Përmet, përurohet shtatorja e mjeshtrit të klarinetës Laver Bariu
Në qytetin e Përmetit është përuruar shtatorja e Laver Bariut, një prej figurave më të rëndësishme të muzikës popullore shqiptare.
Statuja e mjeshtrit të klarinetës është vendosur në lulishten qendrore të qytetit, pranë bustit të këngëtares lirike Tefta Tashko Koço.
Vepra artistike mban firmën e skulptorit Alem Toska, i cili ndoqi nga afër punën për vendosjen e shtatores.
Gurët monumentalë që formojnë bazamentin e shtatores janë sjellë nga rrethinat e Përmetit, duke përforcuar simbolikën e lidhjes me vendlindjen e artistit.
“Të realizosh një figurë ulur që i bie klarinetës, momenti që i bie, shprehja e fytyrës, lëvizja e duarve, të gjitha kanë vështirësitë e veta, por mendoj që ia kam arritur dhe shpresoj shumë që, edhe me çfarë kam parë, reagimet e njerëzve janë shumë të mira. Familjarët e kanë pëlqyer shumë dhe kjo më lumturon jashtë mase”, thotë skulptori Alem Toska.
“Morëm vendim që Laverin do ta risjellim kështu, të gjallë dhe të bukur, siç ka qenë në Përmet dhe besoj se ia arritëm qëllimit me ndihmën e të gjithëve”, thotë iniciatori Bledi Mande.
“Laveri nuk ishte thjesht muzikant, ai ishte një frymë, një njeri i thjeshtë, i qetë, me shpirt të madh dhe duar të arta, që me klarinetën e tij u bë pjesë e shpirtit përmetar. Me një stil të pastër e plot ndjenja, ai ruajti dhe lartësoi muzikën tradicionale përmetare, duke u bërë simbol i trashëgimisë sonë kulturore. Ishte ai që u ngjit në skena të mëdha, që pushtoi zemrat e publikut me thjeshtësinë dhe mjeshtërinë e tij”, thotë Alma Hoxha – Kryetare e Bashkisë Përmet.

Figura e Laver Bariut, i cilësuar si virtuoz i muzikës popullore, ka tashmë jo vetëm vendin e saj në historinë e muzikës, por edhe një vend të përhershëm në zemrën e qytetit të tij. Përurimi i shtatores shënoi gjithashtu hapjen zyrtare të edicionit të parë të “Vjosa Art Fest”, një festival që synon promovimin e artit dhe trashëgimisë kulturore.
LEXONI GJITHASHTU:
Ikonat e Onufrit dhe Shpatarakut tërheqin turistët, rritet interesi për Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë
Shtëpia ku lindi i madhi Faik Konica në harresë, thirrje që të kthehet në muze
Historia e heroit të mitologjisë greke Odisesë rikthehet në ekranet botërore
- 19:11 Festimet për fitoren e Francës kthehen në tragjedi, 17-vjeçarja bie nga kamioni dhe shtypet prej tij
- 19:05 Vuçiç tregon kur do ta lërë presidencën: Mund të kandidoj për kryeministër
- 19:03 Vritet ish-deputetja e njohur britanike, arrestohet një autor i dyshuar
- 18:44 Digjet një automjet në rrugën drejt Kaninës, dyshohet për defekt teknik
- 18:43 A rrezikohet rajoni? Shpërthen ethja afrikane në Serbi, urdhërohet asgjësimi i 11 mijë derrave
- 18:23 Trump: Ja udhëzimi që kam lënë nëse Irani ndërmerr një sulm ndaj meje