Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka ftuar sot në një mbledhje të përbashkët Kryesinë dhe Grupin Parlamentar të PDK-së për të diskutuar për zhvillimet e fundit në vend.
Në një njoftim për mediat në këtë mbledhje u diskutua për gjendjen në pjesën veriore të vendit, vendosjen e barrikadave, nevojën e veprimeve të përgjegjshme dhe konkrete të Qeverisë, si dhe domosdoshmërinë e partneritetit me aleatët ndërkombëtarë.
Kryetari Krasniqi ka njoftuar Kryesinë dhe Grupin Parlamentar edhe për takimin që kishte sot me Zëvendësndihmësin e Sekretarit të Shtetit, që është edhe i Dërguari i Posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Kryetari Krasniqi ka ripërsëritur qëndrimin konsistent të PDK-së dhe pesë pikat që duhet të jenë shtyllat kryesore për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë, e që janë: 1. Ruajtja e karakterit unitar të shtetit tonë sipas rregullimit aktual kushtetues, 2. Njohja formale nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, 3. Nisjen e procesit të anëtarësimit në NATO përmes pjesëmarrjes në partneritetin për paqe si hap i parë, 4. Marrjen e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE dhe 5. Njohjen e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë”- thuhet në njoftim.
Në lidhje me situatën në pjesën veriore të Kosovës, në këtë takim u konstatua se vendosja e barrikadave nga bandat kriminale, të orkestruara nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe thirrjet e tij luftënxitëse, janë alarm për qytetarët, shtetin e Kosovës, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare.
“Territori i Republikës së Kosovës është një dhe i paprekshëm. Nuk mundet dhe nuk do të ketë krijim të një realiteti të ri në pjesën veriore të Kosovës”-mësohet të jetë thënë në takim.
Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se normalizimi i kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme të krijuar në pjesën veriore të Kosovës nuk mund të tolerohet. Barrikadat nuk guxojnë të kthehen në përditshmëri të re.
LEXONI GJITHASHTU:
- Përplasje Rama-Yuri Kim për kreun e ri të SPAK-ut? Flet deputeti i PS-së
- Escobar: Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga SHBA-ja
- Arben Pëllumbi: Njoftimi i ministrisë për Yuri Kim-in, jo lapsus diplomatik