Osmani u ndan medalje 3 të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

18 Prill 2025 | 17:04

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka ndarë të premten medalje presidenciale, “Nderi i Republikës”, tre të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në një ceremoni të premten në Presidencë, Osmani u ndau medalje Vasfije Krasniqit, Shyrete Tahirit dhe Ramadan Nishorit, të cilët janë viktimat e vetme që kanë rrëfyer publikisht se janë dhunuar seksualisht nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998-99.

Sipas deklaratave publike të zyrtarëve të institucioneve të Kosovës, gjatë luftës së fundit kanë ndodhur rreth 20 mijë raste të dhunës seksuale.

Osmani tha se Krasniqi, Tahiri dhe Nishori janë zëri i së vërtetës që po pret drejtësi me dekada.

“Ka momentet kur fjalët nuk mjaftojnë për ta shprehur mirënjohjen, siç ka edhe njerëz që me guximin e tyre të lënë pa fjalë. Sot, përulemi me respektin me të thellë përballë tre individëve që janë më shumë sesa thjesht individë. Vasfije Krasniqi, Shyrete Tahiri dhe Ramadan Nishori do të mbetet sot e përgjithmonë emra të gdhendur në ndërgjegjen kolektive të popullit tonë”, tha Osmani gjatë ceremonisë.

Vasfije Krasniqi, e cila ishte gruaja e parë që foli haptazi për përjetimet e saj vite më parë, u bëri thirrje viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës të mos heshtin.

“Të dashura viktima, ju lus që kudo që jeni, ka ardhur koha për të kërkuar drejtësi. Mos të fshihemi prapa asaj që ka ndodhur, mos t’ia falim Serbisë krimet që i ka bërë. Faleminderit familjes që më ka mbështet dhe nuk më ka paragjykuar”, tha Krasniqi pasi e pranoi medaljen.

Shyrete Tahiri, e cila u bë gruaja e dytë në Kosovë, pas Krasniqit, që ka folur publikisht për përjetimet e dhunës seksuale në luftë, tha se ndihet mirënjohëse ndaj njerëzve për kurajën që ia ofrojnë.

“Dua ta falënderoj presidenten tonë, e cila na mbështet gjithmonë, sidomos në drejtësi. Kur kemi drejtësi, kemi paqe”, tha ajo.

Ramadan Nishori është viktima më i fundit dhe burri i parë që e pranon publikisht se është dhunuar seksualisht nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Unë desha vetëm dy fjalë. E përshëndes gjithë popullin tonë që më ka përkrahur shumë: faleminderit shumë”, tha Nishori të premten.

Numri i saktë i personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99, nuk dihet.

Por, sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20.000.

Megjithatë, statusin ligjor si të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës e kanë marrë vetëm afër 2.000 persona.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026

Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Zyra e Kurtit ka zbuluar detaje...
15:30 | 03/06/2026

Haxhiu gjatë takimit me Costan: Rruga drejt BE-së, interes strategjik i Kosovës

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se rruga e vendit drejt Bashkimit Evropian është interes strategjik shtetëror. Këto deklarata ajo i...
13:38 | 03/06/2026