Komisioni i posaçëm për reformën territoriale përmbylli këtë javë dëgjesat e para për efektin që ka dhënë ndarja territoriale e vendit në vitin 2014.
Për shoqërinë civile, ndarja e Shqipërisë në 61 bashki nuk i uli shpenzimet, ndërsa një pjesë e shërbimeve iu mohuan qytetarëve për shkak të largësisë së vendbanimit të tyre me njësinë administrative.
“Në çdo bashki shpenzimet për shërbime publike dhe shpenzimet për investime janë të rritura krahasuar më para reformës”, tha Albana Dhimitri nga Instituti i Politikave Publike dhe Private.
Kjo gjë konfimohet edhe nga përfaqësuesit e minoritetit grek në Shqipëri që ishin të pranishëm në komision.
“Një banor nga Karroqi që të mbërrijë në Finiq qendra administrative e bashkisë i nevojitet rrugëtim prej 2 ore në rrugë dheu, me mjete të posaçme me tarifë që kushton më shumë se 50 euro”, u shpreh kryetari i Omonia, Vasil Kajo.
Ndërsa akademikët, ngritën shqetësimin e humbjes së rolit të qarkut dhe mbështetën idenë e socialistëve për ndarjen e vendit në rajone.
“Qarku është diskredituar politik për shkak të vendimarrjes që është marrë nga partitë politike dhe tashmë nuk ka vend më për ekzistencën e tij por ka vend që funksionet e tij të mbeten në territor. Unë personalisht besoj se riorganizimi i vendit në 80 deri në 90 bashki, në një brand të ri 6 rajone do të ishte një formulë realiste në këtë fazë të zhvillimit të vendit që është specifike”, theksoi pedagogu Besnik Aliaj.
“Në përgjithësi sugjerohet që në lidhje me decentralizmin e pushtetit vendor mënyra më e mirë do të ishte pjesa e rajonalizimit. Pse? Sepse Shqipëria është një vend i vogël”, sipas pedagoges Oriona Muçollari.
I vetmi që doli kundër kësaj ideje ishte pedagogu Ervis Iljazi.
“Nuk jam për emërtimin rajon, se rajonet kanë kompetenca legjislative në të gjitha vendet që eksiztojnë dhe në Spanjë, edhe në Itali që janë shtete rajonale kanë kompetenca legjislative. Shqipëria, pushteti lokal ka vetëm kompetenca administrative”, deklaroi ai.
Gjatë muajit korrik përpara komisionit do të raportojnë kryetarët e 7 bashkive në vend, ku 6 prej tyre janë propozuar nga PS dhe 1 nga PD.
Pjesë e raportimeve do të jenë edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, Ministria e Financave dhe Ministria e Brendshme. Propozimet e para të palëve pritet të bëhen me nisjen e sesionit politik në muajin shtator.
LEXONI GJITHASHTU
- Minoriteti grek kundër reformës territoriale: Ndarja e 2014 ndikoi negativisht
- Shoqëria civile kundër reformës territoriale: Iu mohuan shërbimet qytetarëve
-
Reforma territoriale, 7 bashki raportim për efektin e ndarjes administrative