Nga hetimet e bujshme te mbështetja ndërkombëtare, Karamuço: SPAK dominoi vitin 2025

30 Dhjetor 2025 | 22:16

Duke analizuar ngjarjet kryesore që shënuan vitin 2025, eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço, i ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, tha se ky vit mund të konsiderohet si viti i SPAK-ut, i karakterizuar nga intensiteti i hetimeve, arrestimet e bujshme dhe një rol i fortë ndërkombëtar në mbështetjen e drejtësisë shqiptare.

Sipas Karamuços, një pjesë e rëndësishme e punës së SPAK-ut është realizuar falë asistencës dhe ndikimit të drejtpërdrejtë ndërkombëtar, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai theksoi se mbështetja amerikane nuk ka qenë vetëm simbolike, por konkrete, përmes ekspertëve, trajnimeve, buxheteve dhe takimeve të drejtpërdrejta me përfaqësues të Departamentit të Shtetit për çështje specifike hetimore dhe prokuroriale.

Eksperti vuri gjithashtu në dukje se viti 2025 shënon jo vetëm forcimin institucional të SPAK-ut, por edhe përfundimin e mandatit të kreut të tij, Altin Dumani, i cili sipas tij ka lënë pas një standard të lartë pune.

Ky standard, theksoi Karamuço, do ta bëjë çdo drejtues pasardhës menjëherë të krahasueshëm dhe do të evidentojë çdo ngadalësim apo ndryshim ritmi në funksionimin e institucionit.

“Duhet thënë që një pjesë e punës së SPAK-ut është si një bisturi që nuk ka folur shqip, por anglisht. Kur them ndërkombëtarët, është SHBA-ja mbështetja më e fuqishme dhe asistenca më e madhe, me influencë, për vetë ekspertët që kanë sjellë për çështjet që po trajtohen, trajnimet dhe buxhetin që po japin dhe vazhdojnë ta japin, si edhe takimet që janë bërë sidomos nga përfaqësues të Departamentit të Shtetit, të cilat kanë qenë për çështje konkrete dhe kanë takuar prokurorë konkretë. Pa tjetër që ky është viti i SPAK-ut dhe viti i Altin Dumanit, që vërtet i mbaroi mandati, por ka lënë një trashëgimi, një standard, një stekë, që kushdo që do të vijë pas tij, ky që ka ardhur apo dikush tjetër, nëse do të jetë më i ngadaltë, do të bjerë menjëherë në kontrast, sepse jemi mësuar me një tempo dhe ritëm tjetër. Do t’i referohem një termi që është përdorur këto ditë në korridoret e BE-së, ku SPAK-u është parë si një ‘Dr. Frankenstein’, si një ‘përbindësh’ në kuptimin pozitiv. Sot kemi një strukturë që po eklipson çdo gjë tjetër në realitetin shqiptar, për shkak të forcës, agresivitetit, shpejtësisë dhe zënies së hapësirës mediatike me shumë lajme. Nga ana tjetër, edhe vetë media është fokusuar më shumë te aktiviteti i SPAK-ut sesa te politika, duke bërë lajme mbi çështjet, hetimet dhe arrestimet e bujshme që kanë ndodhur. Sigurisht që SPAK-u nuk është marrë vetëm me politikanë, por ka goditur edhe persona të krimit të organizuar, pavarësisht se gjysma në mos më shumë e tyre janë në kërkim. Edhe ata që janë jashtë, e kanë situatën të pasigurt për shkak të marrëveshjeve që kemi për kthimin e tyre, dhe tashmë kanë nisur të shtegtojnë drejt vendeve si Rusia, ku mendojnë se janë më të mbrojtur”, tha Karamuço.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026