Drejtuesi politik i qarkut të Durrësit për Partinë Demokratike, Edi Paloka komentoi për Euronews Albania situatën e përmbytjeve që po kalon vendi dhe darkën e një pjese të kabinetit qeveritar në një restorant luksoz në Dubai.
Paloka e konsideroi justifikim idiot deklaratën e kryeministrit Edi Rama se në fundjavë pati më shumë reshje se në vitin 2010 kur vendi kaloi një situatë të ngjashme me përmbytje.
“Po-po, ka rënë shi më shumë se në kohën e Berishës! E kam parë këtë deklaratë idiote, justifikim më idiot nuk mund të ketë. Njerëzit e kuptojnë vetë, plus që edhe në Sukth edhe në Bubq banorët e thanë kur i vizitoi zoti Basha se po përmbyteshin këto pesë vite dhe këto pesë vite Berisha nuk ka qenë as meteorolog dhe as kryeministër,” – tha Paloka duke akuzuar qeverinë për propagandë dhe për mungesë mbështetje ndaj qytetarëve.
Gazetarja Esmeralda Mulaj i tha Palokës se situata e përmbytjeve ka ndodhur edhe në kohën e shkuar gjatë qeverisjes së demokratëve dhe se politika ka vijuar me akuza. Paloka u përgjigj se ndryshe nga socialistët, demokratët aktualisht nuk po e politizojnë çështjen për zona që janë përmbytur shpesh, por po kërkojnë llogari për zona që nuk kanë qenë përmbytur më parë.
Paloka tha se zona si Vlora, Sukthi apo Bubqi nuk janë përmbytur ndonjëherë. Thënë këtë ai kujtoi se gjatë kësaj periudhe kabineti qeveritar darkonte në Dubai dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku bëri një deklarim me video në mbledhjen ndërministrore të emergjencave se gjithçka ishte në rregull. Ai tha se ky është një skandal që duhet të merret Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion.
“Këtë ajo e bënte për të fshehur faktin se ishte në Dubai gjoja sikur ishte në Shqipëri dhe deklarohej sikur e kishte kontrolluar situatën, këto janë shpifësira,” – tha Paloka duke e konsideruar të rëndë edhe justifikimin nga kryeministri Rama se kabineti qeveritar ishte në Dubai për të lobuar për investime në Shqipëri.
Zyrtari i lartë i PD-së hodhi dyshimet se darka e kabinetit qeveritar në Emirate fsheh pas afera dhe investime në ilegalitet. Këtë e bazoi mbi argumentin se investime të mundshme si ai i portit të Durrësit nuk mund të diskutohen në të tilla nivele.