Përleshje të ashpra mes beduinëve dhe grupeve druze në jug të Sirisë

18 Korrik 2025 | 12:11

Provinca jugore siriane Suwayda është përfshirë nga përleshje të ashpra mes arabëve beduinë dhe grupeve të armatosura druze, ndërsa situata në rajon mbetet e tensionuar.

Pas një marrëveshjeje të arritur me ndërmjetësimin e administratës së Damaskut dhe tërheqjes së forcave qeveritare nga zona, luftimet rifilluan kur udhëheqësi druz Hekmat al-Hejri, që kundërshtoi marrëveshjen, ndërmori veprime kundër komuniteteve arabe beduine.

Sipas burimeve lokale, qindra luftëtarë beduinë nga fiset arabe në pjesë të ndryshme të Sirisë u përfshinë në luftime, duke rimarrë disa vendbanime dhe duke avancuar drejt hyrjes perëndimore të qytetit Suwayda. Grupi i armatosur i udhëhequr nga al-Hejri është tërhequr nga rrethinat dhe ka vendosur pozicionet mbrojtëse brenda qendrës së qytetit.

Përleshjet midis palëve vazhdojnë në hyrjen perëndimore të qytetit, ndërkohë që forcat siriane të sigurisë nuk janë përfshirë drejtpërdrejt në luftimet, por po patrullojnë rrugët që të çojnë drejt Suwaydas.

Situata është tensionuar më tej pasi, më 16 korrik, avionët luftarakë izraelitë goditën objektiva strategjike në Damask, përfshirë kompleksin presidencial, selinë e Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrinë e Mbrojtjes. Sulme ajrore u shënuan edhe mbi provincën Daraas.

Më herët, më 13 korrik, përleshjet fillestare midis beduinëve dhe grupeve druze në Suwayda u pasuan nga një armëpushim, i cili u thye shpejt. Sulmet e grupeve druze ndaj forcave siriane të sigurisë sollën dhjetëra viktima.

Vlerësohet se qindra persona kanë humbur jetën si pasojë e luftimeve dhe sulmeve ajrore në ditët e fundit.

Grupet lokale dhe autoritetet siriane kanë arritur një armëpushim të ri në përpjekje për të ndalur përshkallëzimin, por situata mbetet e brishtë.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Trump shkarkon prokurorin federal të Seattle vetëm një orë pas emërimit nga gjykata

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shkarkoi të mërkurën prokurorin e sapoemëruar federal për distriktin perëndimor të Uashingtonit, Roger Rogoff, më pak se një orë pasi...
14:12 | 16/07/2026

Kremlini vlerëson Turqinë për ndërmjetësimin mes Ukrainës dhe Rusisë: Mirënjohës për përpjekjet për paqe

Kremlini tha të enjten se Rusia i është mirënjohëse Turqisë për gatishmërinë e saj për të lehtësuar një zgjidhje për Ukrainën. “Jemi shumë të vetëdijshëm...
13:32 | 16/07/2026

Shkarkimi i ministrit të Mbrojtjes ndez protesta në Ukrainë, qindra qytetar kundër këtij vendimi

Një valë protestash shpërtheu në Ukrainë këtë të enjte, në shenjë proteste kundër shkarkimit të ministrit reformist të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov. Deputetët ukrainas po përgatiten...
13:20 | 16/07/2026