Rusinë për falsifikimin e votimit. Përkundrazi, Zurabishvili tha, ajo po vërente se metodat “shumë të sofistikuara” të përdorimit të “formave të shumta të mashtrimit” pasqyronin taktikat e përdorura nga Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë.

Zurabishvili pretendoi se partia Ëndrra Gjeorgjiane ka lidhje të qarta me Moskën, të cilat, sipas saj, ishin dëshmuar nga mesazhet mbështetëse të Rusisë pas zgjedhjeve dhe pasi Qeveria e miratoi një ligj kontrovers për “ndikimin e huaj”, i cili është ngjashëm me ligjin rus për “agjentët e huaj”.

Ky ligj është kritikuar ashpër nga Uashingtoni dhe Brukseli, dhe zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 26 tetor u panë si një provë e kredencialeve demokratike të Gjeorgjisë ndërsa vendi vazhdon rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rritet numri i të rinjve gjermanë që refuzojnë shërbimin ushtarak, ndërsa Berlini përpiqet të fuqizojë ushtrinë

Numri i të rinjve refuzojnë shërbimin ushtarak të armatosur në Gjermani është rritur ndjeshëm këtë vit, duke minuar një përpjekje të Berlinit për të krijuar ushtrinë më...
21:12 | 14/07/2026

Lavrov: Sulmet e SHBA-së ndaj Iranit mbyllin dyert për marrëveshje

Ministri i Jashtëm Rus Sergey Lavrov ka deklaruar se sulmet e SHBA-së ndaj Iranit i japin fund mundësisë për një marrëveshje të përkohshme paqësore. Ai...
19:19 | 14/07/2026

BE hedh poshtë pretendimet e administratës Trump se GJPN-ja kërcënon sovranitetin e SHBA

Një zëdhënës i BE-së ka kundërshtuar pohimin e administratës Trump se gjykata ndërkombëtare penale përbën një kërcënim për sovranitetin e SHBA-së, një ditë pasi qeveria...
18:16 | 14/07/2026