“Ne duam të ndalojmë miliona vdekje” – Trump bisedë telefonike me Putin

12 Shkurt 2025 | 18:31

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ka zhvilluar një telefonatë “të gjatë dhe shumë produktive” me homologun e tij rus, Vladimir Putin, dhe se ata kanë rënë dakord që ekipet e tyre të “fillojnë menjëherë negociatat” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Diskutuam për Ukrainën, Lindjen e Mesme, energjinë, inteligjencën artificiale, fuqinë e dollarit dhe tema të ndryshme të tjera”, tha Trump në një postim në rrjetin e tij social, Truth Social.

Trump shtoi se ai dhe Putini “duan të ndalojnë miliona vdekje që po ndodhin në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës”, ku vlerësimet për viktimat ushtarake nga të dyja palët, duke përfshirë të vrarët dhe të plagosurit, variojnë midis 1 dhe 2 milionë njerëz.

“Ne ramë dakord të punojmë së bashku, shumë ngushtë, duke përfshirë edhe vizitat në vendet e njëri-tjetrit. Gjithashtu, ramë dakord që ekipet tona përkatëse të fillojnë menjëherë negociatat”, tha ai, duke shtuar se ishte gati të telefononte presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyn, “për ta informuar atë mbi bisedën”.

Zyra e Zelenskyt më vonë e konfirmoi se dy liderët kishin folur në telefon.

Sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, Trump “shprehu mbështetje për një ndalim të menjëhershëm të armiqësive dhe për zgjidhjen e çështjes përmes mjeteve paqësore”.

“Presidenti Putin, nga ana e tij, përmendi nevojën për të eliminuar shkaqet rrënjësore të konfliktit dhe u pajtua me Trumpin se një zgjidhje afatgjatë mund të arrihet përmes negociatave paqësore”, tha Peskov.

Peskov shtoi se Putini e ftoi Trumpin ta vizitojë Moskën dhe se Rusia është e gatshme të presë zyrtarë amerikanë për bisedime.

Telefonata ishte kontakti i parë i drejtpërdrejtë i konfirmuar midis dy presidentëve që kur Trump, i cili është zotuar të ndërmjetësojë një fund të shpejtë të luftës, mori detyrën më 20 janar.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Eksperti: Po lind “NATO 3.0”, Turqia po fiton peshë strategjike

I ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, eksperti dhe gazetari Egon Loli komentoi Samitim e NATO-s në Turqi ku tha se deklaratat e presidentit...
22:32 | 07/07/2026

Izraeli propozim për një tubacion që anashkalon Ngushticën e Hormuzit

Varësia e vendeve të Gjirit nga dërgesat e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit mund të reduktohet ndjeshëm nga ndërtimi i një tubacioni që lidh Gjirin me...
21:37 | 07/07/2026

Danimarka i përgjigjet Trumpit: Grenlanda nuk është në shitje

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha sot se pret që aleatët e vendit të saj në NATO të respektojnë sovranitetin e saj kombëtar dhe të pranojnë që Groenlanda nuk është...
21:32 | 07/07/2026