Osmani: Serbia të mbahet përgjegjëse për shkeljen e marrëveshjes drejt normalizimit

7 Tetor 2023 | 11:22

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se me sulmin në Banjskë më 24 shtator, Serbia ka shkelur Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve.

Ajo tha se gjatë takimit në Granda të Spanjës me shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka kërkuar që Serbia të mbahet përgjegjëse për ngjarjet në Banjskë të Zveçanit.

“Gjatë takimit të Komunitetit Politik Evropian u takua me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, për të diskutuar për aktin e agresionit të Serbisë kundër Kosovës. Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për shkeljen e qartë të nenit 3 të marrëveshjes së 27 shkurtit, që parashikon obligime që palët të përmbahen nga kërcënimet apo përdorimi i forcës”, shkroi Osmani në X, që më herët njihej si Twitter.

Marrëveshja të cilës iu referua presidentja Osmani është arritur më 27 shkurt në Bruksel. Më pas, Kosova dhe Serbia një muaj më vonë në Ohër janë pajtuar për Aneksin e zbatimit të saj. Megjithatë, BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kërkojnë që palët të zbatojnë këtë marrëveshje.

Neni 3 i kësaj marrëveshjeje thotë: Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do ta zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre vetëm në mënyrë paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi apo përdorimi i forcës.

Më 24 shtator, një grup personash të maskuar dhe armatosur sulmuan policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit – komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe.

Si pasojë e sulmit, mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe autoritetet thanë se gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kurti: Kosova po shqyrton mundësinë për ta përdorur gazin amerikan në të ardhmen

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se vendi po e shqyrton mundësinë për ta përdorur gazin e lëngëzuar (LNG) nga...
18:07 | 15/07/2026

Ish-kryeministri i Kosovës, Hoti: Askush nuk është mbi LDK-në

Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputet i zgjedhur i DK-së, Avdullah Hoti ka festuar dërgimin e firmave që kërkojnë shkarkimin e kryetarit, Lumir Abdixhiku. “Forca e...
15:23 | 15/07/2026

Dorëzohen firmat që kërkojnë shkarkimin e liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku

Dorëzohen firmat që kërkojnë shkarkimin e liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Lajmin e ka konfirmuar për Euronews Albania, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj. Gazetari i...
12:52 | 15/07/2026