Plagosja në Kavajë, Basha dhe Meta akuza mazhorancës dhe policisë, reagon Rama

19 Prill 2021 | 22:35

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga Kavaja ku shkoi menjëherë pas incidentin në zyrat e PD në këtë qytet ku mbeti i plagosur me armë zjarri një person, e cilësoi ngjarjen një atentat ndaj PD nga një kryeministër që e di se do të humbë zgjedhjet.

Teksa ka fajësuar aktivistë të Partisë Socialiste për incidentin, kryedemokrati tha se kjo ngjarje tregon frikën e humbjes së pushtetit dhe është përpjekje për t’u mbyllur gojën shqiptarëve që presin ndryshimin.

“Të gjithë së bashku, asnjë hap mbrapa le të vazhdojmë marshimin tonë ditë për ditë, krah për krah deri ditën e diel ku Kavaja Shqipëria do t’i japin përgjigjen e merituar këtij atentati të shëmtuar kundër demokracisë, kundër Partisë Demokratike dhe kundër koalicionit tonë për ndryshim”, tha Basha.

Nga ana e tij kryeministri reagoi përmes një postimi në Twitter, duke e cilësuar ngjarjen e ndodhur në Kavajë një akt të patolerueshëm që duhet dënuar, por politizimi i kësaj ngjarjeje sipas tij është më keq se vetë ngjarja.

“Plagosja e Kavajës e patolerueshme! Autori duhet çuar në pranga sa më shpejt! Politizimi i kësaj ngjarjeje është po aq i keq sa vetë ngjarja! LB duhet të bashkohet me mua për të mbështetur drejtësinë pa nxitur tensionin, ndërsa IM duhet ta ndalë fushatën idioteske të tensionimit!” shkroi kryeministri.

Meta i kërkon policisë të hetojë ngjarjen

Presidenti, Ilir Meta nga Kavaja pas incidentit të ndodhur pranë zyrës elektorale të PD-së ku një person mbeti i plagosur me armë zjarri, ka bërë thirrje për qetësi ndërsa kërkoi nga policia që të hetojë ngjarjen.

“Ftoj qytetarët e Kavajës që të ruajnë qetësinë dhe shpresoj që policia të ndërhyjë dhe t’i lërë motivet e dobëta. Ardi Veliu lëri motivet e dobëta, është serioze loja tani. Mos i lini ata që janë në kërkim që të bredhin nëpër Shijak dhe Sukth dhe këtu apo kudo tjetër sepse do të ketë reagime spektakolare që nuk u ka vajtur mendja. Nuk preket më vota e asnjë shqiptari”, deklaroi kreu i shtetit.

Presidenti akuzoi kreun e mazhorancës se ka bllokuar integrimin e vendit me situatën e tensionuar politike që krijon që prej kohës kur ndodhej në opozitë, duke i kujtuar kushtin për Fierin.

Z. Meta tha se kryeministri po tenton që të fitojë zgjedhje me manipulim dhe ndaj i bëri thirrje që të “shkojë para SPAK” dhe shtoi se presidenti e ka për të detyrë që të bëjë thirrje për reflektim.

Presidenti në fund iu drejtuar qytetarëve në Kavajë që “të jeni në gatishmëri maksimale për të mbrojtur demokracinë” dhe paralajmëroi se “çdo person që përfshihet në krime zgjedhore do të përgjigjet një më një nuk ka asnjë rrethanë lehtësuese”.

Lexoni gjithashtu:

Të shtëna me armë zjarri brenda zyrave të PD në Kavajë, një i plagosur

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rama reagon sërish për Zvërnecin: Nuk sheh syri, sheh mendja

Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të mërkurë në kuadër të debatit dhe protestave kundër projektit në Zvërnec, duke publikuar një status të plotë ku...
18:36 | 03/06/2026

Kryebashkiakët e Dibrës kundër ndryshimit të hartës territoriale: Do të vështirësonte shërbimet ndaj qytetarëve

Kryetarët e të gjitha bashkive të Qarkut të Dibrës janë shprehur kundër çdo ndryshimi të mundshëm të hartës territoriale, gjatë një seance dëgjimore në Komisionin...
18:00 | 03/06/2026

“E dija që i kishte paratë”, Berisha për Zvërnecin: Kam qenë dakord që në fillim me projektin Kushner

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha në një komunikim për mediat nga mbledhja e grupit të PD se ka qenë pro projketit për investimin...
13:56 | 03/06/2026