Paketa anti-shpifje, Rama: Do ta miratojmë, Komisioni i Venecias s’ka thënë se është jo-demokratike

7 Tetor 2020 | 10:31

Kryeministri Edi Rama këmbënguli të mërkurën gjatë një konference të përbashkët me ministren e Jashtme suedeze Ann Linde se qeveria do ta kalojë paketën anti-shpifje dhe se Komisioni i Venecias në rekomandimet e tij nuk ka thënë se “drafti është jo-demokratik”.

Rama tha gjatë konferencës se draftin e ri të paketës ligjore që ndryshon ligjin e medias online, njohur ndryshe nga qeveria shqiptare si “paketa anti-shpifje”, nuk do ta dërgonte më në Komisionin e Venecias. Me ironi ai u shpreh se “ishte krenar” që po kalonte një ligj të tillë edhe pse kishte kryesuar këtë vit presidencën e OSBE-së.

Ministres së Jashtme suedeze Ann Linde iu kërkua koment dhe se çfarë qëndrimi kishte vendi i saj rreth kësaj çështjeje. Gazetari i Rrjetit Ballkanik të Gazetarëve Hulumtues (BIRN) Besar Likmeta i kujtoi ministres se Këshilli Evropian i ka vendosur Shqipërisë çështjen e ligjit të medias si parakusht për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare për integrimin. Likmeta tha se “Këshilli ka kërkuar që qeveria të dëgjojë thirrjen e Komisionit të Venecias, që ligji nuk është në përputhje me standardin evropian”.   

“Suedia është mbrojtëse e hapur e lirisë së medias dhe është e rëndësishme që qeveria të diskutojë me gazetarët dhe shoqërinë civile në këtë proces,” – tha ministrja suedeze teksa më pas u ndërpre nga ndërhyrja e kryeministrit Rama, i cili e konsideroi me qasje të rreme kërkesën për koment të gazetarit Likmeta.

“Ajo që u tha është e rreme, draft-ligji u diskutua më shumë se një vit, me OSBE-në, e nisëm me modelin gjerman, na u tha se nuk ishte demokratik, vazhduam me modele franceze dhe kroate dhe na u tha se edhe ato nuk ishin demokratike, më pas bëmë një [draft] shumë demokratik të bazuar në konsulencën e OSBE-së që në këndvështrimit tim nuk trajton atë plagën dhe murtajën e debatit shqiptar në lidhje me lajmet e rreme, shpifjen, sulmet personale dhe diskriminimin e njerëzve, por sërish ofron së paku mundësinë që njerëzit të mbrojnë veten kur gjenden të sulmuar, dhe kur po flisnim për këtë ligj mbështetja më e madhe vinte nga biznesi sepse ata shantazhohen çdo ditë, megjithatë ne e dërguam ligjin në Komisionin e Venecias, ai nuk tha se ligji është në kundërshti me parimet demokratike ai dha disa rekomandime që ne do t’i respektojmë një-për-një, sepse në këtë xhungël disinformimi dhe sulmi ndaj personaliteteve apo keqedukimit të të rinjve, së paku individët duhet të kenë të drejtën të kërkojnë llogari përpara gjykatës çdokujt që po i sulmon duke u fshehur pas anonimitetit, kjo nuk mund të vazhdojë

“Ju sugjeroj të shihni filmin “Dilema Sociale” [Social Dilemma], shiheni dhe le ta diskutojmë,” – u shpreh në fund Rama.

“Dilema Sociale” është një dokumentar i Jeff Orlowskit, prodhuar dhe shfaqur së fundmi në rrjetin Netflix. Dokumentari hedh dritë mbi ndikimin e teknologjisë dhe rrjeteve sociale në jetën e përditshme.

Ai mëton të ndërgjegjësojë dhe të ngre gishtin te kompanitë e mëdha të teknologjisë, si Google, Facebook apo Twitter, të cilat sipas ekspertëve të marrë në pyetje, nxisin varësinë e njerëzve te teknologjia dhe nuk kujdesen të mbajnë larg materialet apo informacionet e pa-vërteta, dhunën, bullizmin, që promovohen në platformat e tyre.

Facebook ka hedhur poshtë pretendimet dhe e ka konsideruar dokumentarin “konspiracon me natyrë sensacionaliste”. 

“Në vend që të ofrojnë një vështrim të gjerë ndaj teknologjisë, dokumentari jep një pamje të deformuar të mënyrës se si platformat e mediave sociale përshkallëzojnë ato që janë vështirësi dhe probleme komplekse të shoqërisë. Krijuesit e filmit nuk përfshijnë njohuritë nga ata që aktualisht punojnë në kompanitë, ose ndonjë ekspert që ka një këndvështrim tjetër për narrativën e paraqitur nga dokumentari,” – thuhet në një reagim të Facebook.

 

Lexoni gjithashtu:

Lufta kundër krimit të organizuar, kryeministri Rama konferencë me ministren e Jashtme suedeze

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rama reagon sërish për Zvërnecin: Nuk sheh syri, sheh mendja

Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të mërkurë në kuadër të debatit dhe protestave kundër projektit në Zvërnec, duke publikuar një status të plotë ku...
18:36 | 03/06/2026

Kryebashkiakët e Dibrës kundër ndryshimit të hartës territoriale: Do të vështirësonte shërbimet ndaj qytetarëve

Kryetarët e të gjitha bashkive të Qarkut të Dibrës janë shprehur kundër çdo ndryshimi të mundshëm të hartës territoriale, gjatë një seance dëgjimore në Komisionin...
18:00 | 03/06/2026

“E dija që i kishte paratë”, Berisha për Zvërnecin: Kam qenë dakord që në fillim me projektin Kushner

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha në një komunikim për mediat nga mbledhja e grupit të PD se ka qenë pro projketit për investimin...
13:56 | 03/06/2026