Përditësime LIVE 12 mars: Dita e shtatëmbëdhjetë e sulmit rus në Ukrainë
Sot është dita shtatëmbëdhjetë e luftimeve në Ukrainë që nga mëngjesi i 24 shkurtit, kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi një “operacion ushtarak” dhe rusët nisën sulmet në të gjithë territorin e Ukrainës.
Zhvillimet kryesore të 24 orëve të fundit
- Putin refuzon armëpushimin e kërkuar nga Franca dhe Gjermania.
- Macron dhe Scholz i kërkojnë ‘armëpushim’ Putinit në një bisedë telefonike të gjatë.
- Ministria britanike e mbrojtjes raporton se trupat ruse janë pozicionuar 25 km larg Kievit.
- Zelensky thotë se janë vrarë rreth 1.300 ushtarë ukrainas dhe 6.000 rus.
- Ukraina akuzon Rusinë për rrëmbimin e kryebashkiakut të Melitopolit.
- Presidenti amerikan Joe Biden u shpreh se ndërhyrja e SHBA në Ukrainë do të shkaktonte Luftën e Tretë Botërore
- Akuza të ndërsjella mes Ukrainës dhe Rusisë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB mbi zhvillimin e armëve kimike.
20:45 – SHBA autorizon fondin $200 milionë për financimin e armëve për Ukrainën
Presidenti Joe Biden ka akorduar dhe $200 milionë të tjerë për mbështetjen ushtarake të Ukrainë, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Fondet do të përdoren për të blerë armë dhe pajisje të tjera ushtarake nga stoku i departamentit amerikan të mbrojtjes.
Kongresi ka miratuar një fond emergjence prej $13.6 miliardë për Ukrainën
20:30 – Ukraina do të negociojë, por nuk dorëzohet, thotë ministri i jashtëm
Ministri i Jashtëm i Ukrainës ka thënë se vendi është i gatshëm të negociojë më Rusinë, por nuk do ta pranonte kurrsesi kapitullimin apo ultimatumet e Putinit.
Dmytro Kuleba tha në një konferencë për shtyp se “kërkesat e Moskës janë të papranueshme për Kievin”.
20:00 – Rusia ka rekrutuar rreth 16 mijë mercenarë nga Lindja e Mesme, ministria britanike e mbrojtjes
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Presidenti Vladimir Putin ka rekrutuar 16 mijë mercenarë, kryesisht vullnetarë nga Lindja e Mesme.
Lajmi është përfolur dhe më parë, pasi dyshohej se Rusia po planifikonte të dërgonte në frontin e luftës mercenarë nga kompanitë ushtarake private ruse.
19:30 – Paypal njofton se do të pezullojë transaksionet për Rusinë
Paypal do të pezullojë transaksionet si dërgesa dhe tërheqje parash nga Rusia.
“Në mënyrë që të pakësojmë probleme me shërbimin në të ardhmen, ju nxisim të tërhiqni balancën aktuale nga llogaria juaj deri më 18 mars 2022,” thuhej në njoftimin e kompanisë.
19:00 – Zv-drejtori i Aeroflotit rus largohet nga Rusia

