English

Mos lejoni luftën në Ukrainë të eklipsojë një tjetër krizë humanitare

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Opinionet e shprehura në artikujt e kategorisë ‘Pikëpamje’ i përkasin vetëm autorit.

- Advertisement -

Vitin e shkuar, kur isha në Republikën Demokratike të Kongos shpërtheu vullkani Nyiragongo. Kjo e katapultoi vendin në qendër të vëmendjes, edhe pse për një periudhë afatshkurtër. Unë isha në terren për të bërë një vlerësim mbi një krizë masive urie, e cila prekte një shifër rekord prej 27 milionë personash.

Teksa po ecnim, u takuam me një ekip gazetarësh të CNN-it që kishin ardhur për të mbuluar shpërthimin e vullkanit, por ndër të tjera arritën t’i flasin miliona shikuesve edhe për emergjencën kronike dhe të neglizhuar të urisë së këtij vendi.

Por momente të tillë vëmendjeje mbarëkombëtare janë të rralla për vende si Kongo.

Përbërësit e kësaj neglizhence

Çdo vit, Këshilli Norvegjez i Refugjatëve boton një raport ku rendit dhjetë krizat e zhvendosjeve më të neglizhuara në botë, për t’u përqendruar mbi gjendjen e vështirë dhe vuajtjet e disa komuniteteve që rrallëherë arrijnë në faqet e para të shtypit ndërkombëtar, vende të cilat nuk marrin ndihma të mjaftueshme ndërkombëtare dhe nuk janë në fokus të diplomacisë botërore.

Për herë të parë, plot dhjetë krizat e përmendura në raport, gjendeshin në Afrikë.

Listën e kryeson kriza humanitare në Kongo. Është një shembull i ngjashëm me ato që pasqyrohen në tekstet shkollore kur flitet për emergjenca të nënvlerësuara. Një shtet tjetër i renditur po lart në këtë listë është Kameruni, ku vetëm në katër vitet e fundit ngjitet e zbret vazhdimisht nga vendi i parë në të tretin.

Shumica e mediave rrallëherë mbulojnë problemet e këtyre vendeve, përpos rasteve kur ndodhin shpërthime të papritura aktesh të dhunshme, vullkanike, apo sëmundjesh të ndryshme. Në disa kombe afrikane, përfshi këtu Nigerinë dhe Sudanin, mungesa e lirisë së fjalës në media e bën mbulimin e këtyre ngjarjeve edhe më të vobektë.

Shtoi kësaj përzierjeje të përbërësve të neglizhencës edhe mungesën e donatorëve në kriza të tej zgjatura prej vitesh, si ajo në Sudanin e Jugut, ose ajo e Kongos që vijon prej disa dekadash. Për të mos thënë pastaj se shumë vende afrikane konsiderohen jashtë interesave gjeopolitike të politikanëve të Perëndimit.

Por, rrallëherë janë ndjerë ndasi të këtij lloji më fort se këtë vit, ku dhjetë krizat që janë neglizhuar në Afrikë gjenden përballë reagimit mbarëkombëtar sjellë nga nisja e luftës në Ukrainë.

Pushtimi i Ukrainës eklipson krizën ushqimore globale

Konflikti i armatosur në Ukrainë ka nxjerrë në pah hendekun e thellë se çfarë mund të arrihet me mobilizimin e komunitetit ndërkombëtar, dhe vështirësitë e hasura nga miliona fatkeq zënë midis këtyre krizave të mbartura nga më herët.

Të gjithë qemë dëshmitarë të përgjigjes së madhe solidare përballë luftës së re në Europë. Kombe donatore, kompani private dhe publiku i gjerë kontribuuam zemër gjerësisht për operacionet e ndihmave. Apelet për ndihmë të Kombeve të Bashkuara u financuan plotësisht qysh ditën që u bë shpallja.

