Pjesë e marrëveshjes me Trump, Lukashenko liron 31 të burgosur ukrainas

23 Nëntor 2025 | 13:04

Udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko, i ka falur dhe liruar 31 shtetas ukrainas që po mbaheshin në Bjellorusi, një veprim që Minsku tha se ishte pjesë e një marrëveshjeje të arritur me presidentin amerikan, Donald Trump.

Komiteti ukrainas për koordinimin e shkëmbimit të të burgosurve e konfirmoi lirimin e tyre më 22 nëntor, duke thënë se i kishte marrë civilët nga autoritetet bjelloruse.

“Gratë dhe burrat e ndaluar në Bjellorusi dhe të dënuar me dënime të ndryshme prej dy deri në 11 vjet po kthehen në Ukrainë”, tha komiteti në Telegram.

“Ne shprehim mirënjohjen tonë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe presidentit Donald Trump për punën e tyre të frytshme për kthimin e civilëve dhe personelit ushtarak ukrainas nga Bjellorusia dhe Rusia”, shtoi ai.

Akuzat konkrete me të cilat ishin mbajtur të burgosurit nuk u bënë të qarta.

Zyrtarët ukrainas thanë se “këta janë burra dhe gra civilë që mbaheshin për qëndrimin e tyre proukrainas, të akuzuar për ndihmë dhe mbështetje ndaj Ukrainës”.

Lukashenko, një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, ka autorizuar disa herë lirimin e të burgosurve gjatë vitit të fundit, pasi kërkon t’i përmirësojë marrëdhëniet me Perëndimin.

Ai shpreson se lidhjet më të mira do të çojnë në lehtësimin e sanksioneve perëndimore, të vendosura pasi Bjellorusia bashkëpunoi me Rusinë në pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Por, derisa Minsku përpiqet të krijojë perceptimin e ngrohjes së marrëdhënieve me Uashingtonin, pyetje tmerruese janë ngritur nga rrëfimet për torturë dhe keqtrajtim nga të burgosurit e liruar më herët.

Trumpi e ka emëruar një të dërguar të posaçëm për Bjellorusinë, detyra e të cili është të mbajë bisedime për lirimin e më shumë të të burgosurve.

Presidenti amerikan, i cili i habiti shumë njerëz duke folur me Lukashenkon përmes telefonit në gusht, tha në shtator se besonte se vendi i Evropës Lindore do të lironte shumë nga qindra të burgosurit politikë që po mban.

“Besoj se ata do t’i lirojnë shumë nga 1.400 të burgosurit”, u tha Trump gazetarëve më 5 shtator, duke shtuar se kjo mund të ndodhë “në një të ardhme mjaft të afërt”./ REL

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rubio: SHBA do të përqendrojë përpjekjet e saj kundër terrorizmit të ekstremit të majtë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio të enjten nisi një nismë të udhëhequr nga SHBA-të për të përqendruar përpjekjet ndërkombëtare kundër terrorizmit në atë që...
17:38 | 16/07/2026

Keqpërdorimet e fondeve publike, qeveria e Hungarisë i dërgon policisë raportet dhe kontratat e dyshimta

Qeveria e Hungarisë njoftoi të enjten se i dërgoi policisë një raport në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të fondeve publike gjatë blerjeve të softuerëve...
17:28 | 16/07/2026

29 vende nënshkruajnë marrëveshjen për të krijuar një organ global bashkëpunimi për inteligjencën artificiale

Njëzet e nëntë vende nënshkruan të enjten një marrëveshje për të krijuar Organizatën Botërore të Bashkëpunimit për Inteligjencën Artificiale, një organ ndërqeveritar që Kina thotë...
17:05 | 16/07/2026