OVL e UÇK-së konfirmon se një veteran u arrestua në Serbi

25 Nëntor 2025 | 16:42

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Syla, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Serbia ka arrestuar një ish-pjesëtar të UÇK-së.

Sipas tij, Avni Qenaj nga fshati Romajë i Prizrenit, që u arrestua sot, ishte pjesë e brigadës 138 “Agim Ramadani” në Koshare.

“Ai është arrestuar dhe sipas informacioneve që kemi, me gjasë ia kanë gjetur kartelën e anëtarësisë së veteranit që e kemi, në xhep kur e kanë kontrolluar. Ndërkaq, sipas informacioneve që morëm ne, Qenaj kishte kaluar dy-tri herë andej [nëpër Serbi] dhe nuk ka pasur ndonjë problem”, tha Syla për Radion Evropa e Lirë.

Më herët gjatë 25 nëntorit, Ministria për Punë të Brendshme të Serbisë tha se është arrestuar një ish-pjesëtar i UÇK-së, të cilin e identifikoi vetëm me inicialet A.Q.

Sipas kësaj ministrie, ai dyshohet se gjatë luftës në Kosovë ka kryer veprën penale të organizimit të një grupi dhe nxitjen për kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës.

Në njoftim pretendohet se i dyshuari në prill të vitit 1998 i është bashkuar shtabit lokal të UÇK-së për fshatin Romajë në komunën e Prizrenit dhe se si pjesëtar i brigadës 138 “Agim Ramadani” ka marrë pjesë në sulmin ndaj posti kufitar serb në Koshare në vitin 1999.

Të dyshuarit A.Q. (1973) i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh dhe MPB-ja serbe shtoi se në prokurorinë kompetente ndaj tij do të dorëzohet një kallëzim penal.

Autoritetet në Kosovë ende nuk kanë reaguar për këtë pretendim të Serbisë.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar me pyetje Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për këtë çështje dhe është në pritje të përgjigjes.

Viteve të fundit, në Serbi janë arrestuar disa qytetarë të Kosovës, të cilët Beogradi pretendon se kanë kryer krime të luftës.

Në korrik të këtij viti, Lulzim Halili u arrestua nga Serbia nën dyshimet për krime lufte dhe nën pretendimet se kishte qenë pjesë e brigadës 138 “Agim Ramadani” në Koshare. Atëbotë, Organizata e Veteranëve të UÇK-së, tha se emri i tij nuk figuronte në listën e veteranëve e as në atë të pjesëmarrësve në këtë betejë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

3 vite pa kryeprokuror, Kosova zgjedh kreun e organit të akuzës

Kosova mund të bëhet shumë shpejt me Kryeprokuror të Shtetit, pas tre vitesh funksionimi me ushtrues detyre në këtë pozitë të rëndësishme. Në mbledhjen e...
20:41 | 13/07/2026

Deklarata skandaloze e ministres serbe: Nëse do isha unë në 1998 do e kisha pastruar etnikisht Kosovën

Ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviç, ka bërë një deklaratë skandaloze që ka shkaktuar reagime të shumta, gjatë...
20:06 | 13/07/2026

Gjermani Dirk Schubel emërohet përfaqësues i posaçëm i BE-së në Kosovë

Dirk Schübel është emëruar Përfaqësues i ri Special i Bashkimit Evropian për Kosovën. Ai do ta marrë detyrën më 1 shtator 2026, me një mandat...
12:44 | 13/07/2026