Përfaqësues të MOL-it hungarez vizitojnë rafinerinë e NIS-it

5 Janar 2026 | 14:44

Përfaqësues të Grupit hungarez MOL kanë nisur më 5 janar një vizitë në rafinerinë e Pançevës dhe në objektet e tjera kryesore të Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), mëson Radio Evropa e Lirë (REL).

Vizita e tyre në rafinerinë e Pançevës është e para që nga njoftimi disa muaj më parë se NIS është në shitje.

Siç ka bërë të ditur më herët udhëheqja politike në Beograd, MOL është i interesuar për blerjen e pjesës ruse të aksioneve në NIS, kompani që është nën sanksione amerikane që nga fillimi i tetorit të vitit të kaluar.

Përfaqësuesit e MOL-it që nga orët e mëngjesit të së hënës po vizitojnë pikat e karburantit të NIS-it në mbarë Serbinë, ndërsa delegacioni hungarez në rafinerinë e Pançevës po zhvillon takime me drejtuesit e këtij kompleksi të naftës dhe me përfaqësues të NIS-it.

Vizita e ekspertëve hungarezë ishte paralajmëruar rreth dhjetë ditë më parë, në kuadër të interesimit të MOL-it për të kryer një analizë të detajuar të biznesit, sistemit dhe objekteve të NIS-it para një vendimi të mundshëm për blerje. Ky proces verifikimi përfshin aspektet juridike, financiare dhe teknike të veprimtarisë.

Në rafinerinë e Pançevës po mbahen takime profesionale mes dy palëve, gjatë të cilave blerësit të mundshëm u prezantohen të dhëna për pajisjet e uzinave dhe funksionimin e prodhimit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më 2 janar tha se pret që pikat kryesore të kontratës ndërmjet NIS-it dhe kompanisë hungareze MOL të përfundojnë deri më 23 janar.

Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) pranë Departamentit amerikan të Thesarit më 9 tetor filloi zbatimin e sanksioneve ndaj NIS-it për shkak të pjesës së pronësisë që ka kompania shtetërore ruse Gazprom Neft, me qëllim, siç ka njoftuar Uashingtoni, të pengojë Rusinë që të përdorë të ardhurat nga energjia për luftën në Ukrainë.

Kushti i Shteteve të Bashkuara që NIS të hiqet nga lista e sanksioneve amerikane është që kompanitë ruse të largohen nga pronësia.

NIS është në pronësi të Rusisë: kompania shtetërore Gazprom, filiali i saj Gazprom Neft dhe shoqëria aksionare Intelligence nga Shën Petersburgu zotërojnë 56.15 për qind të aksioneve, Serbia 29.87 për qind, ndërsa pak më pak se 14 për qind janë në duart e aksionarëve më të vegjël.

Për shkak të embargos dhe pamundësisë për të importuar naftë të papërpunuar, më 2 dhjetor u mbyll rafineria e Pançevës – e vetmja në Serbi – që është objekti më i rëndësishëm në pronësi të NIS-it.

NIS më 1 janar njoftoi se Departamenti amerikan i Thesarit i kishte lëshuar asaj kompanie një licencë të posaçme, me të cilën i lejohet sërish të kryejë aktivitete operative deri më 23 janar.


Industria e Naftës së Serbisë iu shit Gazpromit në janar të vitit 2008, në kuadër të marrëveshjes ndërshtetërore ruso-serbe për bashkëpunim në fushën e naftës dhe gazit, për 400 milionë euro.

Deri më tani nuk ka pasur informacione zyrtare për vlerën aktuale të shitjes së aksioneve ruse të NIS-it./ REL

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Pse vala vdekjeprurëse e të nxehtit në Evropë nuk është për shkak të një fenomeni natyror të motit

Evropianët po vuajnë nga vala e fundit e të nxehtit, për të cilën ekspertët thonë se po “përforcohet nga ngrohja afatgjatë” – jo nga El...
18:25 | 24/06/2026

BE-ja shkurton afatin e pranimit të Ukrainës për shkak të rezistencës hungareze

E përballur me rezistencë të përtërirë nga Hungaria, BE-ja është detyruar të ndryshojë planet dhe tani synon të zhbllokojë dy, në vend të pesë, grupeve...
18:18 | 24/06/2026

Sanchez hedh poshtë kritikat për korrupsion

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez të mërkurën, 24 qershor, hodhi poshtë akuzat për “korrupsion të përhapur” kundër socialistëve të tij, pasi një ish-ndihmës i lartë u...
18:14 | 24/06/2026