Ministrja Ibrahimaj mbledh Këshillin e Investimeve: Vijon mbështetja për energjinë

31 Janar 2023 | 15:04

Këshilli i Investimeve zhvilloi mbledhjen e tij të radhës nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cila është kryetare e KI. Tema e kësaj mbledhjeje ishte “Sfidat e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në kalimin drejt burimeve alternative të Energjisë”.

Takimi nisi më fjalën hapëse të Ministres Ibrahimaj, duke vijuar më pas me prezantimin e vrojtimit të kryer nga Sekretariati i Këshillit të Investimeve “Sfidat e SME-ve: Tranzicioni drejt burimeve alternative të energjisë” dhe diskutimet e të pranishmëve në sallë.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi faktin se energjia ka qenë kryefjala e diskutimeve në nivel qeveritar dhe atë të biznesit në dy vitet e fundit. Edhe pse kjo periudhë nuk ka qenë e thjeshtë për bizneset, Ministrja tha se deri më tani ekonomia e vendit ka treguar rezistencë dhe fleksibilitet, në një kohë që qeveria ka reaguar dhe ka marrë masat e duhura.

Duke iu referuar temës së diskutimit, Ministrja u shpreh se tranzicioni i gjelbër dhe investimet në energjitë e rinovueshme, në të gjithë nivelet e bizneseve, është një punë dhe sfidë e përbashkët dhe shprehu gatishmërinë për të ndërmarrë iniciativat e duhura në këtë drejtim, në bashkëpunim me biznesin.

“Sfida që kemi është e ndryshme dhe përgjigja ndaj kësaj sfide është gjithashtu e ndryshme. Format e zhvillimit të biznesit duhet të ndryshojnë. Në nivel global ka vite që flitet për tranzicionin e gjelbër, ka vite që flitet për prodhimin e energjive të rinovueshme dhe për zgjidhjen e qëndrueshme për energjinë elektrike”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja pohoi se Shqipëria është një vend që energjinë elektrike e prodhon nga burime të rinovueshme dhe theksoi faktin se qeveria, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka marrë masa në funksion të përmbushjes së objektivit për të diversifikuar ofertën e energjisë elektrike.

Në një kohë që bizneset shqiptare e kanë të bazuar prodhimin e tyre kryesisht në energjinë elektrike, Ministrja Ibrahimaj përmendi faktin se qeveria ka subvencionuar dhe do të vijojë të subvencionojë çmimin e energjisë elektrike për pjesën më të madhe të bizneseve.

“Ne morëm një vendim që në vjeshtë të vitit 2021 që çmimin e energjisë elektrike nuk do ta ndryshonim sepse qoftë për bizneset, qoftë për familjarët, energjia elektrike është kryesore në shportën e shpenzimeve. Rezultatet e nismave që ne kemi ndërmarrë në fakt janë këtu, i kemi të gjitha të prekshme. Ekonomia ende po performon mjaft pozitivisht dhe viti 2023 ka filluar me shifra dhe tregues të mirë. Ne do të vijojmë ta mbështesim energjinë elektrike”, tha Ibrahimaj, ndërsa shtoi se biznesi i vogël dhe i mesëm mbështetet edhe përmes një politikë fiskale tepër lehtësuese.

Në përfundim të takimit, Ministrja Ibrahimaj ftoi pjesëmarrësit për të bërë sugjerimet e tyre lidhur me çështjen e diskutimit, por jo vetëm, dhe vuri theksin në përmirësimin e komunikimin dhe forcimin e bashkëpunimit me dhomat e tregtisë dhe shoqatat e biznesit.

LEXONI GJITHASHTU: 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026