Zëvendës drejtori i kompanisë ajrore ruse Aeroflot thotë se ka dhënë dorëheqjen dhe është larguar nga vendi.
Andrei Panov shkruan në Facebook ‘jeta e vjetër ka marrë fund’.
Mediat ruse kanë raportuar më herët se presidenti i kompanisë është larguar nga Rusia, por vetë kompania e ka hedhur poshtë këtë deklaratë si ‘të pavërtetë’.
18:35 – Vazhdon dialogu mes grupeve negociatore të Ukrainës dhe Rusisë
Këshilltari i presidentit të Ukrainës ka konfirmuar se negociatat me palën ruse ‘vijojnë papushim’.
Ai theksoi se qëndrimi i Ukrainës është i vendosur sipas direktivave të mëparshme, pra armëpushimin e menjëhershëm.
18:35 – Rrëzohen dy helikopterë rusë pranë Kherson
Pamjet: Anton Gerashchenko by Euronews Balkans
Dy helikopterë rusë janë rrëzuar në Skadovsky, në rajonin e Khersonit.
Sipas autoriteteve, vetëm njëri prej pilotëve ka shpëtuar dhe po mjekohet në spital.
18:25 – 7 viktima pas sulmit në korridorin e gjelbër të Kievit, konfirmon ministria e mbrojtjes
Mediat lokale raportuan se ushtarët rus kishin hapur zjarr drejt një karvani makinash me gra dhe fëmijë të evakuuar nga Kievi.
Të paktën 7 persona janë vrarë, përfshi dhe një fëmijë.
Lajmi tashmë është konfirmuar dhe nga Ministria e Mbrojtjes. Sipas tyre, ushtria i ka detyruar të kthehen pas në fshatin Peremoha, ku vazhdojnë të qëndrojnë të izoluar.
17:45 – Gjjithë Ukraina është kthyer në front lufte, fshatrat janë shuar, thotë Zelensky
Presidenti i Ukrainës ka deklaruar se Ukraina është më e bashkuar se kurrë përballë rrezikut të pushtimit rus.
“Kjo luftë, një luftë e vështirë, e ka bashkuar me të vërtetë kombin tonë. Ju më pyesni sesi është situata në front… por në të vërtetë i gjithë vendi është kthyer në front”, tha Zelensky.
“Disa fshatra të vogla janë shuar. Dhe kjo është tragjedia më e madhe. Thjesht nuk ekzistojnë më. Dhe njerëzit nuk janë më, kanë ikur përgjithmonë. Kështu që të gjithë jemi në frontin e luftës”, tha ai.
Sipas presidentit, 1.300 ushtarë ukrainas janë vrarë në luftë.
Sipas tij, negociatat për paqe duhet të kenë si pikënisje armëpushimin.
“Kështu fillon të marrë fund lufta në një botë të civilizuar”, tha ai.
17:30 – Gjermania regjistron rreth 123 mijë refugjatë nga Ukraina
Rreth 123 mijë refugjatë ukrainas kanë mbërritur në Gjermani që nga fillimi i luftës. Sipas ministrisë së jashtme, shifra mund të jetë shumë më e lartë pasi nuk ka kontrolle në pikat kufitare me Poloninë.
Sipas të dhënave nga Agjencia e OKB për refugjatët, 2.5 milionë ukrainas janë shpërngulur nga vendi i tyre.
17:15 – Zelenskiy: Deri tani janë vrarë 1300 ushtarë ukrainas
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy thotë se janë vrarë rreth 1300 ushtarë ukrainas që prej nisjes së pushtimit rus.
Ai pretendon se rreht 500-600 ushtarë rus janë dorëzuar tek forcat e Ukrainës vetëm gjatë ditës së premte.
Zelenskiy thotë se Ukraina dhe Rusia kanë nisur të negociojnë në terma konkretë, ndryshe nga se është vepruar deri tani me shkëmbime ultimatumesh.
“Perëndimi duhet të përfshihet më shumë në negociata për t’i dhënë fund luftës”, tha ai.
16:10 – Putin refuzon kërkesën për armëpushim në Ukrainë
Një zyrtar i Presidencës franceze thotë se Vladimir Putin nuk ka shfaqur vullnet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë gjatë një bisede telefonike me presidentin Macron dhe kancelarin gjerman, Scholz.
Agjencia e lajmeve “Reuters” raporton se lideri francez dhe gjerman kanë përsëritur thirrjen e për armëpushim të menjëhershëm si kusht për negociata të plota.
15:00 – Macron dhe Scholz thirrje Putinit për armëpushim
Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron i kanë bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të pranojë armëpushimin me Ukrainën, gjatë një telefonate që ka zgjatur 75 minuta.
“Biseda ishte në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë”, tha një zëdhënës i Scholz, i cili theksoi se krerët e shteteve kanë rënë dakord që të mos zbulojnë më shumë nga biseda e tyre.
14:40 – Trupat ruse rrethojnë periferinë e Mariupolit, Zelensky thirrje Moskës t’i përmbahet armëpushimit
Ushtria ukrainase thotë se trupat ruse kanë rrethuar periferinë e Mariupolit.
Banorëte e Mariupolit kanë më shumë se një javë pa energji elektrike, ujë dhe ushqime.
Disa herë është bërë përpjekje për të evakuuar qytetarët, por operacionet kanë dështuar pasi trupat ruse pretendohet se hapin zjarr ndaj tyre.
Zelensky i bëri thirrje Moskës t’i përmbahet marrëveshjes së armëpushimit dhe e akuzoi se nuk po lejon ushtrinë e Ukrainës të ndihmojnë në nxjerrjen e civilëve.
14:10 – Mbi 2 mijë qytetarë kërkojnë lirimin e Fedorovit
Protesta në Melitopol by Euronews Balkans
Më shumë se 2 mijë qytetarë kanë dalë në protesta në qytetin e Melitopolit. Ata kanë marshuar drejt administratës shtetërore rajonale, e cila është nën kontrollin e trupave ruse, dhe kërkojnë lirimin e kryebashkiakut Ivan Fedorov.
13:55 – Bombardohen shkolla dhe banesa në Luhansk

