Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka lëshuar një paralajmërim të fortë për 32 vendet anëtare të aleancës, duke kërkuar rritje të ndjeshme të fondeve, pajisjeve dhe përkushtimit politik, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po tërhiqen gradualisht nga roli udhëheqës në sigurinë e Evropës. Në raportin e tij vjetor, Rutte shkruan se “në vitin 2025, ne duhet të rrisim ndjeshëm përpjekjet tona për të siguruar që NATO të mbetet një burim kryesor i avantazhit ushtarak për të gjitha kombet tona. Liria dhe prosperiteti ynë i vazhdueshëm varen nga kjo”.
Raporti, ndryshe nga vitet e mëparshme, u publikua pa ndonjë konferencë shtypi apo deklaratë zyrtare shoqëruese. NATO nuk ka ofruar ndonjë shpjegim për këtë ndryshim të qasjes. Ndërkohë, Rutte ndodhej të enjten në Uashington për takime me zyrtarë të lartë amerikanë, në prag të një samiti të rëndësishëm të NATO-s që do të mbahet në Holandë këtë verë, ku udhëheqësit pritet të përcaktojnë objektiva të rinj për shpenzimet e mbrojtjes.
Që nga shkurti, pas deklaratës së Sekretarit amerikan të Mbrojtjes Pete Hegseth se prioritetet e sigurisë së SHBA-së janë zhvendosur dhe se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e vet dhe të Ukrainës, presioni ndaj aleatëve ka ardhur duke u rritur. Në vitin 2023, NATO ra dakord që të gjithë anëtarët të shpenzonin të paktën 2% të PBB-së për mbrojtje. Megjithatë, në raportin e fundit thuhet se vetëm 22 shtete e arritën këtë objektiv në vitin 2024. Belgjika, Kanadaja, Kroacia, Italia, Luksemburgu, Mali i Zi, Portugalia, Sllovenia dhe Spanja janë ndër vendet që ende nuk e kanë përmbushur këtë zotim. Ndërkohë, SHBA-ja, ndonëse ka ulur përqindjen e shpenzimeve në raport me PBB-në krahasuar me vitin 2014, mbetet vendi që shpenzon më shumë në terma absolutë, rreth 3.19% të PBB-së në 2024, më shumë se të gjithë anëtarët e tjerë së bashku. Sipas raportit, shpenzimet totale ushtarake të NATO-s vitin e kaluar arritën në rreth 1.3 trilion dollarë.
Në lidhje me luftën në Ukrainë, raporti i Rutte thekson se mbështetja e NATO-s për Kievin mbetet “e fortë” në vitin 2024, ndonëse thekson dëshirën për një “paqë të drejtë dhe të qëndrueshme”. Kjo paraqet një ton më të matur krahasuar me retorikën e mëparshme të paraardhësit të tij Jens Stoltenberg, i cili kishte theksuar se “Ukraina duhet të mbizotërojë si një komb i pavarur dhe sovran”. Në një shenjë të qartë të ndikimit amerikan në qëndrimet e NATO-s, Pete Hegseth ka deklaruar se Ukraina nuk do të rikthejë të gjithë territorin e saj të humbur dhe nuk do të anëtarësohet në aleancë, duke nxitur dyshime për angazhimin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, në raportin e tij, Rutte shkruan se aleatët e NATO-s mbeten të bashkuar përballë sfidave: “Duke parë nga e ardhmja, aleatët e NATO-s janë të bashkuar në dëshirën e tyre për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”.
LEXONI GJITHASHTU:
- “Vladimir, ndalo!” Donald Trump kritikon Putinin për sulmin ndaj Kievit
- Kiev goditet nga një sulm vdekjeprurës me raketa ruse dhe dron