O’Brien: Kosova ta themelojë Asociacionin, Serbia të dënojë sulmin e Banjskës
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, i ka kërkuar Kosovës të hënën ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa i bëri thirrje Serbisë t’i mbajë përgjegjës ata të cilët kishin gisht në sulmin e 24 shtatorit në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.
Përgjegjësinë për sulmin në Banjskë ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i serbëve të armatosur – ku u vranë një polic dhe tre sulmues, e mori Millan Radoiçiç, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Kosova e fajësoi Serbinë për sulmin, e cila e mohoi çdo përfshirje, por e ka lënë të lirë Radoiçiqin, me kusht që të mos udhëtojë drejt Kosovës, shkruan REL.
Në një postim në rrjetin social X, O’Brien tha se nevojitet zbatim i plotë i marrëveshjeve të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE).
“E mirëpres vizitën e Mirosllav Lajçakut me Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçiçin. SHBA-ja e mbështet fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Nevojitet zbatim i plotë i marrëveshjeve”, tha ai.
I dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Beograd të hënën, para se ta vizitojë Kosovën të martën.
Kosova dhe Serbia e arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve dhe Aneksit për zbatimin e saj në fillim të vitit të kaluar, por kanë dështuar t’i zbatojnë ato, pavarësisht trysnisë ndërkombëtare.
Në fund të vitit të kaluar, Serbia, përmes një dokumenti tha se, nuk e ka ndër mend të zbatojë pjesë të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën, duke e shqetësuar bllokun evropian, i cili tha se marrëveshja dhe aneksi i Ohrit janë ligjërisht të detyrueshëm për palët.
Në tetorin e kaluar, përfaqësuesit e BE-së, SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, ua paraqitën palëve një draft-statut për formimin e Asociacionit, të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Vuçiç, e pranuan në parim.
Por, pas deklaratës së të dërguarit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, se çështja e statutit është çështje e brendshme e Kosovës, Kurti tha se atëherë edhe Kosova duhet të jetë autore e atij dokumenti.
O’Brien i përsëriti thirrjet e SHBA-së që Banka Qendrore e Kosovës të mos e zbatojë një rregullore e cila i jep fund përdorimit të dinarit serb për pagesa me para të gatshme.
Ai kërkoi që të ketë bashkërendim për vendimin që valuta e vetme në Kosovë për pagesa me para të gatshme të jetë euroja.
Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë. Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.
O’Brien i kërkoi Kosovës po ashtu t’i mbajë zgjedhjet e reja në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit.
Kosova ka thënë se është e hapur për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, nëse kryetarët e tanishëm shqiptarë shkarkohen përmes peticionit nga qytetarët me të drejtë vote.
Qytetarët në këto komuna kanë nënshkruar peticione këtë muaj për shkarkimin e tyre. Tani, nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë të përshtatshme dhe i verifikon ato, organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditëve. Që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohet 50 për qind plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.
Kryetarët shqiptarë u vendosën në zyrat e tyre në katër komunat me shumicë serbe pas zgjedhjeve të kundërshtuara dhe bojkotuara nga serbët lokalë në prill të vitit të kaluar, duke nxitur rritje të tensioneve në atë pjesë të vendit.
LEXONI GJITHASHTU:
Kurti kundër rikthimit të gjyqtarëve e prokurorëve serbë: Largimi i tyre ishte akt politik
Gjykata Themelore dënon me 2 vite burg dhe 5 mijë euro gjobë ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti
Dështon mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, nuk merret vendim për kthimin e gjyqtarëve serbë
- 18:15 73-vjeçari humbi jetën në aksident, banorët e Përparimit kërkojnë masa urgjente në aksin Elbasan–Peqin
- 17:47 Hani i Hotit dhe Muriqani me fluks të lartë automjetesh, Policia raporton ulje të aksidenteve në Shkodër
- 17:40 Tregu i punës në vështirësi, papunësia në Shqipëri mbetet sfidë
- 17:32 Dinamo barazon në Slloveni, kualifikimi ndaj Aluminij vendoset në “Elbasan Arena”
- 17:16 Dy vatra zjarri në Himarë, zjarrfikësit dhe Forcat e Armatosura në terren
- 16:50 Pas orësh negociatash me RENEA-n, 35-vjeçari qëllon veten në automjet