Si pasojë e bombardimeve të vazhdueshme janë djegur shkolla sportive gjimnaze dhe një apartament në një ndërtesë të lartë dhe 11 shtëpi private në Rubizhne, në rajonin e Luhanskut.
Në fshatin Kremina, ekipet zjarrfikëse kanë gjetur një person të vdekur mes rrënojave dhe 2 të plagosur.
13:45 – 2 fëmijë mes 5 viktimave nga një sulm pranë Kharkivit

Trupat e dy fëmijëve, dy grave dhe një burri janë nxjerrë ditën e sotme nga rrënojat e një ndërtese dykatëshe në fshatin Slobozhanske, në rajonin e Kharkivit.
13:30 – Macron dhe Scholz bisedojnë me Putin për luftën në Ukrainë
Presidenti francez dhe kancelari gjerman kanë biseduar të shtunën me presidentit rus për pushtimin e Ukrainës, një ditë pas Samitit të Versajës.
Macron dhe Scholz i kanë kërkuar Putinit “armëpushim të menjëhershëm”.
Kjo është hera e nëntë që Macron bisedon me Putin që nga takimi i tyre në Kremlin më 7 shkurt.
13:15 – 79 fëmijë të vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë
Të paktën 79 fëmijë kanë humbur jetën në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus, ndërsa qindra janë plagosur, sipas një raporti të Kryeprokurorisë publikuar të shtunën.
Shumica janë nga rajonet e Kievit, Kharkivi, Donjecku, Sumy, Kherson dje Zhytomir.
Rreth 280 institucione arsimore janë dëmtuar në mbarë vendin, raportojnë mediat vendase.
13:00 – Italia sekuestron jahtin e miliarderit rus

Autoritetet italiane kanë sekuestruar jahtin me vlerë €530 milionë në pronësi të bilionerit rus Andrey Melnichenko.
Jahti, i cili mendohet se është më i madhi në botë, u sekuestrua në portin e Triestes, deklaroi kryeministri Mario Draghi.
12:55 – Ushtria ruse pësoi humbjet më të mëdha ndër dekada, thotë Zelensky
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka publikuar një video të re të shtunën ku deklaron se ushtria ruse ka pësuar humbjet më të mëdha në vite.
Sipas presidentit, janë shkatërruar 31 batalione taktike.
12:00 – Afro 1.6 milionë refugjatë ukrainas në Poloni

1.546 milionë ukrainas kanë kaluar kufirin me Poloninë që nga fillimi i luftës, deklaroi të shtunën agjencia kufitare polake.
Prej tyre, rreth 1 milion kanë qendruar në Poloni.
Sipas tyre shifrat po vijnë duke u ulur, pasi të enjten kaluan 52 mijë, ndërsa ditën e premte rreth 8 mijë më pak.
11:00 – Rusia bombardon spitalin onkologjik

