English

”Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë” – Ekspozita me rrëfimet personale dhe sendet e fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Këto janë këpucët e Redonit, kjo është çanta e Altinit dhe ky është hartimi i Naser Muqollit për Shkodrën, sendet e fundit të mbetura të tre prej 1133 fëmijëve të vrarë prej luftës në Kosovë.

- Advertisement -

Ekspozita “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë” ndodhet në Prishtinë në bibliotekën “Hivzi Sulejmani”.

E organizuar prej Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, në këtë ekspozitë gjenden të shkruar emrat e 1024 fëmijëve të vrarë dhe 109 fëmijëve të zhdukur. Shumë pak sende të tyre kanë mbetur nga koha e luftës.

“Të gjithë që kanë ardhur deri tani kanë kuptuar një anë tjetër të luftës.  Rrëfime personale mbi fëmijët me theks në jetën e tyre dhe jo aq shumë në rrethanat e vrasjes. Kjo ka bërë që çdokush të gjejë diçka personale në këto sende, për ta shtuar empatinë dhe për ta kuptuar më lehtë të kaluarën,” tha Dea Dedi, Menaxhere e Qendrës së Dokumentimit.

Fëmijët e vrarë prej 1 janarit të vitit 1998 deri më 30 dhjetor të vitit 2000 i përkasin të gjithë nacionaliteteve. Përveç fëmijëve ë vrarë nga Kosova, 50 janë serbë dhe 50 të komuniteteve të tjera. Ekspozitën e kanë vizituar edhe familjarë të viktimave.

“Për fat të keq një numër i madh i familjeve nuk ka mundur të ketë asgjë prej sendeve sepse shumica e shtëpive janë djegur bashkë me çdo send që ka qenë aty, kështu që ato familje kanë ardhur për të parë sendet e të tjerëve”.

Janë të shumta familjet nga qytete të ndryshme të Kosovës por edhe nga shtete të tjera që i ka bashkuar në këtë ekspozitë e shkuara dhe e ardhmja.

“Ata kanë parë gjithashtu se raste si e familjes së tyre ka patur edhe të tjera në Kosovë, gjithashtu se ajo që ka ndodhur nuk po harrohet, por po kujtohet edhe prej brezave të ardhshëm,” thotë znj. Dedi.

Në sallën mbushur me gjurmë nga e kaluara, Dea nënvizon se kujtesës historike i duhet dhënë vëmendja dhe hapësira e duhur, si dhe të vendoset drejtësia e munguar.

“Për fëmijët nuk ka patur deri tani një iniciativë, qoftë një ditë përkujtimore ose të dihet më shumë për rrethanat se si ata janë vrarë ose janë zhdukur. Ne e kemi parë të rëndësishme që të nisim pikërisht këtu duke kujtuar fëmijët e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.  Përveç kujtimit duhet të vazhdohet të kërkohet drejtësi për të gjithë viktimat, pasi për personat që kanë vrarë këto fëmijë nuk ka patur një gjykim, askush nuk është dënuar”, sqaron menaxherja e Qendrës për Dokumentimin.

Kjo ekspozitë do të vijojë të qëndrojë e hapur deri në muajin maj, ndërsa për objektet e fëmijëve të vrarë do të kërkohet krijimi i një hapësire në mënyrë që historitë e tyre të kujtohen gjithmonë.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?