Veprimet politike qenë po aq të shpejta. Një javë nga nisja e luftës, Bashkimi Europian miratoi mbrojtjen e përkohshme të gjithë ukrainasve që largoheshin nga zonat ku luftohej, duke iu ofruar dhe leje njëvjeçare qëndrimi në Europë. Kjo shënoi herën e parë që jepej një direktivë e tillë.

Edhe OKB-ja veproi me shpejtësi. Vetëm tri ditë pas konfliktit, Këshilli i Sigurimit ia referoi krizën Asamblesë së Përgjithshme për të anashkaluar veton e Rusisë, e për të siguruar rezolutën ku dënohej dhuna e Rusisë. Kjo ishte hera e parë në 40 vjet që ky organ ndërmerrte një akt të tillë.

Njëkohësisht, situata humanitare po përkeqësohet edhe për miliona të tjerë të gjendur në mes të krizave që ka lënë nën hije lufta në Ukrainë. Popujt e vendeve të përmendura në listën tonë po zhyten gjithmonë e më thellë drejt urisë, pjesërisht për shkak të rritjes së çmimit të grurit dhe naftës si pasojë e pushtimit rus.

Në Kamerun, ku më shumë se gjysma e popullsisë vuante nga ky problem, kostoja e ushqimeve të importuara ka sjellë inflacionin e çmimeve të ushqimeve vendase. Për shtresën e popullsisë me të ardhura të ulëta, buka dhe produkte ushqimore bazike të tjera po bëhen gjithnjë e më të papërballueshme.

Organizata simotra me tonën kanë ngritur vazhdimisht shqetësimin për përkeqësimin e situatës humanitare në botë. Megjithatë, ende nuk janë marrë veprime konkrete dhe nga ana tjetër financimet për krizat e neglizhuara janë në rrezik.

Kombet e pasura shkurtojnë ndihmat përtej detit

Disa vende donatore po mendojnë, ose kanë vendosur, të tërheqin fondet e tyre nga vendet e tjera të botës për t’i ardhur në ndihmë krizës në Ukrainë dhe refugjatëve ukrainas në Europë.

Në Suedi, qeveria vendosi të përdorë mbi 10 miliardë krona suedeze, rreth një e pesta e buxhetit të ndihmave, për të strehuar refugjatë në Suedi.

Në Danimarkën fqinje, qeveria shkurtoi dy miliardë krona daneze nga buxheti i ndihmave për të strehuar refugjatë ukrainas dhe njoftoi se do të vijonte edhe më tej për të ndihmuar azilkërkuesit ukrainas në vend.

Në vendin tim, në Norvegji, qeveria rekomandoi së fundmi se do të merrte 4 miliardë krona norvegjeze nga fondi i zhvillimit, për të ndihmuar në pritjen e refugjatëve ukrainas në Norvegji. Kjo do të nënkuptonte shkurtimin e financimeve bazë të OKB-së, reduktimin e arsimimit të qytetarëve të saj jashtë vendit me 50 për qind, dhe anulimin e zotimeve të fundit dhe shumë të nevojshme për Afganistanin.

Këto shkurtime janë receta drejt një fatkeqësie dhe më së shumti do të ndihen nga popujt e pambrojtur në skajet më të varfra të planetit.

Reagimi ndaj luftës në Ukrainë duhet të jetë standardi i ri për solidaritetin ndërkombëtar, jo një justifikim për të dënuar popujt që janë më të varfër gjetkë. Si Bashkimi Europian dhe Kombet e Bashkuara kanë mjetet e duhura për të marrë masa menjëhershme – por vetëm nëse vendosin t’i përdorin ato. Ajo çka mungon është vullneti politik.

Ne i kemi sytë nga udhëheqësit tanë për hapin e radhës.

Jan Engeland është sekretari i përgjithshëm i Këshillit Norvegjez të Refugjatëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Kush mendoni se mund ta marrë drejtimin e Rithemelimit nëse Berishës i caktohet masa “Arrest në shtëpi”?
×