English

“Perëndimi po ndihmon Vuçiçin!” Haradinaj: Po e inkurajojnë Serbinë drejt dhunës

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Ish-Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj gjykon se vëmendja e ndërkombëtarëve ndaj dialogut Kosovë-Serbi po venitet.

- Advertisement -

Në një intervistë me gazetaren Alice Taylor për podkastin “Inside Albania”, Haradinaj tha se Perëndimi po i jep krah Serbisë të veprojë në mënyra të dhunshme.

“Para pushtimit rus të Ukrainës, diskutohej për njohje reciproke. Pas pushtimit po dëgjojmë njohje de facto apo përkufizime të tjera të një zgjidhjeje të përkohshme. Po i kushtohet më pak vëmendje rajonit. Kjo inkurajon Serbinë të veprojë me më shumë fuqi dhe intensitet, siç ndodhi më 24 shtator.”

Për Haradinajn, deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës së tij në Beograd pak javë më parë, ishin alarmuese për Kosovën.
“Ai tha se po punojnë drejt fuqizimit të marrëdhënieve të NATO-s me Serbinë. Ishte tronditëse, sidomos për ne në Kosovë. Në vend që të qetësonte situatën dhe t’i hapte rrugë një perspektive të re për Ballkanin Perëndimor, kemi parë krejt të kundërtën me këto deklarata.”

Ish-Ministrja e Jashtme sheh fakte shqetësuese sa i takon hetimit për sulmin terrorist të Banjskës, për të cilin ndërkombëtarët po heshtin prej muajsh tashmë.

“Kam dijeni se ekziston një raport përfundimtar që është dorëzuar. Besoj se po presin të përfundojnë zgjedhjet në Serbi, që të mos vihet në rrezik as dialogu, dhe që fatkeqësisht të ndihmojnë Vuçiçin dhe të presin të mbajë premtimet e tij të rreme pas zgjedhjeve. Si gjithnjë, ata do të zhgënjehen sepse Vuçiç do të vijojë me të njëjtën strategji.”

Ish-Ministrja e Jashtme bëri thirrje që NATO të vijë me një qasje të re bashkëpunimi me Kosovën dhe Bosnje Hercegovinën si dy nga vendet më të rrezikuara nga kërcënimi serb në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, Haradinaj sheh gabime edhe te Shqipëria.

“Mendoj se është një mundësi e madhe që NATO të ketë një qasje të ripërtërirë të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor dhe jo vetëm të marrë masa për të shmangur një konflikt të ri që Rusia po përpiqet të ndezë në rajon. Ndoshta duhet një plan veprimi për anëtarësimin, përpjekje për t’ju bashkuar programeve të NATO-s, që mund të rrisin bashkëpunimin me Kosovën. Shqipëria, si anëtare e aleancës, fatkeqësisht nuk po ndihmon fare me këtë agjendë.”

Sa i takon përplasjeve publike mes kryeministrave Rama dhe Kurti, Haradinaj argumenton se fatkeqësisht nuk bëhet fjalë për shfaqje.

“Kryeministri Rama nuk i ka pasur këto probleme vetëm me Kurtin. Sa herë nuk pajtohen, bëhet fjalë për Serbinë. Ky është problemi! Ne nuk jemi dakord me qëndrimin e tij ndaj dialogut Kosovë-Serbi. Rama i personalizon marrëdhëniet mes shteteve. Mendimet personale të një drejtuesi të Kosovës nuk duhet të prekin marrëdhënien si motra që kemi mes Kosovës dhe Shqipërisë.”

LEXONI GJITHASHTU:

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

spot_img

TË FUNDIT

spot_img

Sondazh

Kush mendoni se ishte fituesi i debatit të parë presidencial në SHBA?