Në strofullën kuqezi, Milani di se si fitohet, madje edhe me rezultat të thellë, megjithëse kjo rrallë ndodh, por ndaj Sassuolos ishte momenti i duhur. Mbrëmjen e së martës, skuadra e udhëhequr nga Fonseca regjistroi sukses, duke shpartalluar Sassuolon në shifrat 6-1, duke e kthyer ndeshjen në një festival golash. Pjesa e parë u dominua plotësisht nga Milani, i cili realizoi 4 herë në portën e kundërshtarit me Reijnders, Leao dhe dopietën e Chukwueze.
Në pjesën e dytë, vendasit vijuan po me ritëm të lartë, ku shënuan dhe dy herë të tjera me Calabria e Abraham, ndërsa miqtë ndalën topin në rrjetë për herë të vetme me Mulattierin. Me këtë triumf, kuqezinjtë avancojnë në çerekfinale të Kupës, ku do të përballen me fituesin e çiftit Roma-Sampdoria.
Kalimin më tej e siguroi dhe Bolonja, e cila mposhti me poker golash Monzën. Skuadra e Vincenzo Italiano dominoi takimin, duke mos i dhënë asnjë mundësi kundërshtarit t’i afrohej portës. Pobega zhbllokoi shifrat në minutën e 32’, e pas tij, po në fraksionin e parë, mendoi Orsolini për 2-0. Në fraksionin e dytë, Dominguez e më tej Castro vulosën fitoren 4-0, me Bolonjën që do të përballet më pas me fituesin e çiftit Atalanta-Cesena.
LEXONI GJITHASHTU:
- Bayern eliminohet nga Kupa e Gjermanisë, Neuer ndëshkohet me karton të kuq
- Manchester City në krizë! Guardiola rinovon deri në vitin 2026