Trupat ruse kanë bombarduar spitalin onkologjik të Mykolaivit, deklaroi një zyrtar i lartë i shëndetësisë në Facebook.
“Vetëm një i marrë mund të sulmojë të dobëtit. Këta të dobëtit janë pacientët tanë. Sapo bombarduan spitalin onkologjik, spitalin që kujdeset për gjithë pacientët me kancer në rajonin e Mykaloivit”, tha Maksym Beznosenko.
09:00 – Forcat ruse 25 km larg qendrës së Kievit
Pjesa më e madhe e forcave tokësore ruse janë aktualisht rreth 25 kilometra larg nga qendra e kryeqytetit ukrainas, Kiev, tha të shtunën Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.
“Lufta në veri-perëndim të Kievit vazhdon me lëvizjen e forcave tokësore ruse tani rreth 25 kilometra nga qendra e qytetit”, tha ministria.
00:01 – Zelensky: Rusia nuk na lejon t’i dërgojmë ndihma banorëve të Mariupolit
Presidenti Volodymir Zelensky ka kërcënuar Rusinë se ushtria ukrainase do i përgjigjet “një për një pushtimit të Mariupolit”.
“Jam i detyruar ta them këtë me plot dhimbje: Mariupoli mbetet i bllokuar nga armiku. Trupat ruse nuk kanë lejuar të futemi të ndihmojmë qytetarët tanë dhe vazhdojnë t’i torturojnë banorët e Mariupolit tonë”.
Nesër do të provojmë sërish të dërgojmë ushqime, ujë dhe ilaçe, tha Zelensky,
Më herët gjatë ditës Zelensky akuzoi trupat ruse se kishin shkelur rregullat e armëpushimit duke ndërprerë korridoret humanitare.
23:00 – Raportohet për sulme në Mykolayiv
Mbrëmjen e së enjtes ushtria ruse ka nisur bombardimin e Mykolayivit. Kreu i administratës rajonale Vitaly Kim thotë se po sulmohet mbi gjithë qytetin.

22:26 – Mbi 10 mijë persona evakuohen nga Kievi

Në ditën e tretë të operacionit të evakuimeve, autoritetet raportojnë se më shumë se 10 mijë fëmijë, gra dhe të moshuar janë transportuar drejt vendeve të sigurta.
Autobusët transportojnë qytetarët në një kamp të posaçëm pranë Kievit ku iu jepet ndihma e parë si dhe ushqime. Më pas ata largohen me tren në rajonet perëndimore.
21:50 – Biden: Përballja e NATO me Rusinë do të sillte Luftën e Tretë Botërore
Shtetet e Bashkuara nuk do të dërgojnë trupa në Ukrainë, deklaroi presidenti Joe Biden të premten.
“Dua të jem i qartë: Ne do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO me fuqinë e plotë të një NATO-je të bashkuar”, tha Biden në Twitter.
“Por ne nuk do të luftojmë kundër Rusisë në Ukrainë. Një përballje e drejtpërdrejt midis NATO dhe Rusisë do të sillte Luftën e Tretë Botërore”
“Kemi një armik të ri”, Rama: Do përfshihen shkollat në parandalimin e zjarreve
Droni rus godet një ndërtesë banimi në Kiev
Rusia kryen një valë sulmesh ajrore ndaj Kievit, si reagoi mbrojtja ukrainase
- 11:19 Australia shtrëngon kontrollin mbi rrjetet sociale, gjoba deri në 99 milionë dollarë për shkeljen e ligjit
- 10:43 Dy automjete përfshihen nga flakët gjatë natës në Elbasan, nisin hetimet
- 10:29 Aksident në Novoselë, përplasen një makinë dhe një motor, plagoset drejtuesi i motomjetit
- 10:23 “Ata kanë nevojë që zgjidhja të mos vijë kurrë, Rama: Protestat po ushqehen nga aktorë që kërkojnë kaos
- 10:22 Ndërron jetë i burgosuri në Shkodër, ndodhej në qeli me të birin
- 10:20 Qarkullonte me armë zjarri në automjet, Policia arreston 31-vjeçarin nga Lezha në Rinas